06 Shkurt 2023

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj 4 personave në rastin “Prishtina Jet”, 242 të dëmtuar

Prishtinë, 7 dhjetor - Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve M.K., A.B., S.Z. dhe N.H., pasi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 323 paragrafi 4 lidhur paragrafin 1 dhe nenet 31 dhe 77 të KPRK-së, ndërsa ndaj të pandehurit M.K., po ashtu për veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga nenin 307 paragrafi 2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, të pandehurit nga viti 2020, në vazhdimësi e deri më 4 gusht 2022, përmes Agjencisë Turistike “Prishtina Jet sh.p.k”, pas një marrëveshjeje paraprake dhe në bashkëkryerje, me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme.

Ata sipas prokurorisë i kanë vënë në lajthim një numër të konsiderueshëm bashkatdhetarësh (242 tani të dëmtuar), duke i nxitur që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre përmes paraqitjes së fakteve të rreme.

Në ketë mënyrë i pandehuri M.K., si pronar, kurse A.B., si menaxher i agjencisë së lartcekur, u kanë shitur të dëmtuarve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e Gjermanisë dhe atë të Zvicrës për në Prishtinë dhe anasjelltas.

Këta përmes reklamimit në websajtin e tyre dhe sms-ave u kanë dërguar të dëmtuarve oferta joshëse për blerje të biletave fiktive me një çmim më të lirë se sa çmimi real, të cilat fluturime nuk janë realizuar asnjëherë ngase nuk kanë qenë të planifikuara e as të rezervuara apo të konfirmuara në sistemin e fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës, e as të atyre të Gjermanisë dhe të Zvicrës.

Kurse të pandehurit S.Z dhe N.H., përmes një marrëveshjeje (kontratë interne, e pa noterizuar) të nënshkruar me të pandehurin M.K., kanë krijuar një xhirollogari bankare në një bankë në Lucern të Zvicrës, të cilët në këmbim të një kompensimi prej 4 Euro për çdo transaksion kanë mundësuar shitjen e biletave fiktive të dëmtuarve në emër të agjencisë.

Pastaj gjithnjë sipas prokurorisë mjetet e mbledhura nga shitja e këtyre biletave, prej qindra mijëra eurosh, i kanë transferuar në xhirollogaritë bankare të agjencisë në Prishtinë dhe në llogari tjera të pandehurit M.K., kurse shumën prej 26,000.02 CHF i kanë transferuar në llogarinë bankare e të pandehurit N.H., çka me këtë të dëmtuarve, u kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 165,246.00 €, si dhe 56,981.00 CHF.

Ndërsa, i pandehuri M.K., nga viti 2020 e deri më 6 maj 2022, në cilësinë e personit përgjegjës të subjektit afarist, respektivisht Agjencionit turistik “Prishtina Jet Sh.p.k”, i njëjti me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka bërë shmangie nga pagesa e tatimeve të parapara me legjislacionin tatimor në Kosovë, në atë mënyrë që pas një kontrolli të bërë në lokalin e tij nga ana e inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, është konstatuar se i pandehuri ka deklaruar rrejshëm të hyrat dhe arkëtimet e realizuara nga qarkullimi i biznesit të tij tek organet kompetente, respektivisht te ATK-ja, për periudhën e lartcekur kohore, çka me këtë ka bërë shmangie tatimore dhe ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 24,928.38 €.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë, po ashtu, ka propozuar të konfiskohet dobia pasurore e fituar nga veprat penale, dhe atë shuma prej 35,000.00 CHF,  4,026.00 €, një veturë e tipit “Shkoda” e vitit 2017, shuma prej 165,246.00 € dhe 56,981.00 CHF, si dhe të pandehurit të URDHËROHEN për kompensimin e dëmit të shkaktuar të dëmtuarve sipas fletëpagesave/provave materiale të këtij rasti penal.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 shkurt 2023

- Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të organizoj një aksion si reagim ndaj skandalit të fundit me vende të punës në Arsim dhe akuzave publike për shitjen e vendeve të punës. (Para Komunës së Prizrenit, ora 9:30)
    
- Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve lanson Platformën për Punësim të të rinjve ku pjesëmarrës do të jenë Kryeministri, Albin Kurti, Ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly dhe Ministri, Hekuran Murati. (Hotel Sirius, ora 10:00)
    
- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ku në rend dite është Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti. (Kuvendi i Kosovës, salla C301, ora 11:00)

- Kryesia e Parlamentit Studentor mban konferencë për media lidhur me organizimin e marshit kundër asociacionit. (Para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, ora 11:00)

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, takohet me përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshillit Koordinues të Familjarëve të Personave të  Zhdukur gjatë luftës në Kosovë. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 12:00)

 

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati vizitojnë ndërmarrjen “Liri”, në Prizren. (Ndërmarrja "Liri", Prizren, ora 16:00)

 

- Kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama së bashku me përfaqësuesit e grupeve të qytetarëve organizojnë ceremoninë e nënshkrimit të Agjendës për Kontratën Sociale për Kryeqytetin që është zotim i përbashkët ndërmjet zyrtarëve të komunës dhe qytetarëve për të përmirësuar komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive. (SHFMU “Ismail Qemajli”, Bregu i Diellit, ora 19:00)