20 Prill 2024

Fshati olimpik i Hitlerit, i hapur për vizitorët

Berlin, 17 gusht - 80 vjet më parë, sportistë nga 40 vende konkurruan në Lojërat Olimpike të Berlinit. Amerikani Jesse Owens ishte figura që dominoi Lojërat, por garat u zhvilluan nën hijen e rëndë të regjimit nazist të Hitlerit.

Kujtimet e atyre ditëve mbahen gjallë në fshatin olimpik në Berlin, që tani është i hapur për vizitorët:

Në periferi të kryeqytetit gjerman ndodhet fshati olimpik i Lojërave të 1936. Afro 4 mijë sportistë nga 40 vende u mblodhën këtu 80 vjet më parë për konkurrimet olimpike.

Megjithë shkatërrimet që solli Lufta II Botërore, fshati ka mbijetuar thuajse plotësisht.

Palestra e gjimnastikës, ku stërviteshin sportistët, ende ruan të njëjtën pamje si në atë kohë; vetëm llampat janë ndryshuar.

Pishina nuk është përdorur prej vitesh, por ka mbetur e pandryshuar, me përjashtim të çatisë që u desh të riparohej, pasi çatia origjinale u dogj pas luftës.

Fshati olimpik, i quajtur “Fshati i Paqes” u ndërtuar rreth 18 kilometra larg Stadiumit Olimpik që ende eksizton. Vendi u zgjodh me qëllimin që pas lojërave objektet të përdoreshin si mjedise stërvitore për ushtrinë gjermane.

Lojërat e 1936 kujtohen si një aktivitet nën dirigjimin e nazistëve, por edhe për dominimin e atletit amerikan Jesse Owens në gara. Berlini u zgjodh si vend organizator para se Hitleri të merrte pushtetin në 1933.

Megjithë përpjekjet e Hitlerit për të penguar hebrenjtë nga konkurrimi, falë presionit të huaj, hebrenjtë dhe kombësi të tjera arritën të marrin pjesë. Berlini u pastrua nga simbolet më të spikatura anti-semite. Po ashtu, gjatë lojërave, baret në Berlin u lejuan të luanin edhe muzikë xhaz, që ishte e ndaluar në rrethana të tjera.

Guida turistike, Bernd Redder, thotë se për periudhën e lojërave, nazizmi dukej se ishte pezulluar përkohësisht:

“Këtu në fshatin olimpik përfaqësues nga 40 vende jetonin së bashku, të bardhë e të zinj. Në këtë fshat nuk dalloje gjë nga nazizmi”.

Nazistët shpresonin se lojërat do të dëshmonin superioritetin racor të gjermanëve. Por ishte afrikano-amerikani Jesse Owens që dominoi garat, duke fituar medalje të artë në 100m, 200m, si dhe në stafetën 4x100m dhe kërcim së gjati. Tani në fshatin olimpik vizitorët mund të shohin ambjentet e rikrijuara të dhomës ku rrinte Jesse Owens.

Kur u kthye në Shtetet e Bashkuara, Jesse Owens u prit si hero, por kjo nuk e mbrojti nga dallimet racore që iu imponoheshin afrikano-amerikanëve në vitet 1930.

\"Jesse Owens, kur u kthye në Shtetet e Bashkuara ishte i ftuar në një pritje për nder të tij dhe të disa olimpistëve të tjerë. Por meqë ishte afrikano-amerikan nuk mund të futej përmes portës kryesore të Hotelit Savoy, por duhet të përdorte hyrjen anësore dhe ashensorin e mallrave,” thotë historiania Gwen Jones.

Në Lojëra Olimpike të Berlinit u nderuan me medalje edhe nëntë atletë hebrenj.

Megjithë simbolikën e tyre, Olimpiket e Berlinit nuk arritën të ndalin politikat naziste. Pak vite pas Lojërave, Gjermania pushtoi Poloninë dhe plasi Lufta II Botërore.

\"Filloi ndërtimi për kampin Sachsenhausen, në dalje të Berlinit, para dhe gjatë lojërave, megjithëse dy javët e lojërave shiheshin si një pauzë në sitatën e përgjithshme të tmerrit dhe persekutimit,” thotë historiania Helga Woggon.

Pas luftës, fshati olimpik ra në zonën sovjetike, ku Ushtria e Kuqe stacionoi ushtarë deri në 1992.

Simbole të sovjetikëve, përfshirë edhe një portret të madh të Leninit, ende shihen në objektet e fshatit olimpik.

Michael Metto po viziton fshatin olimpik për herë të parë. Ai është nga Berlini Perëndimor dhe tregon se e ka parë nga larg këtë mjedis, kur përdorej nga sovjetikët:

\"Vija me tren nga Berlini Perëndimor deri këtu. Ishte me interes për mua kur shihja forca të Ushtrisë së Kuqe të stacionuara këtu. Pra vizita këtu është interesante, sepse fshati olimpik ka disa aspekte historike në të kaluarën e tij”.

Fshati olimpik i Berlinit është i hapur për vizitorët çdo ditë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)