03 Shkurt 2023

Posta nderon artistin Simon Shiroka

Prishtinë, 4 nëntor - Në kuadër të tematikës arti pamor, Filatelia e Postës së Kosovës lëshon sot në qarkullim tri pulla postare me pamje të veprave të artistit tonë Simon Shiroka.

Krijimtaria e tij artistike zë një vend të merituar jo vetëm në artin pamor shqiptar por edhe në artin ndërkombëtar.

Motivet e krijimeve të tij burojnë nga trashëgimia kombëtare. Rozeta, skulptura, arti bashkëkohor, piktura, maska dhe grafika, janë kategoritë në të cilat ndahet arti i Simon Shirokës. Kritikët i vlerësojnë si art mahnitës veprat e filigranistit prizrenas të punuara me argjend, ari, bakër dhe materiale të tjera. Punimet e tij u përdorën edhe për zbukurim të veshjeve tradicionale shqiptare.

Valltari, gruaja e vetmuar, fyelli i okarinës, maska, figura abstrakte e skica me ngjyra dhe bardhezi zënë vend në veprat e tij të shumta, që vazhdojnë të ruhen me dashuri e kujdes të veçantë nga familja e tij.

U lind më 1927 në Prizren, ndërkaq ndërroi jetë në vitin 1994, në Prishtinë. Pamjet për pullat postare janë siguruar nga familja Shiroka, të cilën Posta e Kosovës e falënderon përzemërsisht.

Veprat e artistit tonë janë prezantuar në ekspozita të ndryshme kolektive dhe individuale, e nga sot, përmes shërbimit postar, do të ekspozohen gjithandej në botë. Kjo na bën jashtëzakonisht krenar.


  

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 shkurt 2023  - Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 9:00)

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancë të jashtëzakonshme, ku në rend dite do të jetë falja e tatimit në pronë në vlerën deri 100 euro për të gjithë tatimpaguesit e kësaj komune, për vitin 2023. (Salla e Kuvendit Komunal të Gjilanit, ora 10:00)

- Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës mban konferencë për shtyp lidhur me gjendjen e punëtorëve teknik të Sektorit Privat te Kosovës dhe dialogu me qeverinë dhe institucionet tjera të Kosovës. (Zyrët e Sindikatës, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës Dega në Prizren, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore, si dhe shqyrton listën e kandidatëve për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekuiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 13:30)

- Prezantohet puna e kryer rreth vajzave dhe grave me aftësi të kufizuara të cilat kanë folur hapur për historitë e tyre të, abuzimeve seksuale, dhunës fizike, dhunës psikike, keqtrajtimeve, ofendimeve dhe diskriminimeve. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:30)

- Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës organizon marsh kundër Asociacionit, dhe në shënim të 53-vjetorit të themelimit të UP-së. (Biblioteka Kombëtare, ora 16:00)