19 Gusht 2019

Kina i kundërpërgjigjet SHBA-ve me tarifa të reja hakmarrëse

Pekin, 13 maj - Kina tha se do të kundërpërgjigjet me tarifa të reja hakmarrëse mbi 60 miliardë importe amerikane, disa ditë pasi administrata Trump tha se do të vendoste tarifa më të larta në 200 miliardë dollarë mallra kineze të premten duke thelluar mosmarrëveshjen tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Larry Kudlow, pranoi se tarifat amerikane mbi mallrat kineze do të paguhen nga importuesit amerikanë, në ndryshim me pretendimet e presidentit Donald Trump se Kina do të paguajë taksat e imponuara nga Shtetet e Bashkuara.

Kina tha se do të vendosë tarifa mbi 60 miliardë dollarë importe nga Shtetet e Bashkuara, si hakmarrje pasi Presidenti Donald Trump ngriti tarifat mbi 200 miliardë dollarë për mallra kineze dhe vendosi të shtojë detyrimet doganore për 300 miliardë dollarë eksporte të tjera kineze.

Tarifat e fundit të Kinës do të hyjnë në fuqi më 1 qershor, duke shtuar deri në 25% koston e mallrave amerikane.

"Shtetet e Bashkuara ngritën tarifat për importet kineze dhe Kina nuk mund të mos marrë masa reciproke," tha Geng Shuang, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjatë një konference të rregullt për shtyp në Pekin.

"Ne nuk lëkundemi kurrë ndaj presionit të jashtëm", tha ai.

Bisedimet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës përfunduan pa asnjë marrëveshje të premten në Uashington, pasi Presidenti Trump i ngriti tarifat 25 përqind ndaj importeve kineze me vlerën e më shumë se 200 miliardë dollarëve.

"Jam nga ata që mendoj se tarifat për vendin tone janë shumë të mëdha. Ne jemi si arka e kursimeve ku secili mund të vjedhë, përfshirë Kinën", tha presidenti Trump.

Tarifat që Shtetet e Bashkuara vendosën vitin e kaluar ndaj mallrave kineze me vlerë 250 miliardë dollarë dhe tarifat e hakmarrjes që Kina ka vendosur mbi mallrat amerikane me vlerë më shumë se 100 miliardë dollarë, kanë dëmtuar disa biznese amerikane, siç është kompania Lobster në Maine.

"Këtë dimër, krahasuar me dimrin e kaluar, biznesi ynë ra 60 përqind dhe ky 60 përqindsh është praktikisht i përbërë nga eksportet kineze" , thotë Stephanie Nadeau me kompaninë Lobster.

Senatori republikan Rand Paul, shprehu shqetësimin e tij të dielën se tarifat mund të minojnë rritjen ekonomike të Shteteve të Bashkuara.

"Presidenti po luan një betejë negociuese me kinezët dhe ai mendon se në këtë pikë nuk mund të tërhiqet. Por ka mënyra të tjera se si mund të hapet tregu kinez dhe kjo do të ishte një gjë e mirë. Unë do ta këshilloja administratën të arrijë marrëveshje para se kjo betejë tarifash të zgjatet shumë, pasi sa më shumë të zgjatet, aq më të shumta janë shanset për të hyrë në recesion për shkak të saj ".

Disa analistë ekonomikë thonë se Shtetet e Bashkuara mund të dëmtohen më shumë se sa Kina nga tarifat.

"Ata vazhdojnë të tregtojnë lirisht me pjesën tjetër të botës dhe veprimet agresive të Presidentit Trump në një farë mënyre i kanë izoluar Shtetet e Bashkuara nga shumë aleatë të tyre, që ndryshe mund të shtonin presionin ndaj Kinës. Politikisht, si një vend që nuk është demokraci, kinezët gjithashtu mund të kenë aftësinë për të përballuar dhimbjen më mirë se sa administrata Trump", thotë Phil Levy në Universitetin Northwestern.

Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë e pranoi se importuesit amerikanë dhe jo Kina do të jenë ata që paguajnë tarifa për importet kineze. Por ai tha se presioni ndaj Pekinit është i domosdoshëm, sepse kinezët kishin shkelur disa nga angazhimet e bëra më parë. Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të sigurojnë që Pekini do t’i përmbahet këtyre angazhimeve, duke i vendosur ato në legjislacionin kinez.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 gusht 2019 - Mbahet mbledhja e Komiteti për Politik dhe Financa e Komunës së Rahovecit. (Komuna e Rahovecit, ora 10:00)

- Shoqata "Miqtë e Amerikës" festojnë ditëlindjen e mikut të madh të shqiptarve e mbar njerëzimit ish Presidentit të SHBA, Billi Clinton . (Zyret e shoqatës "Miqtë e Amerikës", që gjendet afë Agjencisë së Statistikave të Kosovës përball Parlamentit, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia solemne e hapjes së punimeve të Seminarit XXXVIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. (Biblioteka Universitare, ora 11:00)

- Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, merr pjesë në ceremoninë solemne të hapjes së punimeve të Seminarit XXXVIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. (Salla e kuqe, Fakulteti i Filologjisë, ora 11:00)

- Komuna e Prizrenit dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bëjn përurimin e Stadiumit Ndihmës në lokacionin Boka Boka. (Fshati Korishë në Prizren, ora 11:00)

- Bëhet shfaqja për media e filmit "Shpia e Agës" i Lendita Zeqirit (Kinema Cineplexx, ora 13:00)

-  Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me banorët e rajonit të Hasit dhe Anadrinit, me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shtëpia e Kulturës në Gjonaj, ora 19:00)