24 Mars 2019

Kufiri me Serbinë jashtë kontrolli, vërshon kontrabanda në tregun kosovar

Prishtinë, 22 shkurt - Edhe pse kanë kaluar tre muaj prej se është vendosur taksa ndaj produkteve serbe, marketet në Kosove janë të mbushura me këto produkte.

Nga përfaqësuesit e bizneseve, deputetët e opozitës dhe analistët e ekonomisë, po ka dyshime të mëdha se mallrat serbe po kontrabandohen nga biznesmenët mafiozë, të cilët po e shfrytëzojnë taksën për të kontrabanduar mallra me çmime më të lira dhe më pas po të njëjtat mallra po u shiten kosovarëve të varfër me çmime të rritura.

Edhe pse pas tre muajsh marketet janë të stërmbushura me mallra serbe, ndërkaq sipas Doganës është zvogëluar dukshëm zhdoganimi i mallrave nga Serbia.

Siç dihet, vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina është në fuqi që nga 21 nëntori i vitit të kaluar. Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, e cila vazhdon të mbetet në fuqi.

Pas vendosjes së taksës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës kishte lëshuar një udhëzim administrativ, i cili obligon të gjitha subjektet afariste në Kosovë, vendosjen e flamujve nëpër dyqane, për të treguar vendin e origjinës së produkteve që i kanë në shitje. Dyshohet se mallrat nga atje në tregun e Kosovës po hyjnë në forma alternative apo përmes kontrabandës. Por, zyrtarë të Doganave të Kosovës e mohojnë një gjë të tillë, duke njoftuar se, para vendosjes së taksës në ditë ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milionë euro, tani, dhe sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, mesatarisht eksporton mallra në vlerë prej rreth 8 mijë euro.

Dhjetëra raste kontrabande

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se pas vendosjes së taksës 100 për qind për produktet me origjinë, ka pasur disa raste të tentimit të kontrabandës, por që si të tilla janë ndaluar nga zyrtarët doganorë. Kurse gjatë këtyre tre muajve nuk ka pasur rritje të kontrabandës as në veri të vendit dhe as në pjesët tjera të Kosovës.

“Në rajonin e Mitrovicës, brenda janarit të këtij viti, janë evidentuar 8 raste të tentim-kontrabandës me mallra të ndryshme. Dhe, nëse merret një krahasim në mes të kundërvajtjeve të muajit janar 2018 dhe kundërvajtjeve të janarit të vitit 2019, ne vërejmë se ky numër nuk ka lëvizje. Nëse në janar të vitit 2018 kemi pasur 69 kundërvajtje apo tentime për të kontrabanduar mallra, derisa në vitin 2019 kemi 67, që tregon se nuk kemi vërejtur rritje. Stavileci shton se pas vendosjes së taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, Dogana e Kosovës ka marrë të gjitha masat që të parandalojë rastet e kontrabandës”, u shpreh Stavileci.

Abuzimi tregtar

Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se nuk e ka asnjë dyshim se mallrat serbe po kontrabandohen nga biznesmenët mafiozë, të cilët po shfrytëzojnë taksën për të kontrabanduar mallra me çmime më të lira dhe më pas po të njëjtat mallra po u shiten kosovarëve të varfër me çmime të rritura.

“Së këndejmi, kjo edhe është arsyeja se përse edhe pas tre muajsh marketet në Kosovë janë të stërmbushura me mallra serbe dhe po hyjnë në forma alternative apo përmes kontrabandës”. Sipas Salihut”, e tërë kjo kontrabandë bëhet para zyrtarëve të doganave dhe Policisë së Kosovës, përmes rrugëve alternative në veriun e Kosovës që kontrollohet shumë pak nga Qeveria e Kosovës. Këtë po e bëjnë bizneset e afërta me krerët e politikës dhe shtetit”, u shpreh ai.

Shifra alarmante

Deputeti i koalicionit qeverisës në Kuvendin e Kosovës, Enver Hoti, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se e kemi këtë situatë me vërshim të mallrave serbe në tregun tonë, ngase që nga vendosja e taksës për produktet serbe kemi një rritje të madhe të shkalles së kontrabandës dhe informalitetit. “Sipas meje, tashmë ka arritur ë shkallë 50 për qind. Edhe vetë Qeveria e Kosovës e ka pranuar se në Kosovë ka informalitet në shkallën 30 për qind, kurse pas taksë kontrabanda dhe informaliteti kanë shënuar rritje”, vlerësoi Hoti.

 Hulumtimi i AKB-së, me rezultate tronditëse

Në lidhje me çështjen ka folur Agim Shahini, lideri i AKB-së (Aleancës Kosovare e Biznesit), i cili për gazetën “Kosova Sot” thotë se që nga vendosja e taksës 100 për qind AKB-ja ka bërë monitorimin e tregut në Kosovë dhe me këtë inspektim ka konstatuar se në tregun e Kosovës ka mjaftueshëm produkte të Serbisë, që sipas AKB-së janë futur në mënyrë të kontrabanduar.

