29 Mars 2024

Rritet deficiti tregtar i Kosovës për 5.6 për qind, arrin në 258 milionë euro

Prishtinë, 24 maj - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin prill 2019.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 5.6% në muajin prill 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 258.5 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 244.7 milionë Euro në vitin 2018. Eksporti mbulon importin me 12.5%.

Eksporti i mallrave në muajin prill 2019 kishte vlerën 36.9 milionë Euro, ndërsa importi 295.4 milionë Euro, që është një rritje prej 44.7% për eksport dhe 9.3% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 42.8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15.5% e përbëjnë prodhimet minerale; 11.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 3.8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 2.9% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij; 2.7% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.2% e përbëjnë prodhimet minerale; 12.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.6% e përbëjnë mjetet e transportit; 7.4% e përbëjnë prodhimet e industrisë kimike; 6.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.3 milionë Euro, ose rreth 33.4% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 51.9%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Italia (9.6%), Gjermania (5.3%), Holanda (3.9%), Sllovenia (3.8), Britania e Madhe (2.0%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 156.3 milionë Euro, ose 52.9% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 35.4%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.5%), Greqia (7.8%), Italia (5.9%), Sllovenia (3.2%), etj.
Në muajin prill 2019, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 15.6 milionë Euro, ose 42.4% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 13.2%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (16.4%), Maqedonia (10.8%), Serbia (9.7%), Mali i Zi (4.1%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin prill 2018, arritën në 47.7 milionë Euro, ose 16.1% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-34.1%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (8.1%), Maqedonia (7.0%) dhe Serbia (0.2 %).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8.9 milionë Euro, ose 24.2%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport, vlen të përmenden: India (13.6%), Zvicra (6.8%).
 
Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e tjera të botës arritën në 91.4 milionë Euro, ose 30.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12.7%) dhe Kina (7.7%).

Për më shumë informata, lidhur me Statistikat e Tregtisë së Jashtme për muajin prill 2019, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/ekonomi/tregtia-e-jashtme
 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)