22 Tetor 2020

Deficit tregtar i Kosovës bie për 18 për qind

Prishtinë, 23 shtator - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin gusht 2020.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-18.2%) në muajin gusht 2020, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 228.9 milionë Eurosh, krahasuar me deficitin prej 279.9 milionë Eurosh në vitin 2019. Eksporti mbulon importin me 13.0%.

Eksporti i mallrave në muajin gusht 2020 kishte vlerën 34.3 milionë Euro, ndërsa importi 263.3 milionë Euro,  që është një rritje prej 7.6% për eksport, dhe një rënie prej (-15.6%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.
 
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21.4% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 16.5% e përbëjnë artikuj e ndryshëm të prodhuar; 12.7% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 12.1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.7% e përbëjnë produktet bimore; 6.6% e përbëjnë produktet minerale; 4.0% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import e përbëjnë: 12.5% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.3% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11.0% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.1% produktet minerale; 10.0% mjetet e transportit; 8.6% produktet e industrisë kimike; 7.0% plastika, goma dhe artikuj prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.3 milionë Euro, ose rreth 36.1% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 35.7%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (12.6%), Holanda (3.3%), Britania e Madhe (2.9%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 117.5 milionë Euro, ose 44.7% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-26.6%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.6%), Italia (5.6%), Sllovenia (3.2%), Greqia (3.1%), etj.

Në muajin gusht 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 14.7 milionë Euro, ose 43.0% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 6.7%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (18.9%), Maqedonia e Veriut (9.4%), Serbia (7.5%), Mali i Zi (5.2%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin gusht 2020, arritën në 52.3 milionë Euro, ose 19.9% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (6.0%), Serbia (6.0%) dhe Maqedonia e Veriut (5.8%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 7.1 milionë Euro, ose 21.0%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmendet Zvicra me 9.6%.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 93.3 milionë Euro, ose 35.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.2%) dhe Kina (10.6%).
  

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 Tetor 2020  - Kryeministri Avdullah Hoti viziton Ministrinë e Shëndetësisë. (Ministria e Shëndetësisë, ora 9:30)

- Lëvizja Vetëvendosje organizon tryezën virtuale më temë 'Sa do të ndikojë moratorimumi një vjeçar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, në pozicionin ndërkombëtar të Kosovës?' (Online, ora 10:00)  

 - Admovere organizon promovimin e publikimit 'Të Damkosurit e Ballkanit - Shqiptarët dhe Kosova në tekstet alternative gjithëballkanike të historisë'. (Hapësirat e KultPlus Caffe Gallery te Fontana në Ulpianë, ora 10:00)  

- Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim deputetët e komunitetit joshumicë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora ‪10:30 - vetëm pamje)

- Ministria e Tregtisë dhe Industrisë i njofton mediat se nesër do të lansohet data-baza per tregtinë në shërbime. (Ndërtesa e MTI-së, ora 11:00)

- Ministrja e Financave znj.Hykmete Bajrami dhe Auditori i Pergjithshëm i ZKA-së, Besnik Osmani raportojn para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin Vjetor i Auditimit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 11:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione takohet me përfaqësues të kompanisë “Kërveshi Partneres” dhe përfaqësuesi te OJQ, “Ngritja e Zërit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj - Stublla raporton para Komisionit për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në përurimin e adaptimit të rrugës për Komunitetin RAE në rrugën “Rexhep Karaqi”. (Prizren, ora 12:00)

- Fondi për të Drejtën Humanitare dhe KOMRA Rrjeti i Pajtimit organizon debatin mbi Politikat e Kujtesës dhe Praktikat e Përkujtimit në Evropën Juglindore. (Debati do të transmetohet direkt në Facebook dhe Youtube kanalin e KOMRA Rrjeti për Pajtim, ora 17:00)

- Komisioni Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dëgjon dëshmitë e Hidajete Pireva, Mjeke, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare-QKMF, Fushë Kosovë, Vlora Maholli, Mjeke, QKMF, Fushë Kosovë dhe Hajrie Hoti, Mjeke, QKMF, Prishtinë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)

- Lëvizja Vetëvendosje!, mban konferencë për media në lidhje me skandalin e vjedhjes së më shumë se 2 milion euro nga Thesari i Shtetit. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 15:00)