25 Qershor 2019

Kosova e Serbia drejt përshkallëzimit të betejës tregtare

Prishtinë, 29 maj - Qeveria e Kosovës është e gatshme që t’u kundërpërgjigjet masave eventuale të paralajmëruara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kundrejt ekonomisë së Kosovës, thonë zyrtarë të institucioneve qendrore në Prishtinë.

Paralajmërimet për masa ekonomike ndaj Kosovës, vijnë nga zyrtarët në Beograd, sipas të cilëve, nëse Kosova nuk e shfuqizon taksën doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, këto dy vende do të kundërpërgjigjen.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala tha për Radion Evropa e Lirë se secili veprim që mund të merret nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kundrejt ekonomisë së Republikës së Kosovës, nuk janë asgjë tjetër, përveç vazhdimit të praktikave që janë duke u zbatuar për 19 vjet nga këto shtete kundrejt Kosovës.

“Të gjitha këto pengesat, burokracitë e ndryshme, pengesat në eksport transit për produktet e Kosovës, mosnjohja e dokumenteve të Kosovës, kanë qenë mostër qysh qe 19 vjet që janë përdorur nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Dhe ky paralajmërim i zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë është vetëm emërim i këtyre masave të cilat qe 19 vjet i ka përdorur Serbia”, thotë Shala.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ditë më parë ka thënë se Serbia ka përgatitur masat, por do t’i përdorë ato që të mos i godasin edhe serbët e Kosovës. Sipas tij, ato masa janë me karakter të kufizuar, por disa prej tyre ‘janë përgatitur dhe do të jenë tepër të fuqishme dhe të mprehta’.

“Nuk do t’i zbatojmë ato deri në përfundimin e takimit në Paris”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar takimit ndërmjet lidershipit të Kosovës dhe Serbisë të cilin e kanë thirrur Franca dhe Gjermania më 1 korrik në Paris.

Janë bërë gjashtë muaj që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Zbatimi i kësaj takse, ka bërë që Marrëveshja për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, e njohur me shkurtesën CEFTA, e nënshkruar në vitin 2006 në Bukuresht, të konsiderohet si ”e vdekur”, për ministrin e Tregtisë në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq.

Ai i ka bërë këto komente të hënën në Sarajevë, ku takoi ministrin e Tregtisë dhe Ekonomisë të Bosnjës, Mirko Sharoviq. Sipas tyre, mënyra aktuale e këmbimit tregtar nuk mund të jetë e qëndrueshme dhe se kjo ndodh si pasojë e taksës që u ka vënë Kosova mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Por, ministri kosovar i Tregtisë, Endrit Shala thotë që nga momenti i nënshkrimit të CEFTA-s e deri tek zbatimi taksës më 21 nëntor të vitit të kaluar për mallrat e këtyre dy shteteve, çdo pengesë që është hasur në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s, Kosova i ka adresuar përmes kanaleve zyrtare të këtij institucioni, por që asnjëherë ky mekanizëm nuk i është përgjigjur kërkesave më të cilat është ballafaquar.

“Duke mos dashur të komentoj deklaratat e zotit Lajiq, unë them se Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina duhet të fillojnë ta respektojnë dhe të njohin Kosovën si shtet nëse dëshirojnë të kemi marrëdhënie të mira tregtare”, thotë Shala.

Rasim Lajiq ka kërkuar nga Komisioni Evropian angazhim më të madh në reformimin urgjent të Marrëveshjes së CEFTA-s.

Në Prishtinë, ndërkaq, ekspertë për çështje ekonomike dhe ish zyrtarë të Qeverisë se Kosovës i kanë bërë thirrje Qeverisë aktuale që të rinegociojë Marrëveshjen për Tregti të Lirë me vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi sipas tyre, që nga nënshkrimi i saj, Kosova nuk është trajtuar e barabartë me vendet anëtare të kësaj marrëveshje.

Skender Krasniqi, kryetar në Odën e Afarizmit të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje ka shkatërruar ekonominë e Kosovës pasi nënshkrimi i saj është bërë pas asnjë kusht për të mbrojtur produktet e Kosovës.

