20 Gusht 2019

Parku i Biznesit në Drenas do të rritet edhe për 30 hektar

Drenas, 23 korrik - Zëvendësministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi, ka thënë se Parku i Biznesit në Drenas do të rritet edhe për 30 hektar, duke krijuar kushte sa më të mira për bizneset vendore dhe të huaja.

Krasniqi tha se duke pasur parasysh kërkesën e shtuar nga bizneset vendore dhe të huaja, MTI ka iniciuar zgjerimin e parkut të biznesit.

Krasniqi, në Seminarin e Biznesit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Zonës Industriale të Re në Drenas, bëri të ditur se  gjatë këtij mandati MTI ka vendosur krijimin e kushteve për t’iu ofruar bizneseve infrastrukturë moderne që iu mundësojnë bizneseve operim më të lehtë dhe hapje të vendeve të reja të punës.

 “Zonat ekonomike shërbejnë për qasje më të lehtë në autostradë, në ujë, rrymë e infrastrukturë përcjellje. Kemi shpallur 9 zona, dhe parku i Biznesit në Drenas, pjesa e dytë MTI ka filluar projektin për ndërtimin dhe është një projekt 30 hektar, dhe të gjitha investimet janë nga MTI”, tha Krasniqi.

“MTI-ja bashkë me MMPH dhe Ministrinë e Financave ka incizuar dhe kompletuar për shpronësimin e zonës ekomomike në Drenas, kjo zonë përfshinë sipërfaqen prej 61 hektarë dhe më vonë është zvogëluar ku do ndërtohet Stadiumi Kombëtar, dhe tani kjo zonë pritet të ketë rreth 30 hektar. Projekti parasheh investime kapitale dhe ndërtimin e qendrës për trajnime profesionale”, tha Krasniqi.

Zëvendësministrja theksoi se me kompletimin e zonave ekonomike, Kosova po krijon kushte për investitorët e huaj dhe vendor, që njëkohësisht ua ulë koston për shkak të qeras së vogël që kanë këto zona.

“Po ashtu së shpejti fillon ndërtimi i zonës ekonomike në Malishevë, që është e dedikuar veçanërisht për bizneset e diasporës, gjë që për herë të parë po iu ofrohen kushte konkrete, që s’ka ndodhë më herët”, tha Krasniqi.

Ajo bëri të ditur se edhe në Skenderaj do të fillon së shpejti ndërtimi i inkubatorit të bizneseve dhe do të ketë edhe investime të tjera.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)