13 Nëntor 2018

Prodhimet “Made in Kosova” janë pjesë e tregjeve evropiane e botërore

Kaçanik, 12 korrik - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, sot ka vizituar fabrikën “Kivo” në Kaçanik, një investim ky kosovaro-holandez, me mbi 110 të punësuar.

Presidenti Thaçi ka thënë se kjo fabrikë është dëshmia më e mirë se produktet “Made in Kosova”, çdo ditë e më shumë po eksportohen në tregun evropian.

“Unë kam besim se modeli i tillë, çfarë e kemi këtu në “Kivo”, është modeli më i mirë i mundshëm për biznesin privat, për bashkëpunimet vendore dhe ndërkombëtare, për klimën e mirë të biznesit në Republikën e Kosovës, për fuqinë punëtore, atraktivitetin e të investuarit në Kosovë, por edhe dëshmi se pavarësisht prej vështirësive që i kemi si shtet, prodhimet “Made in Kosova” sot janë kudo, janë në Holandë, janë në Gjermani, janë në Francë, janë në shtetet më të rëndësishme evropiane e më gjerë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka theksuar se kjo mundësi e krijuar nga pronarët e fabrikës “Kivo” është një perspektivë e mirë për Kaçanikun dhe një mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës.

“Me të vërtetë është një perspektivë shumë e mirë edhe për Kaçanikun, për njerëzit e Kaçanikut, për krijimin e vendeve të reja të punës, për punësimin e tyre të mëtutjeshëm, për rritjen e mirëqenies sociale të familjeve të tyre, por edhe mundësi tjetër e një ekspertize për zgjerim edhe në hapësirat e tjera të Republikës së Kosovës”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se kjo është një kompani shembull për të tjerët.

“Unë besoj dhe shpresoj se me përvojën dhe ndikimin që kanë pasur pronarët e kësaj kompanie, kanë bërë një diçka jashtëzakonisht të mirë, që në fakt kemi pasur edhe interesime tjera në Komunën e Kaçanikut”, ka thënë kryetari Ilazi.

Pronari i fabrikës “Kivo”, Visar Ramajli, ka thënë se kompania merret me prodhimin e produkteve të ambalazhimit fleksibil.

“Është një bashkëinvestim në mes të investitorëve lokalë dhe atyre holandezë, si dhe ka katër vite që operon dhe suksesshëm eksporton në vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian”, ka thënë Ramajli.

Presidenti Thaçi në fund ka thënë se institucionet e vendit janë përkrahë ndërmarrësve, që për aq sa kanë mundësi, t’ia lehtësojnë angazhimet për hapjen e mundësive të reja për biznes, për vende të punës dhe për mirëqenie më të mirë sociale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 nëntor 2018 - Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi dhe miratimi i pakës së ligjeve për sundim të ligjit dhe agjendën integruese evropiane. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, raporton para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor lidhur me gjendjen e mjedisit në Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Ta Pastrojmë Kosovën do të organizoj aksion pastrimi në Mitrovicë, në lagjen rome, afër stadiumit “Riza Lushta”, përkatësisht  te rruga “Adem Voca”. (Mitrovicë, ora 10:00)

- Misioni i OSBE-së në Kosovë, komuna e Obiliqit përurojnë mekanizmin koordinues kundër dhunës në familje. (Restorant Amazona, ora 10:00)

- Mbahet debati publik me temën “Narkomania dhe alkoholizmi në Kosovë - si të luftohet kundër veseve që po i shkatërrojnë të rinjtë?". (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 11:00)

- Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit mban konferencë për media më temë "Të gjithë bashkë kundër dëmeve që vijnë nga Serbia". (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 11:00)

- Komuna e Gjilanit bëb prezantimin e projektit “Të rinjtë në Agrobiznes - Regjioni Ekonomik Lindor”. (Shtëpia e Rinisë, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane në të cilën do të behët shqyrtimi Projekt-kodit Penal nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, shqyrtimi i Projektligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së dhe shqyrtimi i Projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Oborri i Postës dhe Telekomit të Kosovës, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)