19 Shkurt 2020

Serbia nuk ka bazë për ta dërguar Kosovën në arbitrazh!

Prishtinë, 4 prill - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala i ka reaguar ashpër paralajmërimeve të kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, se do ta padis Republikën e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit.

Ministri Shala ka thënë se vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e masës 100 % për të gjitha produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina është marrë duke u bazuar në faktin se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare në mes të Republikës së Kosovës dhe këtyre dy shteteve kanë qenë dhe janë thellësisht asimetrike, situatë kjo e cila vetëm sa ka evoluar për shkak të problemeve politike të shkaktuara nga këto dy vende e të cilat kanë ndikuar seriozisht dhe e kanë dëmtuar Republikën e Kosovës dhe ekonominë e saj.

“Këto dy vende në mënyrë konstante kanë vendosur barriera të pajustifikueshme ndaj tregtisë dhe ekonomisë së Kosovës në kundërshtim me objektivat e Marrëveshjes së CEFTA-së, respektivisht neni 1 dhe neni 13 mbi barrierat teknike në tregti."

"Republika e Kosovës si shtet anëtar i marrëveshjes së CEFTA-së është e obliguar që të raportojë të gjitha barrierat tarifore dhe jo-tarifore të vendosura nga vendet anëtare të kësaj organizate."

"Ne vazhdimisht kemi raportuar këto barriera, dhe duke qenë se nuk ka pasur asnjë reagim nga vendet e CEFTA-së, unë kam propozuar për vendosjen e masës 10% me 6 Nëntor 2018, masë e cila pastaj me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës është shndërruar në 100% me 22 Nëntor të vitit 2018”, ka theksuar ministri Shala.

Sipas ministrit shtetet anëtare të CEFTA duke u bazuar në nenin 42 paragrafi 2 i kësaj marrëveshje kanë të drejtë të kërkojnë konsultime bilaterale kur ka probleme të tilla.

“Unë kam pranuar dy kërkesa të tilla nga ministrat respektiv të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës dhe asnjëra nga këto kërkesa nuk i janë adresuar Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe si rrjedhojë nuk kam pranuar takime bilaterale në emër të Republikës së Kosovës, pasi kërkesat kanë qenë të adresuara për dikë tjetër, për UNMIK-un."

"Më datë 07 dhjetor 2018 unë u jam përgjigjur të dy ministrave të të dyja vendeve se kërkesat e tilla janë të drejtuara në adresë të gabuar dhe nëse këto kërkesa nuk adresohen në adresën e duhur, d.m.th Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës, atëherë nuk do të fillojë numërimi i ditëve për konsultime, siç e kërkon paragrafi 42 i Marrëveshjes së CEFTA”, theksoi Shala.

Ministri Shala ka sqaruar se më datë 11 dhjetor 2018 ka pranuar kërkesë për konsultime bilaterale nga Bosnja dhe Hercegovina, kërkesë kjo e cila ka qenë e adresuar duke u bazuar në marrëveshjet e arritura në Bruksel në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Si rrjedhojë, me datë 24.01.2019 unë kam autorizuar një delegacion të MTI-së që të udhëtojë në Bosnje dhe Hercegovinë për të përmbushur kërkesën e përmendur më lartë në përputhje me nenin 42 paragrafit 2 të CEFTA. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka pranuar asnjëherë asnjë kërkesë zyrtare nga Serbia adresuar Republikës së Kosovës apo institucioneve të saj, dhe si rrjedhojë e mungesës së kërkesës nga ana e Serbisë drejtuar institucioneve të saj, neni 42 paragrafi 2 i marrëveshjes së CEFTA-së nuk mund të zbatohet”, theksoi Shala.

Ministri Shala përmend faktin se dërgimi i Kosovës në Arbitrazh pas vendosjes së takësës nuk ka bazë ligjore.

“Duke u bazuar në faktet e përmendura më lartë dhe duke marrë shkas nga raportimet e mediave sot se Kryeministrja e Serbisë paralajmëron dërgimin e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit për vendosjen e masës 100%, qëndrimi zyrtar i MTI është se ky veprim nuk mund të bëhet nga ana e Serbisë pasi që nuk është përmbushur neni 42 paragrafi 2 i marrëveshjes së CEFTA-së."

"Njëkohësisht me një veprim të tillë, ku Serbia do të tentonte ta dërgoj Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit do të nënkuptonte se në një mënyrë Serbia do ta njihte Republikën e Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës përkatësisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk e konsideron problematike të ketë konsultime bilaterale, në nivel të barabartë si dy shtete anëtare të CEFTA, nëse kërkesa do të bëhej në mënyrë të duhur nga Serbia”, tha ministri Shala.





 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 shkurt 2020

- Shoqata e Kirurgëve Plastik, Rekonstruktiv dhe Estetik të Kosovës, ka organizuar për herë të parë Simpoziumin dhe Workshop-in mbi trajtimin e plagëve. (Hotel Emerald, ora 8:00)

- Klubi i Prodhuesve të Kosovës për të dytën herë me radhë po organizon Konventën e Prodhuesve të Kosovës. (Hotel Emerald, ora 9:00)

- Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, vjen për vizitë zyrtare në Prishtinë, ku do të pritet nga homologu i tij, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca. (Ndërtesa e MPJ-së, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën ku do të publikohet raporti “Rruga e Dukagjinit, Autostradë apo Zgjerim i Rrugës Ekzistuese”, të përgatitur nga KDI. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa e Komunës së Mitrovicës. (Objekti i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, ora 10:00)

- Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” organizon hapjen e ekspozitës “Kujtesa e Kosovës: Jeta nën qiell e najlon”, pamjet e jetës së shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. (Holli i Bibliotekës, ora 11:00)

- Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, takohet me ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, me bashkëpunëtorë. (Kabineti i kryetares së Kuvendit, ora 12:00 - vetëm pamje)

- Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut organizon një protestë para zyrës së avokatit Tomë Gashi, për të kundërshtuar sjelljen e tij abuzive që bëri ditë më parë ndaj një lypësari në shesh të Prishtinës. (Para Zyrës së Avokaturës, afër Kino ABC, ora 12:00)

- Agjencia Kosovare e Privatizimit do të mbajë ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes likuidimit nr.54. (Hotel Grand, ora 12:30)

- Kinema “Jusuf Gërvalla”, në Pejë shfaq filmin "Gjumë dhe Dashuri". (Kinema në Pejë, ora 19:00)