21 Tetor 2019

Tre personalitete të shquara në pulla postare

Prishtinë, 26 shtator - Posta e Kosovës në kuadër të tematikës ’’Personalitete të shquara”, ka emetuar sot tre pulla postare me imazhet e atdhetarëve Shtjefën Gjeçovi, Ahmet Gashi dhe Mehmet Gjevori, që dhanë kontribut të pazëvendësueshëm në lëmin e arsimit, shkencës dhe çështjes kombëtare.

Shtjefën Konstantin Gjeçovi-Kryeziu u lind në Janjevë, në vitin 1874.  Studimet teologjike i kishte mbaruar në Bosnjë, ndërkaq si famullor shërbeu në Pejë, Kurbin, Gomsiqe etj.

Në Arbënesh të Zarës punoi për një kohë si mësues i shqipes. Mori pjesë në kryengritjet shqiptare kundër osmane në vitet 1909-1912 dhe më pas në Luftën e Vlorës më 1920.

Gjeçovi ishte shkrimtar, etnolog dhe arkeolog i shquar i etno-kulturës shqiptare. Ai përgatiti veprën kapitale “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, që paraqet një monument të së drejtës zakonore të shqiptarëve.

Gjithë veprimtaria arsimore dhe kulturore e tij përshkruhet me patriotizëm, për të cilën edhe vihet në shënjestër të shovinistëve serb, të cilët organizojnë vrasjen e tij më  14 tetor 1929.

Ahmet Gashi u lind në Prishtinë në vitin 1888, në një familje muhaxhirësh të dëbuar me dhunë nga Jabllanica.

Pasi mbaroi studimet për histori dhe gjeografi në Universitetin e Stambollit,  kthehet si mësues në Prishtinë dhe me nxitjen e Hasan Prishtinës u zgjodh sekretar i Klubit Shqiptar të Prishtinës.

Në vitin 1913, Gashi u emërua drejtor në shkollën qytetëse qendrore në Elbasan, profesor në Normalen e Elbasanit e pastaj drejtor i saj në vitet 1929-33.

Ishte autor i shumë teksteve mësimore të gjeografisë e të historisë dhe hartave të Shqipërisë. Nga viti 1936 ishte anëtar nderi i Shoqatës Kombëtare Gjeografike të Amerikës. Vdiq në Tiranë, më 1977.

Mehmet Gjevori u lind në vitin 1910 në Elbasan. Pas përfundimit të Normales, ishte njëri prej mësuesve që iu përgjigj ftesës së ministrit të atëhershëm të Arsimit Shqiptar, Ernest Koloqi për të shërbyer në Kosovë që nga viti 1941, ku në këtë periudhë rreth 90% e popullatës në Kosovë ishte analfabete.

Në Kosovë, Gjevori fillimisht emërohet drejtor shkolle në Prizren, pastaj inspektor arsimit, redaktor dhe kryeredaktor në shtëpitë dhe ndërmarrjet botuese të teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Ishte autor i Abetares së parë shqipe në Kosovë, autor i botimit “Frazeologjizmat e gjuhës shqipe dhe shpjegime”, si dhe autor i shumë librave të ndryshme. Kontributi i tij vazhdoi deri në përfundim të jetës në 2007.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 tetor 2019 - Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe në mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe UN Women-it, mbahet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit” me ç‘rast do të organizohet konferencë ndërkombëtare me moton “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave”. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Familja Hoxha mban konferencë për media për të shprehur zhgënjimin me Qeverinë Rama për neglizhencën në zbardhjen e fatin e Remzi Hoxhes. (Hotel The Plaza Tirana, orën 10:00)

- Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri pret në takim kryetarin e Odës Ekonomike Indiano-Kosovare, Anil Mishra. (Zyra e kryetarit, ora 11:45)

- Aleanca Kosovare e Biznesve dhe Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet  organizojnë ceremoninë zyrtare të vlerësimit për Vasfije Krasniqi-Goodman si Misionare e Paqës. (Zyrat e Misionit Diplomatik në Tiranë, rruga Donika Kastrioti, P14 Ap.3E, ora 12:00)

- Zyra e BE-së rganizon një vizitë në shkollën 'Nim Frashëri' e cila së shpejti do të lidhet me rrjetin e ngrohjes qendrore të ofruar nga Termokosi. (Shkolla “Naim Frashëri”, ora 14:30)