24 Shkurt 2020

Vetëvendosje kërkon të zbatohet plotësisht tarifa ndaj mallrave të Serbisë

Prishtinë, 25 shkurt - Lëvizja Vetëvendosje! mbajti konferencë për media në lidhje me moszbatimin e plotë të tarifës prej 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja tash kur janë bërë tre muaj nga vendosja e kësaj mase.

Deputeti i Lëvizjes, Salih Zyba foli për lëshimet në zbatimin e këtij vendimi duke bërë që mallrat nga Serbia të jenë shumë prezente në treg dhe për të cilën gjë Qeveria nuk ka shpjegim ndërsa Ministria e Financave nuk është në nivel të përgjegjësisë.

“Presidenti Thaçi, nga partia e të cilit vjen Minisitri i Financave aktual që do të duhej me mekanizmat e tij institucional të luftojë kontrabandën, në mënyrë cinike na thotë se është rritur kontrabanda në veri. Pra, kemi një deklaratë që është denoncim shtetëror apo pranim i kolapsimit shtetëror. Presidenti i një vendi thotë se kontrabanda me Serbinë është rritur. Kjo i bjen që ai pranon se ka pasur gjithmonë dhe kohët e fundit veçse është rritur”, tha Salih Zyba.

Ai po ashtu deklaroi se Presidentit kontrabanda po i pengon pikërisht në kohën kur ai dhe partia nga ai vjen po kërkojnë pezullimin e tarifës 100% ndaj Serbisë. Sepse s’e kemi dëgjuar asnjëherë më parë këtë konkluzion denoncues nga ai. As kur ka qenë kryeministër.

 Sipas linjës së përgjegjësive në këtë mes janë përgjegjës Ministria e Financave dhe institucionet në varësi si Doganat dhe Antikontrabanda. Përgjegjëse po ashtu është Ministria e Punëve të Brendshme me Policinë e Kosovës, Departamenti i Krimit Ekonomik dhe Antikontrabanda.

Ndërkaq sa i takon tregut të brendshëm në Kosovë brengosës është edhe mosreagimi i Ministrit të Tregtisë. Ka manovra të shumta me flamujt e vendosur që nuk përkojnë me vendet e origjinës siç e kërkon udhëzimi administrativ. Por për këto shkelje ka pak gjoba e konfiskime malli. Nuk ka fushatë për të vetëdijësuar qytetarët për rëndësinë e kujdesit dhe mos konsumit të këtyre produkteve.

Nëse çdo ditë bëhet thirrje për heqjen apo pezullimin e taksës prej Presidentit te kryetari i Kuvendit e te ekipi negociator si mund të presim që zyrtarët që përballen me kontrabandën “me letra” dhe atë totalisht ilegale do t'i qëndrojnë presionit nga grupet financiare e jo rrallë herë dhe kriminale?

Lëvizja Vetëvendosje! megjithëse e cilëson si të pamjaftueshme këtë tarifë kërkon zbatimin e plotë të këtij vendimi, ndërkaq në lidhje me kontrabandën dhe keqpërdorimet me produktet të cilat kanë taksën prej 100% ditëve në vijim do të dorëzoj kërkesën për interpelancë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
  

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 shkurt 2020 - Zyra për Komunikim Publik e Zyrës së Kryeministrit dhe Agjencina për Informim dhe Privatësi mban sesion informues për zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike. (Hotel “International Pristina”, ora 9:00)

- Kostituohet Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës do të fillojë zbatimin e dy vendimeve për rrënim në të njëjtën kohë, në rr. Musa Tolaj në Lakrishte. (Takimi me mediat bëhet në rrugën, Musa Tolaj, ora 10:00)

- Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit organizon lansimin e projektit strukturor Erasmus + “Ngritja e kulturës kërkimore në arsimin e lartë në Kosovë”. (Ndërtesa e MAShTI, ora 10:00)

- Demokracia Plus organizon tryezën e organizuar ku do të diskutohet mbi dyfishimin e pozitave të nëpunëse civil si rezultat i ristrukturimit të Qeverisë nga 21 në 15 ministri. (Salla e konferencave Orion, ora 10:00)

- Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës organizon tryezë për taksën 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja. (Hapësirat e Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Konstituohet Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 10:00)

- Përurohet libri “Shoqëri e të shtypuri shkronja shqip 1879” të autorit Besim Kabashi i cili më pas do të mbajë një ligjëratë me titull “Një korpus për gjuhën shqipe”. (Amfiteatri i Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, ora 11:00)

- Konstituohet Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 204, ora 11:00)

- Përurohet laboratori i mikrobiologjisë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, i ndërtuar me fondet e projektit “Mbështetje për Sistemin Shëndetësor të Kosovës”, nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim. (Klinika Infektive, ora 12:00)

- Hapet ekspozita “Ballafaqimi me të harruarën”. (Biblioteka Kombëtare, ora 12:00)