28 Mars 2024

Luhatja e lirë e monedhës kineze dhe ndikimi i saj në ekonomi

Pekin, 11 tetor - Një projektligj që synon të ndëshkojë Kinën për kontrollin e kursit të këmbimit fitoi përkrahje javën e kaluar në Kongresin amerikan, ndërkohë që ligjvënësit thonë se diplomacia ka dështuar në këtë çështje.

Por Pekini këmbëngul se një forcim gradual i valutës së tij do të ishte zgjidhja më e mirë si për ekonominë kineze ashtu edhe për mbarë botën. Cili mund të jetë ndikimi i ngritjes së vlerës së juanit.

Kryeministri kinez Uen Gjiabao ka deklaruar se rritja e vlerës së juanit për 20 deri në 40 përqind do të detyronte eksportuesit kinezë të ndërpresin veprimtarinë. Pjesërisht për këtë arsye, tha ai, Pekini nuk ka treguar vullnet për kompromis përballë trysnisë amerikane për të lejuar forcimin e shpejtë të valutës së vet.

Juani është ngritur për 2 përqind nga qershori, kur Pekini i dha fund kursit fiks të këmbimit që bazohej në dollarin amerikan. Por disa ekonomistë ndërkombëtarë thonë se valuta kineze është e nënvleftësuar deri në 30 përqind.

Shtetet e Bashkuara thonë se 2 përqind nuk mjaftojnë për shkak se valuta e nënvleftësuar i bën eksportet kineze padrejtësisht të lira dhe kontribuon në thellimin e deficitin tregtar amerikan.

Ky problem është acaruar ndër vite, megjithë thirrjet e Shteteve të Bashkaura dhe vendeve të tjera për një juan më të fortë. Ditët e fundit, Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara miratoi një projektligj që do të mund t’u hapte rrugën tarifave ndëshkimore ndaj mallrave nga Kina – e dyta ndër partnerët tregtarë të Amerikës.

Tani po debatohet rreth ndikimit që do të kishte në ekonominë kineze ngritja e shpejtë e vlerës së juanit.

Li Xhong-ua, kryekonomist i Bankës Aziatike për Zhvillim, thotë se me rënien e eksporteve, mund të shktaktohet papunësi.

“Çështja me rëndësi është se si mundet që industria eksportuese vazhdimisht të nxjerrë fitime dhe të hapë vende pune. Në rastin e Kinës, të gjithë e kemi të qartë se sektori i eksporteve luan rol madhor në hapjen e vendeve të punës, sidomos për të rinjtë, andaj ka nevojë të vazhdojë të veprojë.”

Sipas shumë vlerësimeve, ekonomia e Kinës duhet të rritet të paktën në masën 8 përqind në vit, për të qenë në gjendje që të hapë vende pune për miliona punëtorë të rinj. Për 30 vjet, Kina ka bërë të mundshme rritjen e saj duke zgjeruar në mënyrë agresive eksportet e mallrave të konsumit.

Një studim i bankës qendrore amerikane konstatoi vitin e kaluar se nëse juanit do t’i ishte rritur vlera për 10 përqind në vit që nga mesi i vitit 2005, eksportet kineze do të ishin 30 përqind më të vogla sot.

Nga ana tjetër, një juan më i fortë lejon Kinën të paguajë më pak për lëndë të para të importuara, siç janë nafta dhe gazi, mineralet, si dhe pjesët që prodhohen në vende të tjera dhe përdoren në mallrat elektronike që eksportohen. Kjo mund të jetë në të mirë si të konsumatorëve, ashtu edhe prodhuesve kinezë.

Uilliam Klajn është ekonomist pranë Institutit për Ekonomi Ndërkombëtare “Pitërson” në Uashington. Ai thotë se analiza e tij tregon se rritja më e shpejtë e vlerës së juanit do të reduktonte dukshëm suficitin tregtar të Kinës apo dallimin mes sasisë që eksporton dhe sasisë që importon nga partnerët tregtarë.

“Mund të them se nëse valuta kineze do të rritej 10 përqind, suficiti tregtare do të zvogëlohej me një shumë prej 170 miliardë dollarë, duke rënë në 250 miliardë. Kjo do të pakonte deficitin amerikan nga 20 në 60 miliardë dollarë.”

Por disa ekonomistë thonë se ka elemente të tjera të rritjes ekonomike që do të mund të kompensonin ngadalësimin e eksporteve. Vitin e kaluar, rënia e eksporteve shkaktoi rritjen e prodhimit të brendshëm bruto të Kinës. Por investimet përbënin 92 përqind të rritjes së këtij prodhimi dhe komsumi vendas më se 50 përqind. Më 2009, ekonomia sërish u zgjerua për 8,7 përqind.

Stivën Shvarc është ekonomist në një bankë në Hong Kong.

“Ngritja e vlerës së valutës është vetëm një nga elementet e planit për ribalancimin e ekonomisë kineze. Kjo pasqyrohet ngadalë në statistika: Kina po përqendrohet më pak në rritje të mbështetur në eksport dhe po dalin në plan të parë investimet dhe konsumatori vendas. Ndërkohë, kjo do t’u ndihmojë eksporteve të Shteteve të Bashkuara.”

Disa grupe amerikane të biznesit paralajmërojnë se ligji për të ndëshkuar Kinën vetëm sa do të dëmtonte lidhjet tregtare dhe do të mbyllte vende pune në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, analistët politikë në Amerikë thonë se projektligji i Dhomës së Përfaqësuesve nuk ka gjasë të miratohet në Senat, ku pritet të shqyrtohet nga fundi i vitit. Por një raport i Departamentit të Thesarit, që do të botohet më vonë gjatë këtij muaji, mund ta rizgjojë këtë çështje, nëse e cilëson Kinën si “manipuluese të valutës”.

Zoti Li nga Banka Aziatike për Zhvillim thotë se ndërsa Kina vazhdon të rritet me shpejtësi, mundësitë për juanin janë që vetëm të rritet.

Nëse vlera e juanit mbahet e ulët, shpjegojnë ekonomistët, atëherë do të ketë inflacion në Kinë, gjë që do t’i bëjë mallrat vendore më pak konkurruese.

Por zoti Li thotë se edhe nëse Kina lejon rritje më të shpejtë të vlerës së juanit, nuk ka garanci për korrigjim të menjëhershëm të mungesës së baraspeshës në tregtinë botërore.

Ai vë në dukje se edhe pas rritjes së vlerës së jenit më 1985, Japonia vazhdoi të gëzonte suficit tregtar me Shtetet e Bashkaura – siç është rasti edhe sot. Që atëherë, jenit i është dyfishuar vlera kundrejt dollarit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)