19 Prill 2024

PTK terheqë aksionet në celularin e katertë në Shqipëri

Tiranë, 28 prill - Postë Telekomi i Kosovës(PTK) nuk i ka më 30 për qind të aksioneve në operatorin “Plus” në Shqipëri, ashtu siç ishte proklamuar më herët nga zyrtarët qeveritarë dhe drejtuesit e kompanisë publike.

Muaj më parë, PTK-së i janë kthyer 2.3 milionë eurot e paguara në emër të licencës në Shqipëri, me ç’rast aksionet e kësaj kompanie publike në operatorin “Plus” janë zvogëluar nga 30 në 3 për qind.

Në fakt, pjesëmarrja e PTK-së në tenderin për licencën e katërt të telefonisë mobile në Shqipëri ka nisur qysh në fillim me dallavere.

Në atë kohë ishte thënë se PTK-ja do t’i ketë 30 për qind të aksioneve në operatorin “Plus”, ku do ta ketë kontrollin e plotë në paketën e aksioneve pa e paguar asnjë euro, përderisa një përqindje e tillë e aksioneve i sigurohet vetëm në emër të përvojës teknike(know-how).

Këtë e kishte deklaruar në Kuvendin e Kosovës edhe ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, sipas të cilit pjesëmarrja e PTK-së në tenderin e shpallur në Shqipëri vetëm sa ia rrit vlerën kompanisë publike, pasi që i siguron 30 për qind të aksioneve atje.

Sipas burimeve të gazetës “Zëri” brenda PTK-së, muaj më parë kësaj të fundit i janë kthyer 2.3 milionët e paguara ne emër të licencës në “Plus”, nga rreth 7 milionë euro sa është paguar licenca, përderisa mjetet tjera prej më pak se 5 milionë euro i kishin paguar aksionarët tjerë.
Edhe kryetari i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj ka konfirmuar se PTK-së i janë kthyer 2.3 milionë eurot e paguara në emër të licencës.

Sipas tij, marrëveshja fillestare e PTK-së me aksionarët tjerë në operatorin “Plus” ka qenë që kompania publike t’i japë këto mjete, të cilat më pas do t’i kthehen.

Mirëpo, tashmë PTK në operatorin “Plus” ka vetëm 3 për qind të aksioneve, e jo 30 për qind, sa ishte thënë fillimisht.

“Mjetet na janë kthyer, ndërsa ne i kemi ruajtur 3 për qind të aksioneve. Me rritjen e investimeve në operatorin “Plus” automatikisht rritet edhe vlera e aksioneve tona atje”, është shprehur Gjonbalaj.

Në anën tjetër, për kreun e organizatës “Qohu”, marrëveshja e PTK-së me aksionarët tjerë të operatorit “Plus” ka qenë një marrëveshje e krimit të organizuar dhe bëhet fjalë për një marrëveshje jotransparente.

“Kjo është një marrëveshje e kryeministrit me ‘dosta’ të vet në Shqipëri dhe është një marrëveshje e krimit të organizuar”, ka thënë Zogiani.

Sipas tij, vetë fakti që në kuadër të një konzorciumi me partner privatë gjendet edhe emri i një kompanie publike, atëherë kjo mjafton si argument për prokurorinë për të nisur hetimet atje.

Përpos kryeministrit, Zogiani akuzon edhe ish-ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, i cili, sipas tij, në Kuvendin e Kosovës kishte deklaruar publikisht se PTK pa paguar asnjë cent i siguron 30 për qind të aksioneve në operatorin “Plus”. Megjithatë, PTK, siç thotë ai, pagoi 2.3 milionë euro dhe tashmë thuhet se i ka vetëm 3 për qind të aksioneve.

Ai thotë se as në strategjinë për privatizimin e PTK-së, e cila është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës, askund nuk përmendet se kompania publike ka aksione në operatorin “Plus”.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Tali thotë se ndryshimi i përqindjes së aksioneve të PTK-së në operatorin “Plus” tregon se çfarë shtete joserioze janë Kosova dhe Shqipëria, pasi që, sipas tij, po të ishin shtete serioze, atëherë dikush do të jepte përgjegjësi për këto çështje.

“Në momentet kur kontratat publike nuk respektohen, atëherë duhet të pasojnë sanksionet ndaj përgjegjësve”, pohon Tali.

Tali thotë se me këto dallavere duhet të merren organet e drejtësisë, pasi që, siç thotë ai, shkelja e kontratës paraqet vepër penale.


/http://www.24-ore.com/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)