29 Mars 2024

Qeveria, vendim për shitjen e 75 për qind të aksioneve në PTK

Prishtinë, 16 qershor - Qeveria e Kosovës, ka zhvilluar sot mbledhjen e saj të 130-të, të rregullt në të cilën ka aprovuar Projekt-Strategjinë për pjesëmarrjen e sektorit privat në Post-Telekomunikacionin e Kosovës, dhe ka aprovuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për protokollin e shtetit të Republikës së Kosovës.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se prezantimi i opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është duke u afruar. Por, ka vlerësuar kryeministri Thaçi, edhe arritjet dhe bashkëpunimi i institucioneve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë po avancojnë. Në këtë kontekst ka vlerësuar sidomos takimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtarë, që është zhvilluar të hënën dhe i ka dhënë një mbështetje të fuqishme zhvillimeve në Kosovë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se vizita e tij e ardhshme në Bruksel do të jetë në funksion të prezantimit të arritjeve në përmbushjen e standardeve për të qenë pjesë në procesin e liberalizimit të vizave dhe të ardhmes së sigurt të Kosovës në strukturat euroatlantike.

Qeveria e Kosovës ka aprovuar Projekt-Strategjinë për pjesëmarrjen e sektorit privat në Post-Telekomunikacionin e Kosovës, që është rekomanduar nga Grupi Ndërministrorë për privatizimin e PTK-së. Ky grup ka punuar që nga tetori i 2008-ës, dhe ka rekomanduar së bashku edhe me këshilltarin e transaksionit të PTK-së, privatizimin e PTK-së si njësi ekonomike.

Posta e Kosovës, si njësi brenda PTK-së do të ndahet dhe do të mbetet në pronësi të Qeverisë së Kosovës, ndërsa telefonia fikse dhe ajo mobile do të privatizohen në paket, përmes shitjes së aksioneve deri në masën 75 për qind për sektorin privat, ndërsa Qeveria e Kosovës rekomandohet që të mbaj në pronësi 25 për qind të aksioneve.

Qeveria e Kosovës do të garantojë një proces të hapur dhe transparentë, dhe qytetarët e Kosovës do të jenë të informuar drejt dhe me kohë për këtë proces.

Vendimin final për privatizimin PTK-së, do ta merr Kuvendi i Kosovës.

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për protokollin e shtetit të Republikës së Kosovës, është aprovuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë. Ky projektligj do të funksionalizojë dhe plotësojë këtë ligj dhe njëkohësisht do ta bëjë atë më të zbatueshëm dhe më komplet.

Me propozim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Qeveria e Kosovës ka rekomanduar që Komuna e Prishtinës të marr vendimin që ngastrat kadastrale te tjegullorja dhe ngastra kadastrale në Hajvali ku do të ndërtohet Universiteti Amerikan në Kosovë të shpallen zona të interesit publik. Ministri i arsimit, Enver Hoxhaj ka bërë të ditur se në ngastrën kadastrale, te tjegullorja në Prishtinë, do të ndërtohet një shkollë për nevojat e nxënësve me cilësi të lartë. Kjo shkollë do të ndërtohet me financim të Bankës Botërore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)