25 Qershor 2022

Tregtia e liberalizuar në Ballkanin Perëndimor integron ekonominë e rajonit

Kotor, 21 maj - Vendet me tregje shërbimesh më dinamike mund të tërheqin më shumë investime të huaja, të kenë qasje më të mirë ndaj njohurive dhe kërkimit e zhvillimit.

Kjo do të thotë çmime më të ulëta dhe më shumë zgjedhje për konsumatorët, njëkohësisht është e dobishme për kompanitë pasi ato kanë qasje në shërbime ndërmjetëse më efikase.

Ky ishte përfundimi i nxjerrë nga takimi i CEFTA-s mbi tregtinë e shërbimeve mbajtur dje në Kotor, Mal të Zi.

Marrëveshja për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) synon të eliminojë pengesat tarifore dhe jo-tarifore ndaj tregtisë midis palëve të saj dhe kështu të përgatisë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë për tregti në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare. Protokolli shtesë 6 i CEFTA-s zgjeroi parimin e tregtisë së lirë brenda CEFTA-s në sektorin e shërbimeve.

Zbatimi i tij në shtatë ekonomitë e CEFTA-s do të hapë rrugën për integrimin e mëtejshëm ekonomik dhe do të kontribuojë në hapjen e të shtatë tregjeve të CEFTA-s për tregtinë e shërbimeve, duke u dhënë kompanive të interesuara një ndjenjë parashikueshmërie dhe transparence kur veprojnë në tregje të tjera.

Politika e integrimit rajonal synon të liberalizojë qasjen në treg për Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë dhe të shtyjë përpara tregtinë midis nënshkruesve të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA). Takimi rajonal i CEFTA-s për tregtinë e shërbimeve është organizuar nën fushëveprimin e projektit "Mbështetje për Integrimin Ekonomik Rajonal", i zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).

Tanja Boshkoviç, udhëheqëse e Komponentëve në GIZ vlerësoi se ofrimi i shërbimeve në rajon paraqet një tablo të ndryshme nga tregtia e mallrave.

“Integrimi është në mënyrë thelbësore më pak i avancuar sesa për tregtinë e mallrave. Kompanitë që dëshirojnë të ofrojnë shërbimet e tyre në një palë tjetër të CEFTA-s ende përballen me pengesa të shumta në formën e rregulloreve vendase dhe shumë ofrues shërbimesh përfundimisht kufizojnë veten vetëm në tregjet e tyre lokale, dhe kështu sektori i shërbimeve nuk mund të realizojë potencialin e tij. Prandaj, nuk duhet të anashkalohet rëndësia e sigurimit të kornizës ligjore për lëvizje të lirë të shërbimeve“, theksoi ajo.  

David Hudson, përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG NEAR) kujtoi se tregtia e shërbimeve është një nga shtyllat e Tregut të Përbashkët Rajonal (TPR). “Si një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e ekonomive moderne, ka ndikim të madh në jetën e përditshme të njerëzve dhe bizneseve”, tha ai.

Hudson deklaroi se Komisioni Evropian përgëzon palët për punën teknike të bërë në vitin 2021 në fushën e tregtisë së shërbimeve.

“Më tej nënvizojmë rëndësinë e vullnetit politik për t 'i kthyer këto rezultate në përfitime efektive. Komisioni Evropian do të vazhdojë të ndihmojë CEFTA-n në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal si përmes fondeve IPA, ashtu edhe përmes mbështetjes së ekspertëve tanë nëpër departamentet e Komisionit ”, theksoi ai.

Cristina Ceban, Shefe e Sektorit të Bashkëpunimit Ekonomik Ndërkombëtar në Ministrinë e Ekonomisë së Republikës së Moldavisë tha se përpjekjet shtesë të të gjitha palëve janë të nevojshme për krijimin e një mjedisi më të mirë për tregtinë e shërbimeve: "Unë pres që gjatë këtij viti, në të cilin Moldavia është në detyrë, zbatim të fortë të Protokollit Shtesë 6 të CEFTA-s, i cili përfaqëson një pikë shumë të rëndësishme të integrimit rajonal".

Rajesh Aggarwal, Drejtori i Divizionit për zhvillimin e tregut në Qendrën Ndërkombëtare të Tregtisë deklaroi se pashmangshmëria e reagimit ndaj bllokimeve të lidhura me pandeminë, rritja e rëndësisë së tregtisë në shërbime është e shumëfishtë dhe se njerëzimi tani është më i vetëdijshëm për vlerën e sektorëve të tillë si komunikimi, transporti, logjistika dhe shpërndarja.

“Ekonomitë e CEFTA-s duhet të mbajnë vrullin e rritjes në sektorët premtues dhe të ndërtojnë përsëri sektorët të cilët u prekën negativisht. Rritja e tregtisë së shërbimeve mund të kontribuojë në vendet e punës dhe diversifikimin e eksportit, si dhe mbështetjen e aktiviteteve të tjera ekonomike me efikasitet më të madh”, theksoi ai.

Ky takim mblodhi akterët përkatës nga shtatë ekonomitë e CEFTA-s për të diskutuar hapat e ardhshëm dhe për të shtyrë përpara zbatimin e Protokollit Shtesë 6 të CEFTA-s, i cili përqendrohet veçanërisht në kufizimet në qasjen në treg dhe kufizimet e lidhura me diskriminimin kundër kompanive të huaja ndaj atyre vendase.

Projekti bën përpjekje për të krijuar mundësi për integrimin e mëtejshëm ekonomik të ekonomive të CEFTA-s – Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 qershor 2022 - Pishina e vetme e kryeqytetit hapë sezonin veror 2022. (Pishina në hyrje të parkut Gërmia, ora 10:00)

- Komisioni i Shëndetësisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës - Dega Gjilan, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 11:00)  

- Rrjeti i OJQ-ve AVONET dhe komuniteti i biznesit në Komunën e Vitisë organizon konferencë për media lidhur me mosbashkëpunimin e Qeverisë lokale, deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili ka ndikuar në ngecje të projekteve, neglizhencë, e mosadresim të tyre. (Përballë Shtëpisë së Kulturës "Gursel e Bajram Sylejmani" në Viti, ora 12:30)