“Ndërkohë vendet e rajonit kanë me qindra produkte esenciale kanë mbrojtur deri në masën 500 për qind. Kështu që kjo marrëveshje ka qenë shkatërruese për bizneset e Kosovës kështu që ka stagnuar zhvillimin e vendit. Kështu qe Oda e Afarizmit në kontinuitet kemi kërkuar që të rinegociohetCefta” tha Krasniqi

Në këtë mekanizëm, përveç Republikës se Kosovës, vendet tjera anëtare të CEFTA-s janë Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Moldavia.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi po kërkojnë nga Prishtina zyrtare që të pezullojë këtë taksë, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, i cili është bllokuar që nga vendosja e taksës pesë muaj më parë.

/Radio Evropa e Lire/

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 qershor 2019 - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli do ta presë në takim ministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ine Eriksen Søreide. (Hapësirat e MPJ-së, ora 8:30)

- The Siracusa International Institute for Criminal Justice and Human Rigths, një Organizatë Joqeveritare italiane organizon Dialogun Strategjik Kombëtar mbi temën e luftës kundër trafikut të paligjshëm. (Hotel Swiss Diamond, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në të cilën do të diskutohet lidhur me kërkesat e Këshillit Kombëtar Shqiptar nga vizita e përbashkët e realizuar në Luginë të Preshevës (Ndërtesa e Kuvendi, salla C 203, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it do të mbajë konferencë për media, në të cilën do publikohet raporti analitik: “Dështimet në rastet e shënjestruara”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, do të vizitojë Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, ku do të bëhet dorëzimi i pajisjeve për klubet e mediave, që është donacion i GIZ-it.  (Shkolla “Pjetër Bogdani”, ora 10:00)

- Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë organizojnë konferencën për media lidhur me Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve. (Sheshi “Ibrahim Rugova” përpara objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ine Eriksen. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:05)

- Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina organizon ceremoninë me rastin e shënimit të ditës më të madhe për qytetarët e Fushë Kosovës, lëshimin në funksion të linjës magjistrale për furnizim 24 h me ujë të pijshëm. (Rr. Hajrullah ZymiFushë Kosovë, ora 10:30)

- Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit organizon aktivitete solemne me rastin e Ditës së Zjarrfikësve të Prizrenit duke filluar me defileun e automjeteve dhe mjeteve zjarrfikëse në unazën e qytetit. (Nisja nga objekti i Shërbimit Zjarrfikës në Prizren, ora 11:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me UNDP do të organizojnë konferencën për media për vazhdimin e kampanjës për legalizimin e armëve. (Objekti qendrorë i MPB-së, salla P-02, ora 11:00)

- Kryetari Shpend Ahmeti takohet me Kryetarin e qytetit të Des Moines, Iowa të SHBA,  Thomas  Cownie. (Ndërtesa e vjetër e Komunës, ora 11:00)

- Drejtoria e Administratës në Komunën e Prizrenit në bashkëpunim me OJQ Nevo Koncepti organizon tryezë diskutimi me temën Trajtimi i Fëmijëve në Raste të Dhunës dhe Abuzimit. (Hotel Centrum, ora 11:00)

- Ministri i arsimit, Shyqiri Bytyqi raporton para Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi lidhur me tekstet e reja shkollore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 12:00)

- Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit bën demonstrimin i ushtrimeve të kërkim-shpëtimit dhe shuarjes së zjarrit në objektin e shkollës fillore “Heronjtë e Lumës” në fshatin Vërmicë. (Vërmicë, ora 12:00)

- Balkan Green Foundation, Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Instituti për Politika Zhvillimore organizojnë tryezën e rrumbullakët "Kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme dhe kost-efektiviteti i tyre,". (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj raporton para Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal lidhur me monopolin në fushën e homologimit të veturave. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim organizon ceremoninë e nënshkrimit të kredisë prej 18 milionë eurosh që BERZH-i i ka dhënë parkut energjetik me erë të Kitkës. (Hotel Sirius, ora 15:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Ekspozitën e Artizanaleve të ndryshme, nga organizata e grave “Orkide”, në Prizren. (Qendra Kulturore “Yunus Emre”, Prizren, ora 18:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në shënimin e Javës Egjiptiane në Gjakovë. (Pallati i Kulturës “Asim Vokshi”, Gjakovë, ora 19:00)

- Shkolla Amerikane e Kosovës organizon Inagurimi i kampusit të ri të Shkollës Amerikane të Kosovës. (Shkolla Amerikane e Kosovës, Shkabaj, Prishtinë, ora 20:00)