23 Prill 2024

Kosova nuk është e vetme në rritjen e çmimeve

Prishtinë, 30 qershor - Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka thënë së është evidente se ka rritje të çmimeve në përgjithësi, e posaçërisht të atyre për produktet e konsumit.

"Ligji themelor ekonomik i ofertës dhe kërkesës luan rol kur bëhet fjalë për çmimet ndërkombëtare. Ukraina ka eksportuar grurë dhe vaj luledielli në botë. Lufta në Ukrainë, pas sulmit rus atje, ka shkaktuar uljen e furnizimit, gjersa sanksionet ekonomike e ndalojnë Rusinë të shesë produkte të naftës në Evropë, ka thënë Kurti.

Kjo ulje e ofertës, krahas edhe rritjes së kërkesës pas daljes nga pandemia COVID-19, natyrshëm sipas tij ka ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës dhe të produkteve tjera esenciale.

Ai ka shtuar me tutje se Kosova nuk është e vetme në këtë situatë të rritjes së çmimeve. Çmimet janë rritur globalisht, edhe për shkak të kufizimeve në zinxhirin e  furnizimit.

Pra sipas tij kryesisht kemi të bëjmë me inflacion të importuar, mbi të cilin ne si qeveri nuk është se kemi ndonjë mënyrë kontrolli apo ndikimi.

"Si qeveri kemi bërë maksimumin, që të sigurohemi se po i marrim masat e nevojshme për t’i arritur 3 qëllime kryesore: E para, të parandalojmë presionet inflacionare të brendshme, për aq sa mundemi; E dyta, të mbështesim ata që kanë më së shumti nevojë, dhe; E treta, të marrim masa kundër tregtarëve spekulantë, që tentojnë të shfrytëzojnë këtë krizë për të trashur fitimet e tyre, ka deklaruar Kurti.

Sa i përket të parës, fillimisht kishim krizën energjetike në kontinentin evropian, e cila i ngriti përtej çdo parashikimi çmimet e importit të energjisë elektrike.

Deri në 500 euro për MWh kishte shkuar çmimi i importit në dimrin e kaluar, dhe fatkeqësisht çmimet e larta po vazhdojnë.

Që të mos transferohet kjo barrë në fatura, kemi vendosur që të subvencionojmë me 100 milionë euro koston e importit, dhe si rezultat nuk kemi pasur rritje të çmimit për asnjë familje që shpenzon më pak se sa 800 kWh në muaj dhe për asnjë biznes.

Duhet ta kemi parasysh që po të rriteshin çmimet e energjisë elektrike për bizneset, vetëm sa do t’u shërbente atyre si arsyetim që t’i rrisin të gjitha çmimet e produkteve apo shërbimeve në emër të rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Përveç kësaj Kurti ka shtuar se që të zvogëlojmë varësinë nga importi për produktet bujqësore, i kemi rritur subvencionet në bujqësi për 70%, dhe për herë të parë subvencionet prekin mbi 50 milionë euro – veç për grurin, niveli i subvencionit është trefishuar.

"Po ashtu, kemi mbështetur bujkun edhe për plehun artificial që të sigurohet rendiment i mirë i të mbjellave, dhe kemi vendosur të subvencionojmë komplet akcizën e naftës, që ka qenë edhe premtim i yni i kahershëm."

"Në kuadër të kësaj, kemi ndarë edhe 10 milionë euro tjera për mbushje të rezervës shtetërore, për të siguruar grurin e mjaftueshëm dhe produktet e tjera, në rast të ndonjë krize të furnizimit. Dhe tani me ardhjen e muajit të të korrave, do të mbushim edhe më tej rezervën shtetërore me grurin e bujqve tanë", ka pohuar ai.

Sa i përket qëllimit të dytë, për të mbështetur ata që kanë më së shumti nevojë, gjatë vitit të kaluar, patëm ndarë 35 milionë euro për të mbështetur pensionistët, secilin me nga 100 euro për muajin nëntor, si dhe patëm dyfishuar pagesën e asistencës sociale për muajt nëntor dhe dhjetor.

Me buxhetin për vitin 2022 kemi ndarë 80 milionë euro për të rritur pensionet bazike, dhe ato për personat me aftësi të kufizuara, 25 milionë euro; për të rritur mbështetjen për familjet në asistencë sociale, 10 milionë; dhe për të mbështetur nënat lehona dhe fëmijët me shtesa, 45 milionë euro.

Përveç kësaj, në muajin prill kemi miratuar edhe një pako të re masash, e cila i prekë 800 mijë persona dhe pothuajse secilën familje. Këtë e kemi bërë duke shpërndarë 40 mijë pako ushqimore përmes shoqatave bamirëse, kemi dyfishuar pagesën për asistencë sociale për muajin prill të këtij viti, dhe kemi mbështetur me ndihmë të njëhershme prej 100 euro pensionistët, studentët, dhe të punësuarit si në sektorin publik, po ashtu edhe ata në sektorin privat. Për shumë prej këtyre qytetarëve, ka qenë hera e parë që ata e kanë ndjerë dorën e shtetit tonë.

Si dhe për qëllimin e tretë, fatkeqësisht, na është dashur që të ballafaqohemi edhe me tregtarë spekulantë, të cilët në kohë krizash si kjo mundohen të abuzojnë me çmime. Ju kujtohet se si vitin e kaluar pati filluar një fushatë e rritjes së çmimeve pa ndonjë bazë, sidomos për produktin e vajit ushqimor. Mirëpo me angazhimin e inspektoratit, ishin ndërmarrë masat e nevojshme që situata të kthehej në normalitet.

Për çmimin e karburanteve kemi marrë vendim për kufizim të marzhës së fitimit, dhe tani çmimet janë stabilizuar. Krahasuar me rajonin, nafta te ne është për 23 cent më lirë se sa në Shqipëri, ndërsa 9 cent më shtrenjtë se sa në Maqedoninë e Veriut. Kurse benzina është 23 cent më lirë sesa në Shqipëri, dhe 2 cent më lirë se sa në Maqedoninë e Veriut.

Gjithashtu Kurti në fund ka shtuar se është emëruar Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili e ka mbështetjen e plotë të qeverisë për të luftuar çfarëdo veprimi që shkon në dëm të konkurrencës apo kurdisje e spekulim të çmimeve në kurriz të qytetarëve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)