29 Maj 2020

Terminali i vjetër i aeroportit do të bëhet terminal doganor i shtetit të Kosovës

Prishtinë, 13 maj - Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, sot vizitoi terminalin e vjetër të aeroportit të Prishtinës, ku u prit nga U.D. Drejtori i Doganave, Ibrahim Xhaka dhe Drejtori i Operacioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Gökmen Aritay.

Më pastaj, Kryeministri në detyrë vazhdoi vizitën për në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”, ku mbajti një takim pune me Drejtorin e Operacioneve, z. Gökmen Aritay dhe stafin e lartë menaxhues.

Gjatë vizitës në terminalin e vjetër të aeroportit të Prishtinës, Kryeministri në detyrë dhe ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve shprehën interesimin që brenda një kohe shumë të shkurtë kjo hapësirë të funksionalizohet në terminal doganor të shtetit të Kosovës.

Terminali i vjetër i aeroportit të Prishtinës, i cili është i pashfrytëzuar për tash e 7 vite, ka një hapësirë prej 2500 m2 me infrastrukturë të gatshme e cila është e përshtatshme për terminal doganor për regjionin e Prishtinës.

Në këtë mënyrë i ndihmojmë kompanive private të cilat iu nënshtrohen tarifave të larta në terminale doganore private, terminale doganore private këto të cilat po ashtu privojnë arkën tonë shtetërore nga një shumë e konsiderueshme e të hyrave.

Kurse gjatë vizitës dhe takimit të punës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Ademi Jashari” Kryeministri në detyrë Kurti, ministri në detyrë Bislimi dhe stafi i lartë menaxhues i aeroportit diskutuan për mundësinë dhe përgatitjet e nevojshme për rihapjen e aeroportit për udhëtarë.

Aty po ashtu u diskutua edhe për mundësitë e reja që mund të na ofrohen pas përfundimit të pandemisë në hapjen e linjave të reja dhe bashkëpunimin me kompani ajrore ndërkombëtare.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 Maj 2020

- Instituti Demokratik i Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media ku do të shpalosen gjetjet preliminare nga monitorimi i aktiviteteve të prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë kohës së pandemisë. (Hotel Sirius, ora 11:00)