19 Mars 2019

Policia apelon drejtuesit e automjeteve që të kenë kujdes

Prishtinë, 4 janar - Për të parandaluar aksidentet rrugore, Policia e Kosovës do të vendosë, në muajin maj, radarë me kamera në çdo rrugë nacionale të Republikës së Kosovës.

Ekspertët e komunikacionit rrugor thonë se fundi i shkurtit do të sjellë akullin e zi, ku mund të sjellë edhe fatalitete të tjera.

Policia bën apel për drejtuesit e automjeteve që të kenë kujdes, sidomos në orët e hershme të mëngjesit, ku për shkak të kohës se ftohtë ka ngrica në rrugë.

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, vlerëson se institucionet e vendit nuk janë fare  të përgatitura sa i përket masave mbrojtëse nga aksidentet rrugore.

Ai thotë se drejtuesit e automjeteve në Kosovë kanë mungesë të informacioneve dhe gjatë ngasjes së veturës nuk e kanë të ditur se çka do t’u ndodhë në momente të caktuara. Dedaj paralajmëroi akullin e zi në fund të shkurtit, i cili, sipas tij, mund të shkaktojë edhe aksidente të tjera me fatalitet.

”Nga fundi i muajit të dytë pritet të ndodhë akulli i zi, që drejtuesit dhe popullata nuk janë të informuar se ky faktor mund të sjellë aksidente me pasoja fatale. Në disa vende të Kosovës, ku janë temperaturat e ulëta, bëhet avull dhe ka mjegulla të dendura, në ato raste paraqitet akulli i zi. Do t’i përmendi vetëm dy pika, rruga e Sllatinës dhe rruga e Mazgitit ku shkon për Obiliq, këtu është pasiguri dhe rrezikshmëria për fatalitet është e madhe. Kjo është mungesë e institucioneve tona, të cilat nuk kanë bërë kurrë analiza”, tha ai për Radio Kosovën.

Ai shtoi se duhet bërë aplikacione ku drejtuesit e automjeteve mund të marrin informacione në mënyrë elektronike për pika të caktuara të rrugës që nuk janë të identifikuara.

Për të parandaluar aksidentet me fatalitet, Ministria e Infrastrukturës këtë vit ka bërë një marrëveshje me qeverinë hungareze për implementimin e sistemit inteligjent të menaxhimit të komunikacionit rrugor. Zyrtari për informim i kësaj ministrie, Rexhep Kadriu,  i ka thënë Radio Kosovës se nga muaji maj, në çdo rrugë nacionale të Republikës së Kosovës  do të vendosen radarë me kamera.

 “Në muajin prill apo maj  do të vendosim radarë me kamera nëpër rrugët nacionale të Republikës së Kosovës. Mirëpo, gjatë 2018 kemi bërë përpjekje të mëdha që rrugët tona të kenë një sinjalistikë rrugore të mirë. Ne tash e kemi dyfishuar buxhetin, që shkon në 4 milionë, për investime në sinjalisitikë rrugore”, ka thënë ai.
 
Kadriu shtoi se Ministria e Infrastrukturës,  në bazë të kontratave që ka pasur me operatorët ekonomikë, ka vendosur edhe vija anësore të bardha pas shumë viteve, por, siç thotë ai, nuk janë përfunduar të gjitha e që pritet të përfundohen në përmirësimin e kohës në pranverë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka bërë apel te drejtuesit e automjeteve të kenë kujdes në rrugë, sidomos në orët e hershme të mëngjesit, ku mund të ketë ngrica për shkak të kushteve atmosferike. Ai tregoi se me rastin e shënimit të vitit të ri ka pasur dy aksidente me pasoja fatale. 

Statistikat e përgjithshme për datën 31dhjetor, kanë evidentuar dy aksidente me pasoja fatale. Data 1 janar, ka kaluar pa aksidente fatale ndërsa me datën 2 ka ndodhur një aksident në një fshat të Suharekës,  ku një person ka goditur një këmbësor dhe si pasojë e goditjes, personi ka ndërruar jetë”, ka thënë ai.

Kujtojmë se numri i aksidenteve me fatalitet në Kosovë ka qenë shumë shqetësues. Brenda vitit 2018 kanë humbur jetën 110 persona. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 mars 2019 - Ministria e Integrimit Evropian feston 10 vjetorin e bashkëpunimit Kosovë – JICA”. (Hotel Swiss Diamond, ora 9:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit gjatë së cilës do të publikohen gjetjet e raportit nga monitorimi i Kontratave për furnizim me material shpenzues për Hemodializë për vitin 2018, në një diskutim me përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile. (Orion Conference Center, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit Ad-hoc për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Rrjeti i Grave të Kosovës organizon mbledhjen e radhës së Koalicionit për Barazi “Fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në politikë”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale në Maqedoninë Veriore në koordinim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe me përkrahjen teknike të ofruar nga Sekretariati i Përbashkët Teknik organizojnë Forumin Konsultativ. (Hotel International Prishtina, ora 11:00)

- Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës mban konferencë për media. (Ndërtesa e Kuvendit, kati III, para sallës C301, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban aktivitet. (Takimi me mediat bëhet pranë QKMF-së, te Qafa, ora 12:00)

- Promovohet romani “Rrota e Ujit” i autores Resmije Kryeziu. (Kolegji AAB, objekti V, te këndi i Librarisë, ora 12:00)

- Oda e Afarizmit të Kosovës organizon konferencë për media lidhur me Udhëzimet Administrative të cilat janë në mospërputhje me Ligjin për Minierat dhe Mineralet që po pengojnë zhvillimin e bizneseve të këtij sektori. (Zyret e OAK-së, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Ambasadori Kosnett do të vizitojë Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës ku do të merr pjesë në nisjen zyrtare të Njësisë për Luftimin e Mashtrimeve, e cila do të veprojë në kuadër të ZKAK. (Lokalet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, rr. Ahmet Krasniqi, Arbëri, ora 15:10)

- Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Podujevë organizon manifestim me rastin e 29 vjetorit të themelimit. (Restaurant Ora, ora 17:00)