“Sipas një hulumtimi që jemi duke e bërë, një numër i këtyre produkteve serbe që janë në tregun e Kosovës kanë qenë në stoqe dhe një pjesë tjetër është kontrabandë. Nuk mund të dimë saktë sa është kontrabanda në këtë kohë, por mund të themi se ka pasur rritje”, potencoi ai.

“E them lirshëm se po qe se kontrabanda dhe ekonomia joformale kanë qenë 30 për qind, tani mund të themi se janë rritur 40 për qind. Produktet serbe janë duke u futur në forma ilegale nëpër pika të ndryshme jodoganore, e që Doganat e Kosovës dhe policia nuk mund t’i kontrollojnë të gjitha ato vendkalime, e për këtë e dinë edhe institucionet e shtetit, por bëhen sikur nuk e shohin”, shpjegoi më tutje Shahini.

“Do ta kemi këtë situatë derisa institucionet e vendit nuk mund të kontrollojnë tërë brezin kufitar me Serbinë, në tregun e Kosovës do të ketë mallra serbe në vend, që janë të kontrabanduara”, ka vlerësuar ai.

Edhe vetë zyrtarët shtetërorë po e shmangin taksën

Analisti Dardan Grapci për gazetën “Kosova Sot” thotë se taksa ndaj produkteve serbe është vendosur me të drejtë, por kryeministri Haradinaj ka harruar që njerëzit të uritur për pasuri do të gjejnë alternativa tjera për t’i futur mallrat serbe në Kosovë, që ato të shiten tek qytetarët.

“Ajo çka është më e keqja e këtyre produkteve serbe është se ato po prodhohen ndryshe sesa ato që po shiten në Serbi. Kur them ndryshe, e kam fjalën që prodhohen në linja të ndara, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të helmohen, për shkak se duke e ditur që gjithmonë na kanë urryer dhe gjithmonë do të na urrejnë”, u shpreh ai.

“Biznesmenët mafiozë duhet që urgjentisht ta ndalin këtë skandal, mos të kontrabandojnë mallra serbe në Kosovë, por nëse dëshirojnë që doemos të fitojnë para, atëherë më mirë le të bëjnë biznes me disa kompani nga shtetet evropiane dhe joballkanike”, vijoi më tej Grapci.

Eksperti i fushës së financave, Xhevat Meha, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se taksa është kompleksive, sepse është një masë politike. “Efikasiteti i këtij veprimi politik varet se sa po zbatohet me korrektësi kjo taksë dhe si i tillë unë nuk pres se do të zbatohet me korrektësi nga organet tona.

Kjo nga arsyeja e thjeshtë, ngase ambienti në Kosovë është me korrupsion dhe me kontrabandë të lartë dhe me hajni masive të parasë publike. Kjo praktikë është zbatuar edhe më parë, kur ka pasur sanksione”, vlerësoi ai.

“Që ka thyerje të kësaj takse e ka konfirmuar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, që ka deklaruar botërisht se në këtë kontrabandë janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë të institucioneve politike e shtetërore dhe të qeverisë. Andaj, kjo deklaratë nuk  duhet të nënçmohet nga institucionet tona që e kanë heshtur deklaratën e Milaim Zekës.

Jam shumë i bindur se thyerja e kësaj takse ndëshkuese ndaj Serbisë është shumë e madhe dhe kjo po bëhet me bekimin e krerëve të pushtetit, që është në kontroll të plotë të tyre, pra të Doganave dhe Policisë së shtetit, që po i mbyllin sytë para kontrabandës që po bëhet tash në veriun e Kosovës nëpër rrugët dytësore”, potencoi Meha.

Sipas tij, deputeti Milaim Zeka publikisht ka deklaruar se një zyrtar i lartë i Qeverisë  është i përshirë në kontrabandë, por Meha është i bindur se nuk është vetëm një zyrtar, por janë shumë zyrtarë të tillë të lartë shtetërorë që bëjnë kontrabandë.

(Kosova Sot)

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 mars 2019

- Kryeministri Ramush Haradinaj në kuadër të manifestimit qendror “Epopeja e Dukagjinit”, bënë homazhe në Kompleksin Memorial në Gllogjan. (Gllogjan, ora 10:00)

- Në 20 vjetorin e rënies së atdhetarëve Prof. Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, Kryesia e LDK-së bashkë me Kryetarin e Degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi dhe struktura të degës, bëjnë homazhe te varri i Prof. Latif Berisha. (Fshati Smrekonic, ora 11:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në manifestimin shtetëror “Epopeja e UÇK-së në Dukagjin”. (Gllogjan, ora 12:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në tubimin qendror në përkujtim të Betejës së Gllogjanit dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri. (Gllogjan, ora 12:00)