22 Shtator 2021

Nga sot Mërgimtarët mund të Investojnë në Bonot e Diasporës

Prishtinë 21 korrik - Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se nga sot hapet shitja e Bonove të Diasporës, ku do të emetohen Bono me maturitet 3 dhe 5 vjeçar në shumën prej 20 milionë euro.

Me këtë rast, ministria ka ftuar mërgimtarët që të investojnë përmes Bonove të Diasporës, të cilat mundësojnë që kapitali i tyre të mobilizohet për investime strategjike që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Bonot e Diasporës janë letra me vlerë të garantuara nga shteti përmes Ligjit mbi Borxhin Publik, i cili i jep përparësi kthimit të borxhit ndaj të gjitha shpenzimeve tjera të Qeverisë.

Prandaj sipas ministrisë investimi në Bonot e Diasporës mund të konsiderohet si investimi më i sigurt në Republikën e Kosovës.

Bonot e Diasporës emetohen gjatë  periudhës 21 korrik 2021 – 18 gusht 2021. Shuma minimale për blerje te Bonove është 10,000 euro, kurse shuma maksimale për një person në një bankë është 500,000 euro, ashtu që të sa më shumë persona të investojnë.

Afatizimi (maturimi) 3 vjeçar ka normë interesi 1.20%, ndërsa afatizimi 5 vjeçar ka normë interesi 2.20%.

Fitimi nga ky investim është i liruar nga tatimi dhe paguhet çdo 6 muaj deri në përfundim të maturimit.

Për detaje rreth pjesëmarrjes në blerjen e letrave me vlerë, të interesuarit të kontaktojnë ndonjërën nga bankat komerciale, partnere në emetimin e Bonove të Diasporës: Banka Ekonomike, Banka Kombëtare Tregtare, Banka për Biznes, NLB Banka, ProCredit Bank, apo Raiffeisen Bank.

Për informata më të detajuara lidhur me Bonot e Diasporës mund të referoheni këtu: https://mf.rks-gov.net/desk/inc/media/232CFA78-5C60-417C-AEF7-9A4F3482A659.pdf

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Shtator 2021

- Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, raporton në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për menaxhimin e situatës me Covid-19. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Komunën e Prishtinës, Policinë e Kosovës, OJQ-të shënojnë “Ditën Ndërkombëtare pa Makina”. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton formon grupin punues për Projektligjin për Gjykatën Komerciale, shqyrton raportet e Komisioneve të përhershme  për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj,. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla. (Kabineti i kryetarit, ora 10:00)

- Mbahet takimi i 203-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Përmes formës online, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton rekomandimet e dala nga raporti i auditimit të performancës “Parandalimi dhe reagimi i situatave emergjente: Vërshimet”, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Raportin vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raportin vjetor Financiar i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronëssi dhe Raportin vjetor Financiar i Institucionit të Avokatit të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 13:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë bën rishikimin e Planit të punës së Komisionit për sesionin vjeshtor. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim i Politikave dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në bashkëpunim me Programi i Universitetit Columbia për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut organizojnë një konferencë me temë 'Sfidat e Kosovës që vijnë Rusia dhe Kina' me Holden Triplett Agjenti Special i FBI -së dhe Drejtor për Kundërzbulimin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ret. (https://zoom.us/j/98242813908?pwd=cFBiZGdMV3pRTTV3RDJBbTE5UEtVQT09, ora 16:00)