07 Dhjetor 2019

Policia apelon për kujdes të shtuar në komunikacionin rrugor

Pejë, 3 nëntor - Policia e Kosovës në Rajonin e Pejës, apelon për kujdes të shtuar në komunikacionin rrugor.

Siguria rrugore do të trajtohet gjithmonë me seriozitet nga Policia e Kosovës dhe njësitet e saj.

Pakujdesia gjatë operimit me mjet në komunikacionin rrugor merr çdo vit me dhjetëra jetë njerëzish dhe shkakton dëme materiale të konsiderueshme.

Nisur nga rrethanat e ndryshimit të motit, si dhe vështirësitë që krijohen në qarkullimin e automjeteve si pasojë e mjegullës, shiut, erës, borës dhe ngricave Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore.

Të gjitha akset rrugore do të jenë të mbuluara nga Njësitë Rajonale të Komunikacionit, të cilat do të ushtrojnë kontrollë të vazhdueshme për pajisjen e automjeteve me goma dimërore, zinxhirë, në ato akse ku është i nevojshëm përdorimi i tyre, si dhe për respektimin e normave të shpejtësisë së lejuar dhe përshtatja e kushteve të rrugës, gjithashtu edhe ndërmarrjen e masave preventive ndaj shoferëve të cilët janë të obliguar për përdorimin e dritave për ndriçimin e rrugës dhe dritat e mjegullës në rastet e zvogëlimit të dukshmërisë së rrugës.

Policia e Kosovës kërkon nga drejtuesit e automjeteve që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor, t’u përshtaten kushteve atmosferike si dhe të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes në akset rrugore ku bora dhe ngricat janë të pranishme.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, Policia apelon tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.

Me angazhimet njësiteve policore dhe institucioneve tjera përgjegjëse, si dhe me një kujdes të pjesëmarrësve në komunikacion, besojmë që kjo sezone dimërore të kalohet me një numër më të vogël të aksidenteve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 dhjetor 2019 - Këshilli Gjyqësor i Kosovës organizon Konferencën e Nëntë Gjyqësore në të cilën do të marrin pjesë tërë struktura e sistemit të drejtësisë në Kosovës për të diskutuar temën: “Të arriturat dhe sfidat e sistemit gjyqësor gjatë vitit 2019”. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Federata e pingpongut të Kosovës do të organizojë turneun më të fortë të vitit 2019,  TOP 12 për Seniorët më të mirë, me të cilat edhe përmbyllen garat për vitin 2019. (Palestra e sporteve në Prishtinë, ora 10:00)

- Federata e Futbollit e Kosovës organizon turneun final të projektit “Rekrutimi i vajzave të reja në futbollin e organizuar” nën moton “Ti mund ta bësh – You Can Do It”, ku do të marrin pjesë ekipet fituese të turneve të mbajtur në 13 komuna. (Kompleksi “Sopa Sport” në Lipjan, ora 10:15)

- Rrjeti i Grave të Kosovës mbledhë 158 organizatat anëtare, përkrahësit individual, partnerët, miqtë, dhe përfaqësuesit e mediave në Kuvendin e 17-të Vjetor të Anëtareve. (Hotel Sirius, ora 10:30)

- Misioni i OSBE-së organizon konferencë ku do të prezantojë aktivitetet që Misioni ka organizuar gjatë vitit 2019 me të rinj, siç janë Akademia e OSBE-së për Dialog, Deklarata Ndër-Komunale për Dialog ndërmjet Komuniteteve, si dhe Lojërat Mini-Olimpike për Njerëz me Nevoja të Veçanta, të cilat kanë sjellë së bashku të rinj nga komunitete të ndryshme. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:30)

- Gecjan Fashion Group sjellë për të 13-in Vit me radhë, ngjarjen më të madhe të modës në rajon “Kosova International Fashion Week 2019”. (Salla e panaireve në Shkabaj, ora 18:00)