19 Prill 2024

Vala dhe IPKO dënohen me nga 10 mijë euro

Prishtinë, 30 janar - Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ka dënuar dy operatorët e telefonisë mobile Vala dhe IPKO me nga 10 mijë euro, pasi që nuk i janë përmbajtur afatit kohor për largimin e kodeve të huaja telefonike.

Zyrtarë të Telekomit të Kosovës thonë se çështja ka ngecur si pasojë e mungesës së investimeve teknike, ndërkaq në IPKO thonë se derisa operatorët e tjerë të bëjnë ndryshime në sistemin e kodit të ri, do ta mbajnë të hapur edhe kodin e vjetër. 

Ndonëse ishte paraparë të zbatohej me 15 janar kodi telefonik i Kosovës , një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kodi 383 në praktikë ka filluar të përdoret që nga viti i kaluar, por paralelisht në përdorim ishin edhe dy kodet e huaja 377 dhe 386. Kreshnik Gashi, kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, ka thënë për Radio Kosovën se për shkak të mosrespektimit të afateve të dy kompanitë mobile janë gjobitur. Ai tha se Vala dhe Ipko kanë premtuar se kodi 383 pritet të zbatohet tërësisht brenda këtij muaji.

Kreshnik Gashi: Operatorët gjatë javës së kaluar kanë premtuar se do të mundohen brenda këtij muaji të largojnë kodet e huaja. Megjithatë gjoba prej 10 mijë eurosh u është dhënë për muajin e parë dhe këto gjoba do të vazhdojnë të jenë në fuqi. Në rast se kemi vazhdim të kësaj situate për një kohë më të gjatë se dy a po tre muaj, ARKEP do të vazhdojë me gjoba.

Arsim Bilalli, zëdhënës i Telekomit të Kosovës, ka thënë kodi i ri ka filluar të zbatohet, por kanë mbetur edhe disa detaje teknike që e kanë pamundësuar implementimin në tërësi të kodit në afatin e dhënë nga ARKEP.
 
Arsim Bilalli: Një prej faktorëve kryesorë në mos përfundimin e këtij projekti më së shumti është varur nga limitet financiare. Mungesa e investimeve të duhura teknike, përfshirë këtu edhe mirëmbajtjen e sistemit operativ, që natyrisht ka koston e vet, ka imponuar situatën aktuale. Telekomi i Kosovës është edhe me tutje për të bërë përpjekje maksimale të përmbyllë dhe të avancojë të gjitha obligimet e domosdoshme teknike që e mbështesin implemtimin e plotë të kodit 383.

Ndërsa Edona Zogu, përgjegjëse për marrëdhënie me publikun në IPKO, ka thënë se të gjithë klientët e tyre identifikohen vetëm me kodin e ri shtetëror. Por, deri sa operatorët e tjerë të bëjnë ndryshimin në sistemet e tyre të kodit të ri shtetëror, do të mbetet i hapur edhe kodi i vjetër.

Edona Zogu“ Deri sa shumica e operatorëve t’i bëjnë ndryshimet në sistemet e tyre të kodit të ri shtetëror, do ta mbajë të hapur edhe kodin e vjetër. Nëse e mbyllim kodin 386 për thirrjet ndërkombëtare kjo do të nënkuptonte afektimin e disa prej klientëve tanë dhe si rrjedhojë nuk do të mund të lidheshin më me të dashurit e tyre që jetojnë jashtë vendit. Për ne është e rëndësishëm që klientët tanë të qëndrojnë të paprekur në këtë proces”, ka thënë Zogu për Radio Kosovën.

Kodi shtetëror telefonik i Kosovës +383 është ndarë në dhjetor të vitit të 2016 nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU). Dy kompanitë e telefonisë mobile që operojnë në Kosovë Vala dhe Ipko premtojnë se në një afat të shkurtër kohor, do ta zbatojnë në tërësi kodin +383. E  zyrtarë të ARKEP-it thonë se nuk do të ketë shtyrje të afatit dhe për çdo shkelje do të pasojnë gjobat që parashihen me ligj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)