11 Gusht 2020

Furnizimi me mallra strategjike në Kosovë po vazhdon normalisht

Prishtinë, 21 mars - Në kuadër të forumeve virtuale të cilat po organizohen nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë pas situatës së pazakontë të shkaktuar nga pandemia globale COVID-19, zyrtarë të Doganës së Kosovës, si dhe përfaqësues të bizneseve tregtare dhe transportuese folën për fluksin e tregtisë, transportin vendor dhe ndërkombëtar, si dhe procedurat e kalimit kufitar dhe zhdoganimeve.

Në forumin Tregtia në Kohën e COVID-19 u diskutuar për problemt me të cilat po ballafaqohen kompanitë vendore tregtare e prodhuese pas masave kufizuese të ndërmarra në shumë sfera me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj pandemie, e rrjedhimisht edhe gjenerimi i rekomandimeve të cilat mund të ndërmerren nga Qeveria e Kosovës në përkrahje të tyre.

Bashkim Arifi, Drejtor i Departamentit të Operacioneve Kufitare në Doganën e Kosovës theksoi se pavarësisht kufizimeve në burimet njerëzore, Dogana e Kosovës po realizon të gjitha funksionet e saj me kapacitete të plota, në të gjitha vendkalimet kufitare, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të mallrave, e sidomos atyre strategjike.

Vështirësitë megjithatë paraqiten nga shtetet fqinje të cilat kanë kufizuar punën e personelit kyç, përfshirë edhe ato të kujdesit shëndetësor, gjë që po vështirëson kalimin kufitar.

Ai theksoi se Dogana e Kosovës ka përshpejtuar procesin zhdoganues për të mundësuar rrjedhë normale në furnizimin me mallra për qytetarët, duke theksuar se nuk ka asnjë arsye për panik, meqë importet e përditshme nuk do të ndikojnë në asnjë mungesë të artikujve esencialë për qytetarët, përfshirë këtu edhe grurin dhe miellin.

Avni Krasniqi nga kompania tregtare Delfin LTD, e njëherit edhe Kryesues i Komitetit të Tregtisë dhe Doganave në Odën Amerikane u shpreh se sa i përket furnizimit me mallra, nuk po raportohet për ndonjë problem kontraktual me furnitorët, duke shtuar se sfidat lidhen me qarkullimin dhe trafikun e mallrave.

Si probleme kryesore ai i konsideroi kufizimet me të cilat po ballafaqohen në korridoret nga shtetet fqinje, duke e marrë parasysh se shumë shtete të rajonit kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë COVID-19.

Sidoqoftë, Krasniqi cilësoi se një pjesë e madhe e furnizimit ende është duke funksionuar në mënyrë të mirë, dhe theksoi se nuk ka nevojë për panik, e as për blerje përtej nevojave.

Besir Çmega nga kompania Railtrans, u shpreh se transporti i mallrave përkundër disa pengesave është duke qarkulluar mirë.

Sidoqoftë, ai i ftoi institucionet e shtetit që të marrin në konsideratë edhe nevojat e transportueseve para marrjes së vendimeve dhe të bëjnë lehtësime përkitazi me dokumentet për transport.

Çmega shtoi se njëri ndër problemet kryesore me të cilat po përballen kompanitë transportuese, është çështja e karantinimit të shoferëve në shumë shtete, e cila po zvogëlon potencialin e dërgimit të kamionëve dhe njëkohësisht edhe disponueshmërinë e shoferëve për t’i kryer këto dërgesa.

Si problem tjetër ai përmendi edhe mungesën e informimit në kohë reale nga doganat e shteteve fqinje për vendimet e tyre, ku dhe sugjeroi doganën e Kosovës të lëshojë njoftime të përgjithshme për këto ndryshime.

Çmega sugjeroi të zëvendësohet transporti rrugor me forma alternative si transporti detar ose ai hekurudhor, me shtetet të cilat këto alternativa i kanë të disponueshme, në mënyrë që të tejkalohen problemet e përmendura më lartë.

--

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 Gusht 2020

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do t’i vizitojë punimet në hekurudhën e Kosovës, linjën 10, në stacionin hekurudhor në Miradi. (Miradi, ora 10:00 - nisja për medie nga parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës, ora 9:30)

-  Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton Raportin e Auditimit për Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2019. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, do të vizitojë Komunën e Malishevës ku do te takohet me kryetarin Ragip Begaj. (Objekti i Komunës, ora 10:00)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi raporton para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit diskuton lidhur me programin legjislativ për vitin 2020 respektivisht të Projektligjeve të Ministrisë së Drejtësisë si dhe për gjendjen në Institucionet Korrektuese në Republikën e Kosovës për shkak të Pandemisë me Covid-19. (Salla e seancave plenare, ora 13:00)

- Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri viziton Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës për të diskutuar rreth rimëkëmbjes ekonomike. (Ndërtesa e TRUST-it, Rruga "Agim Ramadani", ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media ku do të shpalosen gjetjet nga analiza e burimit të problemeve në mos zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm nga komunat. (Zyrat e KDI-së, ora 11:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione shqyrton raportin e panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dëgon dëshmitë e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:30)

- Organizata ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani” organizojn takim me shkrimtarin dhe kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja. (Qendra për Edukim dhe Kulturë “Libart” në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania”, ora 18:00)  .