23 Prill 2024

Uiski burbon, peng i luftës tregtare

New York, 25 qershor - Të premten Bashkimi Evropian filloi zbatimin e tarifave mbi produktet që importon nga Amerika, në kundërpërgjigje ndaj tarifave amerikane mbi çelikun dhe aluminin e importuar.

Ndër produktet që preken janë disa artikuj simbol të Amerikës: xhinset, motoçikletat Harley Davidson, si dhe uiski burbon.

Ndërsa shkëmbimet mes zyrtarëve të tregtisë po ndizen dhe ka rrezik të marrin përmasat e një lufte tregtare, në distileritë e vogla amerikane ku eksporti është një element i rëndësishëm i fitimeve, tarifat kthehen në luftë për ekzistencë:

Paul Hletko e ka në gjak prodhimin e pijeve alkoolike.

“Para Luftës së Dytë Botërore, familja e gjyshit tim ishte pronare e një fabrike birre në Republikën Çeke”.

Familja hebraike e gjyshit të tij humbi fabrikën dhe shumë më tepër kur nazistët morën nën kontroll Evropën gjatë luftës.

“E gjithë familja u dërgua në kampe përqëndrimi dhe u vranë të gjithë, përveç gjyshit tim. Ai e kaloi pjesën tjetër të jetës duke u përpjekur të rimerrte fabrikën e birrës, por nuk ia arriti. Dhe kur vdiq, e kuptova se po të mos bëja diçka për t’u rilidhur me trashëgiminë e familjes, do të zhdukej përgjithmonë”.

Nga ajo dëshirë lindi “Few Spirits” në Evanston, Illinois, një distileri e krijuar për të nderuar traditën e familjes Hletkos...por jo më në biznesin e birrës.

“Birra do që kur të rritet të bëhet uiski”.

Ka interes për uiskin e Hletkos, si brenda dhe jashtë vendit.

“Ne kemi shitur në 35 vende dhe në rreth 45 shtete amerikane. Jemi numër një për llojin që ofrojmë në Britani”.

Por për Hletkon, Kina është synimi kryesor.

“Eksportet amerikane në Kinë për pijet alkoolike janë rritur deri në 2000 për qind. Është goxha rritje”.

Kjo shifër mund të bjerë ndjeshëm pas një lufte tjetër – kësaj here një luftë tregtare që mund të ndikojë përsëri tek biznesi i familjes së Hletkos. Tarifat e propozuara nga disa partnerë kryesorë tregtarë të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë Kinën, kërcënojnë shitjet e produkteve amerikane si uiski i tij.

“Tarifat e propozuara janë 25 për qind, që do të ishte një rritje dramatike. Produktet tona janë relativisht të shtrenjta, por do të bëheshin edhe më të shtrenjta”.

“Uiski burbon lindi në Amerikë. Është simbol i Amerikës”.

Analisti dhe kontribuesi i kanalit Fox Business, Phil Flynn mundohet të mos i kushtojë rëndësi ndikimit të tarifave në shitjet e uiskit burbon jashtë vendit, veçanërisht në Kinë.

“Nuk është se po ndalojnë shitjet e këtyre gjërave, thjeshtë do të jenë pak më të shtrenjta. Në përgjithësi, nëse keni një produkt me cilësi të mirë dhe vjen nga jashtë, njerëzit paguajnë më shumë”.

Por Paul Hletko thotë se ndikon dhe do të ulë ndjeshëm shitjet e tij modeste vjetore në Kinë.

“Aktualisht përllogarisim se nga 150,000 dollarë, do të zbriste diku rreth 5,000 ose 10,000 dollarë, pothuajse duke eliminuar përfitimin”.

Pas përfitimit zhduken edhe vende pune për amerikanët.

“Prodhuesit e drithrave, transportuesit, paketuesit ... të gjithë përfitojnë nga eksportet amerikane në Kinë dhe do të doja që të gjithë të rrisnin bizneset”.

Pa këtë rritje, thotë Hletko, ajo që tani është një humbje e mundshme prej qindra mijëra dollarësh për kompaninë e tij këtë vit mund të përkthehet në miliona dollarë fitime të humbura në të ardhmen nëse konsumatorët e huaj largohen nga një produkt që ata e shohin si shumë të kushtueshëm.

“Ne jemi thjesht ushtarë shahu në një lojë politike, që është për të të ardhur keq”.

Një lojë që Hletko thotë ku asnjë nuk del fitimtar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)