01 Dhjetor 2021

Inflacioni vjetor në Eurozonë rritet në 3.4 për qind

Bruksel, 21 tetor - Zyra e statistikave të Bashkimit Evropian (BE) ka njoftuar se inflacioni në Eurozonë u rrit në 3.4 për qind në shtator, i nxitur kryesisht nga çmimet më të larta të energjisë.

Norma vjetore e inflacionit ishte 3 për qind në gusht dhe minus 0.3 për qind në shtator 2020, sipas shifrave të publikuara nga Eurostat.

“Kontributi më i madh në normën vjetore të inflacionit në Eurozonë vjen nga energjia (1.63 pikë përqindje), e ndjekur nga shërbimet (0.72 pikë përqindje), mallrat industriale jo energjetike (0.57 pikë përqindje) dhe ushqimi, alkooli dhe duhani (0.44 pikë përqindje)”, thuhet në raport.

Inflacioni vjetor i BE-së u rrit në 3.6 për qind në shtator, nga 3.2 për qind në gusht ndërsa norma ishte 0.3 për qind në shtator 2020.

Krahasuar me gushtin, inflacioni vjetor shënoi rënie në një shtet anëtar, mbeti i qëndrueshëm në një tjetër dhe shënoi rritje në 25 vende të tjera.

Shkalla më e lartë vjetore e inflacionit prej 6.4 për qind u regjistrua në Estoni dhe Lituani, e ndjekur nga Polonia me 5.6 për qind.

Malta (0.7 për qind), Portugalia (1.3 për qind) dhe Greqia (1.9 për qind) kishin normat më të ulëta të inflacionit në shtator.

Në baza mujore, çmimet e konsumit u rritën me 0.5 për qind si në të gjitha vendet anëtare të BE-së, ashtu edhe në Eurozonë në shtator.

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 dhjetor 2021 - Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe OJQ Të Drejtat e Grave organizojnë diskutimin për manipulimin mendor dhe keqtrajtimin psikologjik si elemente të dhunës në familje. (Hoteli Emerald, ora 9:45)
    
- Bëhet betimi i kryetarit të komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe nënshkruhen deklaratat  solemne për marrjen e detyrës nga anëtarët e Kuvendit të komunës. (Salla e Kuvendit të komunës në Deçan, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Jugut. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit të Komunës së Malishevës, ku do të bëjnë betimin anëtarët e Kuvendit dhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Malishevës, ora 10:00)
    
- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës mban konferencë të jashtëzakonshme për shkak të mos aprovimit të kërkesave për lirim të masave. (Te ish-Rilindja, kompleksi III nr. 42, ora 12:00)
    
- Grupi Parlamentar i AAK-së, në Kuvendin e Kosovës mban tryezën me temën: Ngritja enorme e çmimeve dhe jostabiliteti ekononomik. (Salla N – 506, ora 13:00)
    
- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime (SIT), bën lansimin e platformës: Ofrimi i shërbimeve online dhe fizikisht për kryerësit e veprave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. (Hotel “Prishtina”, Prishtinë, ora 14:00)

- Galeria 17 me mbështetjen nga Swiss Cooperation Office në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës organizojnë ngjarjen Dinner party/ Make me coffee make me a sandwich, në kuadër të ekspozitës së kuruar nga Natalija Vujošević. (Galeria 17 rruga Henrik Bariç, nr.10, ora 18:00)

- Mbahet hapja zyrtare e edicionit të dytë të Festivalit “Art Without Limit International Film Festival”. (Kino Armata, ora 18:00)

- Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës organizojnë hapjen e ekspozitës vjetore të anëtarëve të Asociacionit të artistëve vizual të Kosovës. (Galeria e Artëve të Kosovës, ora 19:00)