04 Gusht 2020

Prodhimet vendore, prioritet i MTI-së

Prishtinë, 15 korrik - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre dhe vështirësitë me të cilat po përballen në këtë kohë pandemie.  

Ministri Krasniqi theksoi në takim se fokus i tij dhe ministrisë që drejton janë prodhimet vendore dhe se mbështetja ndaj prodhuesve nuk do të mungon e sidomos në këto kohë të pandemisë. 

“Pas rishqyrtimit të buxhetit të Kosovës, do të nisë së zbatuari programi për rimëkëmbje ekonomike dhe në këtë formë bizneset do të mbështeten nga Qeveria e Kosovës. Angazhimi në mbrojtje dhe mbështetje të bizneseve është dhe do të mbetet prioritet”, ka deklaruar ministri Krasniqi.  

Ndërkohë kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Milazim Berisha, ka falënderuar ministrin për gatishmërinë e treguar. Berisha ka përmendur edhe konkurrencën jolojale që është prezent në tregun vendës.  

Në fund ministri u zotua se bashkë me inspektorë dhe ekspertë të industrisë së ushqimit do të dal në terrene për të parë nga afër problemet e ngritura  nga prodhuesit e qumështit.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Gusht 2020

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton raportin vjetor të Akademisë së Drejtësisë, Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. (Salla e seancave plenare, ora 9:00)

 

- Riccardo Serri, Ushtrues i Detyrës së Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë do të dorëzojë 30 Ventilatorë të ICU, 200 Pulse Oximeters dhe 20 makina elektrokardiografike Ministrisë së Shëndetësisë në mbështetje të sistemit shëndetësor. (Live stream on facebook.com/EuropeanUnionInKosovo, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Financa e Komunës së Prizrenit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

-  Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e auditimit për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)

- Mbahet takimi konsultativ rreth procesit për përgatitjen e programit të reformave në ekonomi 2021 - 2023. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P 38, ora 13:30)