18 Shtator 2019

MTI lanson projektin “RAPEX Kosova"

Prishtinë, 10 maj - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala vëri në funksion ueb-faqen për raportimin e produkteve të rrezikshme “RAPEX Kosova”. Shala tha se është i kënaqur për nisjen e këtij projekti, i cili sistem mundëson njoftimin e shpejtë përmes ueb-faqes për produktet që paraqesin rrezik serioz për konsumatorët e Republikës së Kosovës.

“Për ne prioritet mbi prioritete është mbrojtja e konsumatorit dhe nga sot, me lansimin e kësaj faqeje, konsumatori ynë do të jetë më i mbrojtur, më i sigurt, në konsumimin e produkteve që tregtohen në vendin tonë. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë vazhdon të jetë e përkushtuar dhe këmbëngulëse në realizimin e  misionit të saj, kontrollin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit”, tha ministri Shala.

Shala bëri të ditur se qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, gjatë vitit 2018 MTI ka tërhequr nga tregu  produkte të pasigurta në sasi prej 16.213.00 copë. Prej tyre Lodra për Fëmijë ( në sasi  prej 15.077 copë) dhe Pajisje Elektrike (në sasi prej 1.135 copë).

“Gjithashtu gjatë këtij viti Qeveria e Republikës së Kosovës në pajtim me obligimet ligjore që dalin nga Ligji për Kërkesat Teknike dhe Vlerësim të Konformitetit, ka themeluar Trupin Koordinues për Mbikëqyrjen e Tregut , e cila trup do të koordinoj aktivitetet për mbikëqyrjen e tregut me qëllim që produktet e vendosura në tregun e Republikës së Kosovës të jenë të sigurta për konsumatorët”, tha ministri.

Ministri Shala tha se kjo faqe e internetit, do të ndihmojë për t’iu siguruar se publiku është i njoftuar për ekzistencën, përgjegjësit dhe identitetin e secilit autoritet kombëtar për mbikëqyrjen e tregut dhe se si mund të kontaktohet secili autoritet.

“Dhe si rrjedhojë e kësaj Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me projektin e financuar nga BE “Lëvizja e Lirë e Mallrave”,  i ka hedhur hapat e saj në krijimin e sistemit “RAPEX KOSOVA”, i cili sistem është në pajtim me praktikat më të mira të mbikëqyrjes së tregut, në këtë mënyrë zbatojmë një pjesë të MSA-së dhe përgatitemi për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në BE”, tha ai. 

Ndërsa kryeinspektori dhe, kryetar i Trupit Koordinues për Mbikëqyrjen e Tregut, Lulzim Syla tha se qëllimi i uebfaqes është tu ofrohet siguri konsumatorëve.

“Përmes kësaj ueb faqeje synohet të ofrohet informacion publikut për autoritetet inspektuese që monitorojnë sigurinë e produkteve në treg dhe veçanërisht për raportimin e produkteve të rrezikshme jo-ushqimore që gjenden në tregun e Kosovës”, tha Syla.

Shefi për bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa, tha se mbrojtja e konsumatorëve duhet të jetë detyrë parësore e institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar edhe nga konsumatorët që t’i kushtojnë rëndësi asaj që konsumojnë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 shtator 2019

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti viziton Xhaminë e Çarshisë në Prishtinë. (Xhamia e Çarshisë në Prishtinë, ora 9:10)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, do të vizitojë Komunën e Kaçanikut ku do të takoj kryetarin e kësaj komune, Besim Ilazin, për të diskutuar rreth përgaditjes së Garës Nacionale të Sportit. (Objekti i komunës, ora 9:30)

- Specialistët stomatologë të papunë do të protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë. (Para Ministrisë së Shëndetësisë, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit ndërmjet qytetarëve dhe kandidatëve për deputetë nga subjektet politike lidhur me temën “Qasja e subjekteve politike rreth çështjes së gjinekologut në nivel komunal”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti viziton Kalanë e Artanës. (Kalaja e Artanës, ora 10:30)

- Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala, mbanë konferencë për media, ku do të lansojë Fondin për Mbështetjen e Ndërmarrjeve Mikro të Vogla dhe të Mesme në vlerë prej 4 milionë euro. (ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme, kati i 3-të,  përballë New Born-it, ora 10:30)

- Oda e Afarzimit të Kosovës në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë në Tiranë dhe Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore organizojnë ngjarjen “Regional B2B Event”. (Holiday Inn në Shkup, 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mirëpret fituesit e medaljeve të Taekwandos. (Kabineti i Ministrit në MKRS, ora 11:00)

- Lëvizja FOL organizon diskutimin e tretë në kuadër të Forumit FOL Hapur me kandidatët për Kryeministër ku i ftuari i radhës do të jetë Nenad Rašić, Kandidat për Kryeministër nga koalicioni Slloboda. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Gjianit, Lutfi Haziri, nënshkruan kontratat me tetë përfituesit e nën-granteve, në kuadër të projektit "Te rinjtë në Agrobiznes- Regjioni Ekonomik Lindje". (Zyra e Kryetarit Haziri, ora 11:00)

- Punëtorët teknik te qendrës studentore do të protestojnë para drejtorisë së qendrës studentore. (Para drejtorisë së qendrës studentore, ora 11:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti viziton Ulpianën. (Ulpianë, ora 11:40)

- Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Zyren e Bashkimint Evropian në Kosovë organizon promovimi i shtegut për çiklistë, si fazë testuese. (Rruga Zagrebi në Prishtinë, ora 12:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti viziton Janjevën. (Janjevë, ora 12:20)

- Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Zyren e Bashkimint Evropian në Kosovë organizon tryezë diskutimi “Ecja, çiklizmi dhe transporti urban”. (Kolegji Tempulli, rr. Eduard Lir 156, ora 14:00)

- Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur bën promovimin e publikimeve dhe organizon panel diskutimin “ Njohja e Kosovës bashkëkohore”. (Swiss Diamond Hotel, ora 14:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KQZ-së, ora 15:30)

- Iniciativa për Histori Gojore organizon lansimin e aplikacionit mobil Prishtina Ecë. (Kafe—librarinë dit’ e nat’, ora 17:00)

- Kandidati i PDK-së për Kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Kadri Veseli, merr pjesë në takimin e organizuar nga Gruaja Demokratike. (Hotel Venus, Magjistralja Prishtinë-Lipjan, ora 17:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! shpalos prioritetet qeverisëse. (Atelja e Sallës së Kuqe, ora 17:00)

- Federata e Piingpongut e Kosoves, organizon ndeshjet e ligës së parë, e ndeshja derbi pritet të jetë ajo ndërmjet Shkollës dhe Hasan Prishtinës. (Prishtinë, ora 18:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti mban tubim më banorë të fshatit Rufc. (Rufc, ora 19:30)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti mban tubim më banor në fshatin Gadime. (Gadime, ora 21:00)