27 Shtator 2022

Inflacioni në Mal të Zi rritet me 14.9 përqind

Podgoricë, 17 gusht - Agjencia e Statistikave të Malit të Zi (Monstat) ka njoftuar se çmimet e konsumit në Mal të Zi u rritën 14.9 për qind në korrik në bazë vjetore.

Kjo është gjithashtu një rekord i ri që nga viti 2008, kur Monstat publikon indeksin e çmimeve të konsumit si masë ndërkombëtare të inflacionit, si dhe që nga futja e euros në Mal të Zi në vitin 2002, kur lëvizja e çmimeve me pakicë u përdor për llogaritjen e inflacionit.

Ky është muaji i katërt radhazi që në Mal të Zi regjistrohet i ashtuquajturi inflacion galopant – rritje dyshifrore e çmimeve të konsumit në nivel vjetor.

Sipas të dhënave të reja, nga korriku i vitit të kaluar deri në të njëjtin muaj të vitit 2022, rritja më drastike e çmimeve është shënuar te lëndët djegëse të ngurta, me 49.9 për qind, pasuar nga nafta me 37.6 për qind dhe perimet me 35.8 për qind.

Në të njëjtën kohë, buka dhe drithërat u rritën 33.3 për qind, karburantet 32.2 për qind, qumështi dhe vezët 29.3 për qind, shërbimet e akomodimit 29 për qind, mirëmbajtja e apartamenteve 25.3 për qind, mjalti dhe sheqeri 22.6 për qind.

Rritje të ndjeshme pësuan edhe çmimet e mishit (16.6%), frutave (14.1%), transportit rrugor (13.4%) dhe shërbimeve të restoranteve (10.3%).

Nga ana tjetër, më së shumti ranë çmimet e furnizimit me ujë 7.5 për qind, aranzhimet e paketave turistike 5 për qind, kanalizimet 4.8 për qind dhe pajisjet audio-video 4.5 për qind.

Në bazë mujore, rritja e inflacionit në Mal të Zi ishte 1.5 për qind në korrik.

Në periudhën janar-korrik 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, çmimet e konsumit janë rritur me 10.5 për qind.

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 shtator 2022

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim udhëheqësin e Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Vassilis Maragos. (Kabineti i kryetarit, ora 9:50 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)

- Koalicioni 27, grupi i organizatave të shoqërisë civile që punojnë në fushën e mjedisit bën publikimin e raportit “Shkatërrimi ekologjik - Koha të veprojmë” i cili paraqet gjendjen e mjedisit në Kosovë, në raport me kërkesat e Bashkimit Evropian në kapitullin 27 “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton raportin e shpenzimeve të Kuvendit, të Bankës Qendrore, Fondit të Kursimeve Pensionale, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- OJQ EC Ma Ndryshe mban konferencën “Zhvillimi i turizmit rural dhe trashëgimisë shpirtërore - Një e ardhme e domosdoshme?”. (Kino Lumbardhi në Prizren, ora 10:00)

-  Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale takohet me kryesuesen e Bordit të Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës znj.Aida Rexhepi dhe me u.d. Drejtoreshën e Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës znj. Pranvera Zejnullahu- Raçi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Shehu Academy në bashkëpunim me projektin e USAID organizon ngjarjen “Ndërlidhja e ofertës me kërkesën në tregun e punës” me moton “Aftësim, Punësim, Zhvillim”. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Aleanca e të Rinjve të Kosovës zhvillon një aksion simbolik para Ministrisë së Arsimit, në mbështetje të kërkesave minimale të mësimdhënësve. (Para Ministrisë së Arsimit, ora 10:00)

- Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë organizon konferencën rajonale “Promovimi i Investimeve Rajonale”. (Hotel International Prishtina në Veternik, ora 11:00)

 - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim Ambasadorin e Luksemburgut, Eric Dietz. (Kabineti i kryetarit, ora 11:30 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)​

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton në parim Projektligjin për Institutin e krimeve të kyera gjatë luftës në Kosovë, dhe raportet e komisioneve kryesore për Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 13:00)

- Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Kastriot mban konferencë për media. (Pallati i Drejtësisë, ora 13:00)

- Komisioni Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë shqyrton Planin e punës së Komisionit, kërkesen për buxhetin e Komisionit dhe shqyrton termat e referencës për Grupin Këshillëdhënës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 14:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike bën zgjedhjen e eksperteve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)