23 Prill 2024

OEAK dhe USAID, arbitrazh për të përmirësuar investimet e huaja

Prishtinë, 14 korrik -  Në përpjekje për të përmirësuar mjedisin afarist për më shumë investime të huaja, Oda  Ekonomike Amerikane në Kosovë (AmCham) dhe programi i USAID-it ‘Sistemi për përmbarimin e marrëveshjeve dhe vendimeve (SEAD), sot kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për krijimin e tribunalit të arbitrazhit në AmCham për zgjidhjen e kontesteve komerciale.

Drejtoresha e misionit të USAID-it Patricia Rader ka qenë dëshmitare e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit dhe në fjalimin e saj përgëzoi punën e AmCham-it.  “Pa mekanizma efektiv për arbitrazh në Kosovë”, tërhoqi vëmendjen znj. Rader, “investitorët e huaj do të kërkojnë shtetet tjera ku ekziston një sistem më efikas për zgjidhjen e kontesteve komerciale”.

Ceremonia e nënshkrimit të memorandumit nga ana e Drejtorit ekzekutiv të AmCham-it, Lekë Musa dhe Drejtorit të programit SEAD, David Greer, u organizua në Universitetin Amerikan të Kosovës ku mori pjesë Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përfaqësues nga Ministria e Tregëtisë dhe Industrisë, dhe anëtarët e komunitetit ndërkombëtar afarist.

Ceremonia e nënshkrimit zyrtarisht nisi bashkëpunimin në mes të AmCham-it dhe SEAD-it për të themeluar tribunalin për arbitrazh në AmCham dhe përcaktoi fushat e përkrahjes së tribunalit, duke përfshirë: hartimin e rregullores së punës në pajtim me standardet ndërkombëtare, hartimin e kodit të mirësjelljes profesionale për arbitrat, trajnimin e arbitrave dhe ndërtimin e kapacitetit të AmCham-it për të administruar rastet.

Partneriteti gjithashtu do të përqendrohet në ngritjen e vetëdijes dhe ngritjen e kërkesës për zgjidhje alternative të kontesteve (ZAK) në mesin e bizneseve, në veçanti të bizneseve me partnerë afarist të huaj.

Njëkohësisht SEAD-i do të kryej aktivitete plotësuese për të arsimuar gjykatësit, avokatët dhe studentët e juridikut në lidhje me ZAK-un si pjesë e përpjekjeve të përgjithshme për të ndërtuar një kulturë të kontratave në Kosovë.

Duke theksuar rëndësinë e arbitrazhit komercial në tregtinë ndërkombëtare, znj. Rader tha se Ligji i Kosovës për Arbitrazhin është i bazuar në modelin e ligjit për arbitrazh ndërkombëtar komercial të nxjerrë nga Misioni i Kombeve të Bashkuara për Tregti Ndërkombëtare, një instrument që është i njohur për komunitetin ndërkombëtar afarist dhe shpjegoi se përpjekjet e AmCham-it për të zbatuar Ligjin e Kosovës do t’u ofrojnë bizneseve një alternativë më efikase dhe efektive sesa procedurat gjyqësore”.

Rezultat i kësaj, shpjegoi znj. Rader, është “shkarkimi i shumë i nevojshëm i vëllimit të punës të sistemit gjyqësor pasi që bizneset do të zgjedhin zgjidhjen alternative të kontesteve në vend të procedurës gjyqësore”.

Para ceremonisë së nënshkrimit, Programi SEAD shpalosi vlerësimin e detajuar: Zhvillimi dhe zbatimi i sistemit përkatës dhe efektiv për zgjidhjen alternative të kontesteve në Kosovë. Vlerësimi përfshinte rekomandimet praktike për kornizën legjislative dhe ndërtimin e kapacitetit të institucioneve të Kosovës, përfshirë AmCham-in, për të ofruar zgjidhjen alternative të kontesteve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)