18 Shtator 2020

Bizneseve turke u kërkohet te investojnë në Kosovë

Prishtinë, 20 korrik - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, priti në takim përfaqësuesit e Odës Tregtare Kosovare-Turke, të kryesuar nga Abdurrahman Balkiz, kryetar i kësaj ode.

Fillimisht, ministri Krasniqi i falënderoi mysafirët për përkushtimin e treguar për të bashkëpunuar edhe më tej në aspektin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Ministri potencoi se ky bashkëpunim i ndërsjellë në mes dy vendeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen, si dhe to të thellohen edhe më shumë mundësitë investive dhe bashkëpunuese në mes të bizneseve të Kosovës dhe të Turqisë, e që do të ndikojë edhe në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik tek të dy vendet.

Ky bashkëpunim, sipas ministrit Krasniqi, do të jetë edhe më i frytshëm nëse arrijmë që t’i eliminojmë barrierat gjatë shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve, meqë kemi edhe marrëveshjen e nënshkruar për tregti të lirë në mes Kosovës dhe Turqisë, e cila i jep mbështetje shkëmbimeve tregtare në mes të dy shteteve.

Ndërsa, kryetari i Odës Tregtare Kosovare-Turke, Abdurrahman Balkiz, në fillim e uroi ministrinë për pozitën e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë dhe më pas i ngriti disa çështje që do ta ndihmonin biznesin nga të dyja anët.

Ai e shtroi çështjen e mundësisë së investimeve turke në Kosovë, mundësinë e përgatitjes së produktit me vend të origjinës nga Kosova, si dhe mundësitë e ofrimit të marrëveshjeve ekonomike në mes afaristëve kosovarë dhe atyre turq.

Për këtë, ministri Krasniqi ua sqaroi përfaqësuesve të  Odës Tregtare Kosovare-Turke se Kosova tashmë është si potencial i mirë në trajtimin e investitorëve strategjikë, ku çështjen e investitorëve strategjikë e kemi të rregulluar edhe me Ligjin për Investime Strategjike, që mundëson lehtësira dhe mundësi investuese për investitorët e mundshëm strategjikë.

Si mundësi tjetër në fushën e investimeve në Kosovë, ministri përmendi edhe zonat ekonomike, që janë më interes ekonomik dhe se së shpejti do të jenë edhe si zona ku do të përqendrohen mundësitë investuese edhe nga investitorët më të vegjël, por që pritet së shpejti të rregullohen edhe disa çështje në aspektin e plotësimeve ligjore.

Krejt në fund, ministri Krasniqi u bëri thirrje të gjithë investitorëve të mundshëm të Turqisë, që të vijnë t’i shikojnë mundësitë investuese që i ofron Kosova për investitorët në përgjithësi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Shtator 2020

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit te Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu Hoxhaj, do të bëjnë përurimin e shtimit të katit të dytë dhe renovimit të katit të parë të Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Zhur. (Fshati Zhur, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e nëntë e Komiteti për Politik dhe Financa të Komunës së Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit në objektin e ri të administratës komunale të Rahovecit, ora 10:00)  

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi do të ketë nje vizitë një grupi të të rinjve të Kosoves, nga etni të ndryshme. (Kabineti i Ministres MKRS, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 13:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në mbledhjen komemorative për gazetarin Sulejman Gashi. (Salla “ 1 Tetori ”, ora 13:30)

- Banorët e fshatit Karaçevë të Kamenicës protestojnë pas vendimit për mbylljen e disa shkollave në këtë qytet. (Para objektit të Komunës së Kamenicës, ora 14:00)