21 Shtator 2019

Punëtorët e Aeroportit sot në grevë 6 orëshe, menaxhmenti ndëshkon grevistët

Prishtinë, 21 gusht - Punëtoret e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “ Adem Jashari”  do të vazhdojnë sot grevën gjashtë orëshe duke filluar nga ora 08:00 deri në orën 14:00.   

Kryetari i sindikatës së punëtorëve të aeroportit, Bashkim Latifi, ka thënë se 250 punëtorët e ndërrimit dhe 250 të tjerë kanë shkuar për të kërkuar plotësimin e pesë kushteve të tyre nga ana e menaxhmentit.

Latifi ka thënë se dje kanë provuar të zhvillojnë dialog me zyrtarët e Aeroportit dhe kanë zbritur në dy kërkesa në mënyrë që të vazhdohet puna, mirëpo as atëherë nuk janë marrë parasysh.

Menaxhmenti i Aeroportit përpos që s'ka përfillur kërkesat e punëtorëve, ai ka kërcenuar me masa ndëshkuese për grevistet ku vetëm dje ua ka rrezikuar vendin e punës 9 punëtorëve të cilët menaxhmenti ua ka ndaluar hyrjen në vendin e punës, pasi që nuk kanë pranuar të punojnë gjatë kohës kur është mbajtur greva e djeshme një orëshe.

“Menaxhmenti ka ndërmarr masa radikale dhe ka ndëshkuar punëtorët grevistë duke i përjashtuar nga puna, kjo është gjëra më e palejuar që ka mundur ta bëjë menaxhmenti. Janë nëntë punëtor për momentin që iu ka ndalua hyrja në aeroport pse nuk kanë dashur dje të punojnë. Si ka fillua prapë me atë mentalitet është do të largoj nga puna, mirëpo ka me na largua komplet 500 punëtorëve sepse jemi të vendosur në kërkesat tona”, tha Latifi.

Punëtorët përmes këtyre grevave po kërkojnë kompensim dhe benefite të tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesën e shujtës.

Grevën e punonjësve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës” Adem Jashari” e kanë përkrahur edhe Dega e Komunikacionit në Lidhje, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës të cilët kanë kërkuar që përmes dialogut sa më parë të gjendet zgjidhje për kërkesat e këtyre punëtorëve.

Kryetari i Degës së Komunikacionit në Lidhje, Alush Sejdiu ka thënë greva është duke shkuar sipas të gjitha kornizave ligjore, dhe se kërkesat e punëtorëve të Aeroportit janë legjitime.

Sipas tij shkeljet ligjore në të cilat po akuzohen grevistë nga menaxhmenti janë duke u bërë nga vetë menaxhmenti.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 shtator 2019 - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti merr pjesë në manifestimin tradicional Kulturor e Shkencor "Ditet e Dom Mikelit", Stubëll të Epërme të Vitisë. (Subëll e Epërme, ora 9:00)

- Fillon Dita e Pastrimit të Botës në Kosovë ku do të marrin pjesë ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, Forca e Sigurisë së Kosovës, Kompania “Pastrimi”, përfaqësues nga Komuna e Prishtinës, figura të rëndësishme diplomatike, studentë e vullnetarë të shumtë. (Stadiumi “Fadil Vokrri”’ në Prishtinë, ora 10:00)

- Me rastin e përvjetorit të Ahmet Krasniqit, kandidatja e LDK-së për Kryeministre, Dr. Vjosa Osmani bën homazhe te varri i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova dhe te varri i ish Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqi. (Velani, ora 10:00)

- Vazhdon kampionati ekipor në pingpong. (Shkolla Tefik Qanga në Ferizaj, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it mban konferencë për media, në të cilën do publikohet raporti: “Krimet e Rënda në Kosovë, ligji VS praktika: Analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve në rastet e trajtuara në Departamentet e Krimeve të Rënda të Gjykatave Themelore në Republikën e Kosovës, analizë e veçantë e trajtimit të rasteve të veprave penale të terrorizmit”. (Hotel Sirius, ora 10:30)

- OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë" organizon aksion pastrimi përreth liqenit “Batllava” në Orllan. (Orllan, ora 11:00)

- Aksionet e pastrimit mbahet në komunën e Podujevës. (Podujevë, ora 11:00)

- Mbahet një aksion me moton “Dita e pastrimit të Botës 2019” në Mitrovicë. (Para objektit të komunës së Mitrovicës, ora 11:00)

- OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë" organizon aksion pastrimi përreth liqenit “Batllava” në Orllan. (Orllan, ora 11:15)

- Kandidatja e LDK-së për Kryeministre, Dr. Vjosa Osmani shpalosë programin e LDK-së për zhvillimin ekonomik, në Konventën për zhvillim dhe punësim. (Hotel Emerald, ora 12:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti zhvillon një vizitë në Gjilan. (Gjilan, ora 12:00)

- Aksionet e pastrimit mbahet në Komunën e Prizrenit. (Prizren, ora 14:00)

- Promovohet libri monografik “Nexhmije Pagarusha” i cili është një rrëfim origjinal dhe personal i një udhëtimi të mrekullueshëm nëpër jetën dhe krijimtarinë e këngëtares tonë të famshme, bilbilit të këngës shqipe në Kosovë, znj. Nexhmije Pagarusha. (Hotel Swiss Diamond, ora 19:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti mban tubim në Petrovë të Shtimës. (Fshati Petrovë, ora 19:00)

 - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti mban tubim në Hajvali të Prishtinës. (Restaurant "Ora", Hajvali, ora 21:00)