10 Korrik 2020

Në Gjilan hapet panairi “Gratë në Biznes dhe artizanate tradicionale”

Gjilan, 17 korrik - Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka organizuar panairin “Gratë në Biznes dhe artizanate tradicionale”, i cili është hapur sot dhe do të ofroj produkte të ndryshme vendore nga Gjilani dhe rrethina për tri ditë me radhë, ku nga të pranishmit është vlerësuar si mbështetje për komunitetin e grave afariste dhe punën që ato bëjnë në vazhdimësi.

Në fjalën e saj para qytetarëve të pranishëm dhe grave biznesmene ka folur kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Shpresa Kurteshi-Emini, e cila ka falënderuar ministrinë për mbështetjen në organizimin e panairit duke potencuar se ky është një sinjal që Komuna e Gjilanit dhe institucionet qeveritare, po mundohet të fuqizojnë gruan biznesmene.

“Komuna e Gjilanit në vazhdimësi është e angazhuar që të promovoj dhe mbështes bizneset të cilat udhëheqen nga gratë, në mënyrë që ato të jenë të qëndrueshme dhe në zhvillim të vazhdueshëm. Gjithmonë do të jemi afër bizneseve në përgjithësi, e në veçanti afër bizneseve të cilat janë të themeluara nga gratë dhe që udhëhiqen nga ato”, ka thënë kryesuesja Kurteshi-Emini.

Kurse nga ana e saj zëvendësministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Arbresha Krasniqi, ka thënë se ministria është e përkushtuar që të fuqizoj ndërmarrjet e vogëla dhe të mesme, sepse vetëm kështu sipas saj ndikohet në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit në sektorin privat.

“Ministria është e përkushtuar në zhvillimin e bizneseve të vogëla dhe të mesme, për të ndikuar në zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë, por edhe në ngritjen e numrit të të punësuarve në këtë sektor. Është punë shumë e mundimshme për gratë në biznes dhe kërkon shumë mund dhe energji, por aty ku është gruaja, sigurisht nuk do të mungon edhe suksesi”, ka thënë ajo në fjalën e saj në hapje të panairit.

Për ndryshe, Komuna e Gjilanit në vazhdimësi në bazë të programit për zhvillim ekonomik lokal, ka marrë masa të krijimit të lehtësirave për sektorin privat dhe në rrafshin e organizimit të panaireve për sketorin privat, Gjilanit në mënyrë të vazhdueshme organizon panairin e produkteve bujqësore, prodhimeve vendore, pastaj panairin regjional, panairin ndërshtetror, ku përpos prodhuesve nga e gjithë Kosova kanë marrë pjesë edhe prodhuesit nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia dhe shtete të tjera.

Kalendari

Ngjarjet e datës 10 Korrik 2020

- Shoqata e Radio Taxive “Pasagjeri” organizon protestë për shkak të mosplotësimit të kërkesave nga Komuna e Prishtinës. (Nisj nga rrethrrotullimi “Te Fontana” në Ulpianë, ora 10:00)

- Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik do të bëjë hapjen e Qendrës Artizanale në Prizren, ku do të mbahen pesë kurse të ndryshme si: Djegie ne Dru, Reliev në letër, Rrobaqepje, Punim të Shajakut si dhe Dizajnimi i Veshjeve Moderne. (ish objektin e Megasportit në qendër të Prizrenit, ora 11:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi do të vizitojë Komunën e Gjakovës ku do të takohet me Kryetarin e Komunës së Gjakovës Ardian Gjini. (Komuna e Gjakovës, ora 11:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 11:00)

- Banorët e lagjes “Qendra” protestojnë, të pakënaqur me parkingjet dhe shërbimet komunale. (Rr.“Rexhep Luci”, ora 11:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini vizitojnë Ndërmarrjen publike ‘’KRU Gjakova’’. (Gjakovë, ora 11:30)

- Komitetit Emergjent të Gjilanit mban konferencë për media pas 27 rasteve të reja pozitive me COVID-19. (Qendra Operative Emergjente, Qendra e Studentëve, ora 11:30)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini vizitojnë Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura projekt që është duke u realizuar në Komunën e Gjakovës. (Gjakovë, ora 11:50)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi mban konferencë për media. (Ministria Drejtësisë, salla 914, ora 12:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini vizitojnë ndërmarrjen publike Ngrohtorja e Qytetit – ndërtimi i Ngrohtores së re të qytetit Impianti I koogjenerimit me biomasë, projekt që është duke u realizuar në Komunën e Gjakovës. (Gjakovë, ora 12:20)

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën raporton Kryeministri lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19. (Salla e Kuvendit, ora 16:00)