29 Mars 2024

VV zbulon rastet e fundit korruptive të bashkëpunimit të RTK-së me PDK-në

Prishtinë, 20 shkurt - Lëvizja Vetëvendosje! mbajti sot konferencë për media mbi përkeqësimin e gjendjes së Transmetuesit Publik të Kosovës (RTK) nga menaxhmenti aktual.

Në konferencë foli aktivisti i Lëvizjes Avni Zogiani, duke renditur lidhjet politike, nepotike dhe biznesore të menaxhmentit të RTK-së dhe implikimin e këtyre lidhjeve në përkeqësimin e shërbimit.

Zogiani theksoi se marrëdhënia e RTK-së me PDK-në është si ajo mes dy duarve, ku njëra kruan tjetrën dhe anasjelltas.

"Pikërisht falë shërbimit ndaj PDK-së menaxhmenti i ka shpëtuar ndëshkimit për rastet e shumta të korrupsionit, nepotizmit, klientelizmit dhe keqmenaxhimit."

"Marrëdhënia me PDK-në dallohet nga mënyra sesi ky transmetues shpërfytyron lajmet mbi veprimtarinë e opozitës dhe prodhon lajme në shërbim të pushtetit", theksoi ai.

Transmetuesi ka diku 800 deri në 1,000 punëtorë, por një numër i madh i tyre sipas Zogianit janë anashkaluar për vite me radhë ngaqë një pjesë e konsiderueshme e programit blihet nga jashtë.

Për më tepër sipas tij përmbajtja e programacionit karakterizohet nga mediokriteti dhe mungesa e seriozitetit.

Aktivisti Avni Zogiani renditi katër rastet e fundit korruptive që shpërfaqin bashkëpunim problematik të RTK-së me PDK-në:

Së fundmi, një produksion që RTK-së i kushtoi 216,000 euro iu dha motrës së shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqit, pa patur konkurrencë mes kërkuesve;

540,000 euro është tenderi i shpallur për marjen me qira të 16 makinave për nevoja të operimit të televizionit dhe të u.d. të drejtorit menaxhues, Mentor Shalës. Një makinë me qira për RTK-në kushton 33,750 euro, pra më shtrenjtë sesa të blihet e re;

 Tenderi prej afro gjysmë milioni euro për serverët i është dhënë një kompanie, pronari i të cilës është akuzuar për korrupsion në lidhje me disa tenderë në policinë e Kosovës dhe madje njëra prej kompanive ku ai është i përfshirë e ka të ndaluar të aplikojë për tenderët publik;

Dhënia e hapësirave reklamuese për bizneset private të anëtarëve të menaxhmetit përmes segmenteve të marketingut në kohën e pikut të shikueshmërisë.

Zogiani konsideron se RTK ka një mundësi të pafund për të shkelur konkurrencën në fushën e transmetuesëve, pasi ka pasur të hyra direkte nga buxheti publik, marketingu dhe donacionet.

Ndërsa, në projektligjin aktual për RTK-në, PDK-ja është më e zëshmja për rikthimin e taksës për RTK-në brenda faturës së rrymës me arsyetimin e ri-vendosjes së RTK-së në financim direkt nga publiku.

Praktika sipas Zogianit ka treguar të kundërtën. Kështu po përgatiten t’i jepen KEDS-it mes 1,3 e 2 milionë euro për komision.

Vendosja e RTK-së në varësi të KEDS sipas Zogianit do të thotë vetëm thellim i varësisë së saj nga PDK dhe nga Hashim Thaçi.

"Prandaj, ne insistojmë që me projektligjin e ri Kuvendi të mos përqendrohet vetëm te financimi, por të krijojë një ligj që garanton pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin e këtij transmetuesi."

 Lëvizja Vetëvendosje! nuk është kundër një transmetuesi publik të fortë.

"Mirëpo, ne kërkojmë një transmetues që i shërben publikut dhe jo një transmetues që përpiqet të krijojë opinion publik të përshtatshëm për interesa të ngushta politike e klanore të forcave në pushtet", ka deklaruar në fund Zogiani.
  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)