04 Dhjetor 2022

Bizneset kosovare janë duke depërtuar në tregun europian dhe më gjerë

Prishtinë, 3 tetor – Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka pritur sot në selinë e OEK një delegacion të parlamentarëve zviceran, anëtarë të Komisionit parlamentar të “European Free Trade Association”, e të cilët po vizitojnë Kosovën në kuadër të negociatave për një marrëveshje për tregti të lirë mes Kosovës dhe EFTA-s.

Kryetari Rafuna u shpreh se nga bashkëpunimi mes Kosovës dhe EFTA-s do të përfitonin të dyja palët si dhe foli për fushat kryesore në të cilat po zhvillohen bizneset kosovare.

“Bizneset kosovare janë duke depërtuar në tregun europian dhe më gjerë”, u shpreh Kryetari Rafuna dhe ftoi që Kosova të përkrahet në nënshkrimin e marrëveshjes për tregti të lirë me EFTA-n.

“Zvicra është ndër përkrahësit e mëdhenjë të Kosovës. Përkrahja për një marrëveshje me EFTA-n do të kontribuonte që bizneset kosovare të rriten dhe të kontribuojnë edhe më shumë në stabilitetin e Kosovës”, u shpreh Kryetari Rafuna.

Delegacioni zviceran, i përbërë nga Benedikt Wurth, në cilësinë e kryesuesit të delegacionit, si dhe deputetët Hannes Germann dhe Hans-Peter Portmann, u shprehën të interesuar në çështjet zhvillimore të Kosovës.

EFTA është organizatë dhe zonë e tregtisë së lirë e përbërë nga Zvicra, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda, pra vende që nuk janë anëtare të BE-së, por që marrin pjesë në tregun e përbashkët europian.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 dhjetor 2022

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, prezantojnë buxhetin për vitin 2023 para qytetarëve të Komunës së Gjakovës. (Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”, Gjakovë, ora 15:00)