23 Prill 2024

Kosova dhe BE diskutojnë për tregtinë, industrinë, doganat dhe tatimin

Prishtinë, 19 qershor - Zhvillimet në tregti, dogana, tatim, industri dhe lëvizje të lirë të mallrave gjatë vitit të kaluar janë diskutuar dje në Prishtinë nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Komisionit Evropian. Ky ishte takimi i tretë i Nënkomitetit, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cili ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2016.

Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova u pajtuan mbi rëndësinë e zbatimit të Agjendës së Reformave Evropiane dhe prioriteteve të Programit të Reformës Ekonomike, si dhe rekomandimeve nga Raportet e Kosovës 2019 të Komisionit dhe Nënkomiteteve të mëparshme për Stabilizim dhe Asociim.

Sa i përket tregtisë, diskutimet u fokusuan në mundësitë e ndryshme për t’iu përgjigjur rritjes së deficitit tregtar të Kosovës. Në kontekst, Kosova vuri në dukje kontributin e tregtisë në shërbime për të kompensuar pjesërisht deficitin tregtar.

Palët vlerësuan pozitivisht rritjen prej 15% të tregtisë dypalëshe me BE, e cila arriti në 1.2 miliardë euro në vitin 2018.

Komisioni gjithashtu përsëriti thirrjen për revokimin e taksës 100% të vendosur për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Komisioni rikujtoi angazhimin e Kosovës në planin shumëvjeçar të veprimit për zhvillimin e Zonës Ekonomike Rajonale (REA) dhe në veçanti theksoi nevojën për të ratifikuar dhe zbatuar Protokollin Shtesë 5 të CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë, miratimin dhe zbatimin e Protokollit Shtesë 6 për tregtinë e shërbimeve, dhe miratimin e mandatit dhe emërimin e ekipit negociues për të negociuar Protokollin Shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Në fund, Komisioni theksoi rëndësinë e përmirësimit të klimës së investimeve, duke u përshtatur më tej me rregulloret dhe praktikat më të mira të BE-së, si dhe duke eliminuar pengesat jo-tarifore.

Përsa i përket doganave dhe tatimit, Komisioni Evropian i kërkoi Kosovës që të tërheqë vendimin mbi akcizat diskriminuese në cigare për të sjellë legjislacionin në përputhje me MSA-në.

Komisioni theksoi rëndësinë e luftimit të mëtejshëm të ekonomisë joformale dhe reformave të vazhdueshme të administratës tatimore, veçanërisht duke shkurtuar kohën për rimbursimin e TVSH-së për bizneset dhe rritjen e borxhit të mbledhur (borxhet tatimore).

Komisioni inkurajoi Kosovën që gradualisht të fillojë përdorimin e një metodologjie bashkëkohore të menaxhimit të rrezikut të pajtueshmërisë, që përfshin fushatat e publicitetit dhe ndërhyrjet e targetuara, duke përfshirë auditimet më të mençura.

Përsa i përket doganave, Kosova u zotua për të ndryshuar Kodin Doganor dhe të Akcizave të Kosovës për ta lidhur atë më tej me legjislacionin dhe praktikat e BE-së. Së fundi, Komisioni inkurajoi Kosovën që të aplikojë për programin Dogana 2020, që synon përmirësimin e mëtejshëm të kapaciteteve doganore dhe ndihmën në shtrirjen e acquis të BE-së.

Sa i përket politikave për industri dhe NVM, Komisioni Evropian rikujtoi nevojën për ristrukturimin e Agjencisë për investime dhe përkrahjen e ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) për t'i mundësuar agjencisë të dizajnojë dhe zbatojë shërbime dhe programe të kujdesit para dhe pas në mbështetje të investimeve dhe sektorit privat.

Komisioni kërkoi përmirësimin e statistikave afariste. Për më tepër, inkurajoi nxitjen e konkurrencës dhe zhvillimin e plotë të potencialit të eksportit të bizneseve të Kosovës, për të marrë përfitimet e plota nga MSA-ja.

KE përshëndeti ratifikimin e programit evropian COSME dhe bëri thirrje për veprime të menjëhershme që mundësojnë pjesëmarrjen në Rrjetin e Ndërmarrjeve Evropiane, si dhe në Erasmus për Sipërmarrësit e Rinj.

Kosova u zotua të ndërmarrë hapa drejt hartimit të një strategjie të specializimit të zgjuar me qëllim të rritjes së koherencës së hulumtimit dhe inovacionit, arsimit dhe trajnimit, në fushat e industrisë dhe ndërmarrjeve. 

Së fundmi, sa i përket lëvizjes së lirë të mallrave, Kosova u zotua të rrisë kapacitetin e institucioneve dhe të përafrojë më tej me acquis të BE-së legjislacionin që përmirëson infrastrukturën e cilësisë në fushat e standardizimit, akreditimit, vlerësimit të konformitetit, metrologjisë dhe mbikëqyrjes së tregut. Komisioni Evropian i bëri thirrje Kosovës që të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të rregulloreve përkatëse anembanë Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)