22 Korrik 2019

SHBA paralajmëron masa të reja ndaj Kosovës nëse nuk pezullon tarifat

Prishtinë, 12 shkurt - Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett u dorëzoi sot udhëheqësve të Kosovës një letër të nënshkruar nga tre zyrtarë të lartë amerikanë që paralajmërojnë masa të reja ndaj Kosovës nëse ajo nuk pezullon tarifat ndaj mallrave serbe.

Në letrën e nënshkruar nga Matthew Palmer, zëvendës ndihmës sekretari i shtetit, Laura Cooper, zëvendës ndihmëse e sekretarit të Mbrojtjes dhe John Erath, zëvendës drejtori për Çështje të Evropës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, shprehet keqardhja për refuzimin e deritashëm të Kosovës për të dëgjuar këshillat amerikane.

Ne letër citohet presidenti Donald Trump i ciili në dhjetor të vitit të kaluar u shkroi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se ky është momenti i mundësisë së Kosovës, që duke normalizuar marrëdhëniet me Serbinë të ndërmarr një hap të rëndësishëm përpara drejt integrimeve euro-atlantike si dhe të përparojë si një vend i qëndrueshëm, përparimtar e i sigurt.

"Që atëherë ne kemi shprehur shqetësimet tona që veprime të caktuara, përfshirë këtu vendosjen e taksës ndaj prodhimeve serbe dhe boshnjake, do të mund të rrezikojnë këtë qëllim. Këto veprime minojnë mundësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të vazhdojnë bashkëpunimin me ju në një fushë të gjerë objektivash të përbashkëta".

Në letër theksohet se meqë kërkesat për të pezulluar taksën, nuk u morën parasysh, "kemi vendosur të ndërmarrim hapa që do të shfaqin shqetësimin tonë, përfshirë këtu edhe partneritetin në fushën e sigurisë. Fillimisht, kemi vendosur të anulojmë vizitën e planifikuar të Gjeneralit(Timothy) Orr nga Garda Kombëtare e Iowa-s, në Kosovë. Vizita e tij kishte për qëllim të përqendrohej në bashkëpunimin dypalësh në fushën e sigurisë. Duke pasur parasysh veprimet e padobishme të qeverisë tuaj, do të ishte e pavend që një vizitë e tillë të ndodhte. Do të shikojmë me kujdes aspektet e tjera të bashkëpunimit tonë dhe do të shqyrtojmë nëse ato do të shkurtohen".

Në letër theksohet se "Kosova nuk ka mik më të mirë sesa Shtetet e Bashkuara. Ne kemi punuar për kaq shumë vite për të realizuar një të ardhme për popullin e Kosovës, në mënyrë që ai të jetojë ashtu siç ka zgjedhur, në paqe. Lufta e Kosovës për liri ka mbetur në mendjen e amerikanëve. Mijëra diplomatë amerikanë dhe ushtarë janë përfshirë personalisht në përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme për Kosovën. Është e pabesueshme që pas gjithë çfarë kemi bërë bashkë, Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq ulët sa të injorojë këshillat tona".

Të tre zyrtarët theksojnë në letër se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të gatshme të ndihmojnë Kosovën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizuese me Serbinë, "e cila do të përqendrohej në njohje të ndërsjellë, gjë që do të ishte e zbatueshme, e qëndrueshme dhe në dobi të të dyja palëve. Në njëzet vitet e fundit, ky ka qenë një qëllim i paarritshëm. Edhe pse ende e vështirë, është një rrugë që duhet ndërmarrë, në mënyrë që të arrijmë një të ardhme të sigurisë dhe përparimit. Qëllimi ynë është që të shohim Serbinë dhe gjithashtu Kosovën, të veprojnë me përgjegjësi dhe që t’u kthehen bisedimeve. Hapi i parë drejt këtij qëllimi do të ishte pezullimi i tarifave. Derisa nuk e bëni një gjë të tillë, ne nuk mund të kemi raportet e fuqishme që kishim më parë me ju", thuhet në letër.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 korrik 2019

- Oda Ekonomike e Kosovësdo të mbajë kon ferencën e rradhës për media lidhur me informimin e qytetarëve, institucioneve dhe gjithë publikut për tema të rëndësishme që prekin komunitetin biznesor. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 10:00)

- Federata e Çiklizmit të Kosovës mban konferencë për media për të informuar për garën ndërkombëtare te Rrethit të Kosovës në Çiklizëm e cila këtë vit është edhe garë poentuese sipas kritereve të UCI-t për çiklistët pjesëmarrës. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Prokuroria Themelore në Prizren, organizon konferencë për media lidhur me çështjen “Abi Çarshia”. (Prokuroria Themelore në Prizren, rruga William Walker pn., ora 11:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi mblidhet për tëe diskutuar lidhur me situatën e krijuar pas Vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 13:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në shënimin e ditëlindjes dhe inicimit të ndërtimit të bustit për Senatorin Bob Dole. (Rruga “Bob Dole”, Lagjja Dardania, Prishtinë, ora 14:00)
 
- Me rastin e gjobes së shqiptuar ndaj qytetarës së Prishtinës Aida Gashi për të qeshurat e saj, grupi 'Të Qeshim së Bashku' organizon një protest qesharake, me moto 'të qeshim me zë të lart, Prishtina ka nevoje për të qeshurat tona'. (Sheshi Zahir Pajaziti, ora 23:30)