23 Prill 2024

IFC dhe Komisioni Evropian ndihmojnë Kosovën që të rrisë investimet

Prishtinë, 20 nëntor - IFC, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, ka nënshkruar një Marrëveshje me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për të ndihmuar në rritje të investimeve të huaja direkte, duke përafruar më shumë politikat e saj të investimeve me praktikat më të mira ndërkombëtare, si dhe duke përmirësuar shërbimet e saj ndaj investitorëve.

Kjo është në përputhje me zotimet e bëra nga Kosova për zhvillimin e zonës ekonomike rajonale. 

Liderët e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar, më 2017, që të krijojnë një Zonë Ekonomike Rajonale (ZER) për të mundësuar lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, investimeve dhe punëtorëve profesionalë. IFC, me kontributin financiar nga Komisioni Evropian, do të mbështesë Kosovën në implementimin e reformave kryesore të lidhura me politikat e investimeve të domosdoshme për ZER-në.

Projekti do të adresojë të gjitha fazat e ciklit jetësor të një investimi, që nga përmirësimi i procedurave për hyrjen dhe kryerjen e investimeve, si dhe përforcimi i politikave për mbajtjen e investimeve, deri tek avancimi i punës në promovim dhe tërheqje të investimeve.

“Numri i investitorëve të gatshëm për të hyrë në tregun e Kosovës është në rritje," tha Endrit Shala, Ministër i Tregtisë. “Me këtë projekt, duam të përmirësojmë klimën e investimeve për biznese, të përafrojmë politikat tona të investimeve me standardet e BE-së, si dhe të shërbejmë investitorët në mënyrë më efikase.”

Marrëveshja është pjesë e Projektit të IFC-së për Politikat dhe Promovimin e Investimeve në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili synon të shtyjë reformat e përqendruara në klimën e investimeve, për të hapur treg të ri rajonal për investime në Ballkanin Perëndimor.

“Ndërlidhja e ekonomive të rajonit me tregjet globale përmes tregtisë, transportit dhe investimeve do të ndihmojë në shtytjen e investimeve të huaja dhe rajonale, si dhe të krijojë vende të reja pune”, tha Thomas Lubeck, Menaxher Rajonal i IFC-ë për Evropën Qendrore dhe Juglindore.

“Puna jonë me Ministrinë është pjesë e një programi më të gjerë të Grupit të Bankës Botërore, të fokusuar në reformat e klimës së investimeve dhe konkurrencës në rajon.’

“Projekti do të kontribuojë në implementimin e rekomandimeve në lidhje me politikat e investimeve nga Raporti i KE-së për Vendin më 2018,” tha Riccardo Serri, Zëvendës Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian / Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Projekti do të mbështesë gjithashtu përpjekjet e Kosovës që të zbatojë Planin Shumëvjeçar të Veprimit për themelimin e Zonës Ekonomike Rajonale të miratuar në Samitin e Ballkanit Perëndimor 6 në Trieshte më 2017.”

Komisioni Evropian ka kontribuar me 2.5 milionë euro në Projektin e gjerë Rajonal të Politikave dhe Promovimit të Investimeve, i cili do të implementohet deri në qershor të vitit 2020. Projekti do të implementohet në partneritet me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)