19 Qershor 2019

Eksporti i Kosovës më i ulëti në rajon për shkak të barrierave

Prishtinë, 21 maj - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se bizneset kosovare po përballet me shumë barriera gjatë eksportit të tyre nëpër vendet e CEFTA-së, për arsye krejt politike.

Shala duke folur në forumin ekonomik mbarë-shqiptarë “Mundësia dhe sfidat e marrëdhënieve tregtare Kosovë-Shqipëri”, tha se barrierat e bizneseve kosovare rrallë herë janë raportuar, por sipas tij, janë evidente dhe pikërisht këto barriera janë arsyet themelore për bilancin tregtar që ka Kosova aktualisht, mirëpo, MTI  po e bënë të pamundurën që t’i eliminojë. 

“Ekonomia e Kosovës, është ekonomi e vogël, është ekonomi konsumuese, nder ekonomitë që ka më së paku eksporte në raport me vendet tjera anëtare të CEFTA. E gjitha kjo, jo për shkak se ne nuk kemi prodhim të mjaftueshëm, ose që nuk kemi prodhim cilësore, por për shkak të arsyeve politike, barrierave tarifore dhe jo-tarifore që janë vendosur nga vendet e CEFTA në raport me eksportuesin kosovar. Fatkeqësisht, këto barriera rrallë herë janë raportuar, nga institucionet tona përgjegjëse por as nga përfaqësuesit e bizneseve. Fatmirësisht, pas vitit të kaluar, pas kryesimit tim në CEFTA gjatë vitit 2018, ky raport ka filluar të ndryshojë. Tashmë, secila barrierë që ekziston gjatë eksportit të produkteve Kosovare përveç që raportohet ne do të bëjmë të pamundur edhe ta eliminojmë”, theksoi ministri Shala.

Ministri i ka ftuar nga bizneset nga Shqipëria që t’i raportojnë barrierat në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

“Të nderuar përfaqësueses të bizneseve shqiptare, nga këtu ju ftoj edhe juve që të shfrytëzoni MTI-në që të raportoni cilëndo barrierë që iu paraqitet edhe gjatë eksportit të produkteve tuaja në Republikën e Kosovës, sepse, qëndrimi ynë është të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura, të hapen tregjet tona për produktet shqiptare, të rritet ekonomike gjithëkombëtare. Por, kërkoj të njëjtin trajtim edhe për prodhuesit kosovar që eksportojnë në Shqipëri. Prodhimet tona andej dhe këndej nuk duhet të trajtohen nga qeveritë tona ndryshe, ato duhet të trajtohen pa dallim, si prodhime shqiptare”, tha Shala.

Ai bëri të ditur se shumë raporte mbi barrierat tarifore dhe jo tarifore që ekzistojnë në kuadër të vendeve anëtare të CEFTA, organizatë kjo që përfshinë të gjithë vendet e rajonit, del që Kosova është vendi më i diskriminuar sa i përket barrierave të vendosura nga këto vende.

“Prandaj si rezultat i këtyre barriera edhe eksporti Kosovar është më i ulëti në rajon”, tha Shala.

Ministri Shala tha se Tregjet e CEFTA-s duke përfshirë tregun e Shqipërisë janë destinacioni kryesor i eksporteve të Kosovë dhe sipas tij, çdo pengesë me të cilën eksportuesit ballafaqohen për qasje në këto tregje ka implikime domethënëse në rritje dhe zhvillim.

“Në lidhje me këtë, adresimi i barrierave të pajustifikueshme ndaj tregtisë është me prioritet të lartë në agjendën e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në bazë të disa analizave dhe studimeve të bëra nga MTI, del që Kosova ka pësuar një deficit strukturor në rritje në tregtinë e saj rajonale, duke u bërë destinacioni kryesor i importit për eksportet e anëtarëve të tjerë të CEFTA-s”, tha Shala.

“Por tashmë, kjo po ndryshon, sepse ne po i adresojmë të gjitha ankesat e eksportueseve tanë në rajon dhe më gjerë, të gjitha këto probleme të paraqitura do të zgjidhen ose ne do të vendosim reciprocitet. Bilanci tregtar i Kosovës do të ndryshoj, sepse prodhimet tona janë të standardeve të kërkuara, dhe çështjet politike nuk duhet dhe nuk do të ndikojnë në këtë rritje të eksportit dhe ekonomisë kosovare”, tha Shala.

Ministri iu kë bërë thirrje prodhuesve që të shfrytëzojnë këto kohë që t’i rrisin shkëmbimet tregtare.

