29 Mars 2024

Kosova dhe Serbia përplasen në takimin virtual të CEFTA-s

Prishtinë, 16 dhjetor - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka replikuar me sekretaren shtetërore të Serbisë, Olivera Joçiq, e cila në një takim virtual të anëtarëve nënshkrues të CEFTA-s ka kundërshtuar që Kosova të trajtohet si shtet.

Ministri Krasniqi i është kundërvënë duke ia bërë të ditur se Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, e njohur nga shtetet më të fuqishme dhe më të zhvilluara të botës.

“Pak ka rëndësi se a na njeh Serbia. Ne po përpiqemi të kemi raporte të një fqinjësie të mirë. Por duhet ta dini se Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, si e tillë është e njohur nga shtetet më të fuqishme të botës. Prandaj edhe kërkesat e mia si ministër, që Kosova të trajtohet si e tillë, janë legjitime dhe të qëndrueshme”, ka deklaruar ministri Krasniqi.

Ministri Krasniqi edhe në këtë takim ka përsëritur kërkesën që emërtimi UNMIK-Kosovo të hiqet dhe të shkruhet vetëm Republika e Kosovës.

“Kërkesën për heqje të emërtimit UNMIK-Kosova e kam bërë edhe në takimet që kam zhvilluar në Bruksel, në Sekretarinë e CEFTA-s dhe po e përsëris edhe në këtë takim se Kosova është shtet i pavarur dhe si i tillë të trajtohet nga të gjithë anëtarët e CEFTA-s”, u shpreh ministri Krasniqi.
 
Kreu i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, po ashtu ka kërkuar nga të gjithë anëtarët ta respektojnë marrëveshjen e CEFTA-s, me theks të veçantë Serbia e cila po u nxjerr telashe bizneseve dhe mallrave të Kosovës kur kalojnë transit nëpër Serbi.
 
“Deri tashti shenja e konformitetit, sipas marrëveshjes së CEFTA-s (CE), nuk po zbatohet nga shteti i Serbisë, andaj ju paralajmëroj se në zbatim të marrëveshjes do të marrim masa që në shtetin e Kosovës të hyjnë vetëm ato mallra që kanë shenjën e konformitetit CE”, deklaroi në fund ministri Krasniqi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)