29 Mars 2020

Bursat në SHBA, Azi dhe Evropë goditen rëndë shkaku i koronavirusit

New York, 26 shkurt - Përhapja në rritje e koronavirusit ka tronditur tregjet e aksioneve. Autoritetet në Kinë dhe vendet e tjera të prekura rëndë nga virusi kanë vendosur bllokada që kanë paralizuar prodhimin dhe kanë ndërprerë turizmin apo sektorë të tjerë të rëndësishëm. 

Tregjet e aksioneve nga Shtetet e Bashkuara në Azi dhe Evropë janë goditur rëndë, pasi autoritetet shëndetësore konfirmojnë zona të reja të infeksionit të koronavirusit nga Lindja e Mesme në Evropë.

Tre indekset kryesore të Wall Street ranë ndjeshëm, duke fshirë fitimet e orëve të para, si rrjedhojë e lëkundjes së besimit të investitorëve. S&P 500 u ul 1.9 përqind në orët e vona të pasdites në Nju Jork, një ditë pasi ra 3,4 përqind, në tkurrjen më të madhe, pasi tensionet e tregtisë tronditën tregjet në shkurt 2018.

Koronavirusi ka shkaktuar frikë të madhe dhe reagime gjithnjë e më të ashpra nga autoritetet në shumë vende, duke imponuar bllokime me efekte paralizuese për tregtinë, veçanërisht në Kinë - ekonomia e dytë më e madhe në botë.

Ndërsa aksionet binin, qeveria amerikane paralajmëroi njerëzit për herë të parë të përgatiteshin për koronavirusin, që mund të përhapet në SH.B.A.

Alex Azar, sekretari amerikan i shëndetësisë dhe shërbimeve njerëzore, tha se SH.B.A.-të duhet të ngrejë rezervat e saj të mjeteve mbrojtëse për punonjësit e kujdesit shëndetësor. “Ne nuk mund të mbyllim hermetikisht Shtetet e Bashkuara ndaj një virusi, dhe ne duhet të jemi realistë për këtë,” tha ai.

Bonot e thesarit të Sh.B.A-ve ranë, duke bërë që rendimenti në obligacionin 10-vjeçar referencë të arrijë  në një rekord të ulët prej 1.31 përqind. Rendimenti i obligacionit 30-vjeçar ra gjithashtu, duke qëndruar afërt me rekordin e tij të ulët prej 1.78 përqind.

Humbjet e kapitalit neto ishin më të rëndat në Evropë, ku indeksi Stoxx Europe 600 u mbylli me rënie prej 1.8 përqind, duke bërë që tkurrja javore të shkojë më shumë se 5.5 përqind. Indeksi, një pikë referimi për kompanitë më të mëdha të rajonit, ra deri në 2.5 përqind gjatë tregtimit, teksa tregtarët u përpoqën të vlerësonin efektin e mundshëm ekonomik nga shpërthimi i një pandemie.

Aksionet në Itali, vendi evropian që është goditur më rëndë me 322 infeksione të konfirmuara dhe 11 të vdekur, e mbylli ditën me rënie prej 1.4 përqind, duke i shtrirë humbjet këtë javë në 6.5 përqind. FTSE 100 i Londrës ra në nivelin e saj më të ulët që nga shkurti i vitit 2019, teksa rrëshqiti 2.1 përqind.

Tkurrja e tregtimeve erdhi si rrjedhojë e shqetësimeve për ndërprerjen më të gjerë të aktivitetit ekonomik shkaktuar nga koronavirusi, i cili ka infektuar më shumë se 80,000 persona dhe ka rezultuar në mbi 2700 vdekje në të gjithë botën. Kriza shëndetësore ka çuar në kufizime në mënyrën e funksionimit të kompanive, në një kohë që ka pasur shkëputje të zinxhirëve të furnizimit global.

Michael Arone, shefi i investimeve në State Street Global Advisors, tha se investitorët gjithnjë e më shumë besojnë se Rezerva Federale do të bëjë përpara për të përmirësuar ekonominë e SHBA për të mbrojtur çdo ndikim negativ në rritjen dhe fitimet.

“Investitorët besojnë se [koronavirusi] ka përshpejtuar gatishmërinë e Fed për të vepruar,” tha ai. “Historia vërteton se bankat qendrore shpesh do të ndërhyjnë për të ndihmuar mbështetjen e tregjeve në kohë stresi.”

Japonia më herët i kishte nxitur kompanitë të adoptojnë punë në distancë, të ndërrojnë strategji dhe të mbajnë takime në internet për të zvogëluar përhapjen e sëmundjes. Një panel qeveritar ekspert tha që kishte 146 infeksione të konfirmuara në më shumë se 16 prefektura të ndryshme, duke përjashtuar rastet nga një anije lundrimi e infektuar nga Kina.

“Ne jemi në udhëkryq,” tha Shigeru Omi, kreu i Organizatës së Kujdesit Shëndetësor të Komunitetit Japonez, në një konferencë shtypi. “Transmetimi lokal tashmë po vazhdon.”

Italia paralajmëroi që BE-ja duhet të ofrojë fleksibilitet në objektivat e saj të buxhetit nëse shpërthimi i koronavirusit në rajonet e saj të industrializuara të veriut ka një ndikim të zgjatur në një ekonomi tashmë në prag nga recesioni. Shumica e rasteve u përqendruan në Lombardi dhe Veneto, rajone të cilat së bashku përbëjnë një të tretën e prodhimit për ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës dhe rreth gjysmën e eksporteve të saj.

Disa besojnë se ndikimi ekonomik do të jetë intensiv, por afatshkurtër. Analisti Mark Hamrick e krahason koronavirusin me një uragan - pasi të kalojë, fillon rimëkëmbja dhe aktiviteti gradualisht kthehet në normalitet.

“Për investitorët që janë përqendruar vetëm në planin afatshkurtër, këto janë ndikime shumë reale. Për investitorët që janë përqendruar në terma afatmesme dhe afatgjatë, ata do të shikojnë përtej kësaj dhe do të thonë, "kjo do të kalojë dhe do të vazhdojnë të investojnë".

Por studiuesi Desmond Lachman beson se ndikimi në Kinë do të jetë më i gjatë, me kompani që do të kërkojnë të diversifikojnë zinxhirët e tyre të furnizimit, në mënyrë që të mbështeten më pak tek Kina në të ardhmen.

“Kompanitë do të nxjerrin mësime nga kjo përvojë. Pritshmëria ime është që kjo do të ketë pasoja afatgjatë për ekonominë kineze. Kina nuk do të duket tërheqëse për investimet e huaja".

Koronavirusi nuk do të jetë patogjeni i fundit me efekte ekonomike që përhapet përtej kufijve dhe kontinenteve.

Pyetja, thonë analistët, është se çfarë mësimesh do të nxjerrin vendet dhe kompanitë nga shpërthimi dhe nëse ekonomia globale do të bëhet më elastike ndaj tronditjeve të ardhshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 28 mars 2020

- Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri viziton Drejtorinë e Arsimit për ta parë procesin e mësimit online. (Dejtoria e Arsimit në Gjilan, ora 10:30)

- Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri mban takim me Komitetin për mbrojtje dhe shpëtim kundër Covid-19 dhe Qendrën Operative Emergjente (Kampsui i Shkollave të Mesme në Gjilan, ora 11:00)

 

- Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia e PDK-së në Prishtinë, ora 16:30.