“Kur tregtia me Serbinë është rënë në minimum si rezultat i masës 100 % të propozuar nga unë në mënyrë që të fitoni treg në republikën e Kosovës. Ne jemi shumë të interesuar që të gjitha produktet serbe por edhe te vendeve tjera të zëvendësohen me prodhimet tuaja”, tha ministri Shala.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 qershor 2019

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala do të merr vendim për angazhimin edhe të katër ekspertëve për nevoja të komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 9:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pret në takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovës, Per Strand Sjaastad. (Zyra e kryetarit Haziri, ora 10:00)

- Për nder të Ditës së Çlirimit të Istogut mbahet turnir në ping-pong për nxënës të shkollave. (Saradran, ora 10:00)

- Zyra e BE-së në Kosovë në partneritet me Ambasadën e Suedisë është duke organizuar një ngjarje për nisjen e projektit "Fuqizimi i Sistemit Statistikor në Kosovë 2019-2020". (Agjencia e Statistikave e Kosovës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa e Komunës së Mitrovicës. (Salla e Mediave të Komunës së Mitrovicës, ora 10:00)

- Mbahet seanca plenare e Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa e Komunës së gjashtë të rregullt. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Rahovecit, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor hap zyrtarisht fazën e shqyrtimit publik për hartën zonale. (Ish objektin “Rilindja”, kati përdhese, Amfiteatri i madh, ora 10:30)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovës, Per Strand Sjaastad në mënyrë simbolike bëjnë zbulimin e pllakës së emërtimit të rrugës, te parku i qytetit. (Parku i qytetit në Gjilan, ora 10:30)

- Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës organizon ceremoninë solemne të inaugurimit të Nënstacionit 110/10(20)kV Ilirida - Mitrovica 2, e cila do të mbahet në prani të personaliteteve të shumta si vendore ashtu edhe ndërkombëtare. (Objekti i ri në Mitrovicë, ora 11:00)

- Ministri Kujtim Gashi, do të bëjë përurimin e Stadiumit të Komunës së Kamenicës dhe do të nënshkruan dy memorandume mirëkuptimi për sport dhe rini. (Kamenicë, ora 11:00)

- Komuna e Vitisë dhe Fshati Sllatin e Epërme organizojnë promovimin e librit 'Sllatina e Epërme e Anamoravës - Monografi' e autorëve Fahrush Rexhepi dhe Jusuf Osmani. (Shtëpia e Kulturës në Viti, ora 11:00)

- Zyra e BE-së në Kosovë do të lansojë Fushatën e Administratës së BE-së për Siguri dhe Shëndet në Vend të Punës "Vendet të shëndetshme të punës - Menaxhimi i substancave të rrezikshme 2019”. (Shtëpia e Evropës, ora 11:00)

- Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Gjilanit, Sami Spahiu mban konferencë për media për 5 mujorin e punës dhe planifikimin për tre-mujorin e ardhshëm. (Zyra e kryetarit të Komunës së Gjilanit, ora 11:00)

- Me rastin e 8 vjetorit të vdekjes, anëtarë të Kryesisë së LDK-së, bëjnë homazhe te varri i nënkryetares së LDK-së, veprimtares së dalluar të çështjes kombëtare, Nekibe Kelmendi. (Varri i Nekibe Kelmendit, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në përurimin e trafostacionit të ri, në lagjen Fidanishte të Mitrovicës, investim i KOSTT dhe BERZH. (Lagjja Fidanishte, Mitrovicë afër Universitetit Publik “Isa Boletini”, ora 11:30)

- Përfaqësuesit e Brigadës së zjarrfikësve të Saône et Loire, në Francë, bëjnë dorëzimin zyrtar të një automjeti kundër zjarrit dhe 300 veshmbathjeve për zjarrfikësit e Rahovecit. (Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave në Hajvali, ora 12:00)

- Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal diskuton lidhur me monopolin në fushën e homologimit të veturave, barriera jo tarifore për importin e veturave të reja që kanë origjinën nga BE, e ftuar Ambasadorja e BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 15:30)

- Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, zyra e UN Women në Kosovë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës organizojnë në shfaqjen e dokumentarit "Prokurorët", pasuar nga një diskutim me regjisoren e dokumentarit dhe njehkohësisht fituesen e çmimit Emmy, znj. Leslie Thomas. (Kino Armata, ora 17:00)

- Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Kino Armatën për nder të njëzet vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës organizon Javën e Filmit me shfaqjen e filmave "Gardhi" nga Lendita Zeqiri dhe "me dasht‘ me dasht‘ me dasht‘" nga Ilir Hasanaj. (Kino Armata, ora 20:00)

- Mbahet koncerti Recital për flaut- Erëmira Çitaku dhe harpë - Çağatay Akyol, të udhëhequr nga Dafina Zeqiri-Nushi në bashkëpunim me Festivalin “Tingujt e Flautit”. (Bibloteka Kombëtare e Kosovës, ora 20:30)