19 Mars 2019

MZHE synon qe brenda dy viteve ta privatizojë Telekomin e Kosovës

Prishtinë, 22 tetor - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, priti në takim Koordinatorin përgjegjes i Qeverisë Gjermane për çështje dhe marrdhënie Transatlantike dhe njëherit anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme, Peter Beyer, ku diskutuan rreth ndërmarrjeve publike me theks të veçantë Telekomin e Kosovës dhe termocentralin “Kosova e Re”.

Ministri Lluka gjatë takimit e njoftoi Beyer rreth gjendjes aktuale të ndërmarrjeve publike qendrore, reformat të cilat janë ndërmarrë dhe synimeve e Qeverisë së Kosovë për privatizimin e Telekomit të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës, veçanërisht MZHE, duke parë gjendjen e Telekomit të Kosovës është duke u munduar që brenda dy viteve ta privatizojë atë dhe ta kthejë në gjendje profitabile. Ndërsa për sa i përket ndërmarrjeve publike qendrore në përgjithësi, janë ndërmarrë reforma si dhe është miratuar projektligji i ri, i cili ndër të tjera synon që të përmirësojë funksionimin e tyre”, tha ministri Lluka.

Gjithashtu, Lluka, e informoi Peter Beyer rreth ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, për rëndësinë jetike që ka për bizneset vendore si dhe për punën që është duke u bërë në projektet e energjisë së ripërtrishme, ku deri në vitin 2020 pritet të arrihet synimi që 25% e energjisë së prodhuar të jetë nga energjia e ripërtrishme.

Po ashtu u nda edhe një shqetësim ku si pasojë e moszbatimit të marrëveshjes së interkoneksionit me Serbinë, ka humbje të mëdha në sektorin e energjisë.

Ministri kërkoi përkrahje nga z.Beyer në implementimin e kësaj marrëveshje të cilën e konsideroi jetike për bizneset dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 mars 2019 - Ministria e Integrimit Evropian feston 10 vjetorin e bashkëpunimit Kosovë – JICA”. (Hotel Swiss Diamond, ora 9:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit gjatë së cilës do të publikohen gjetjet e raportit nga monitorimi i Kontratave për furnizim me material shpenzues për Hemodializë për vitin 2018, në një diskutim me përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile. (Orion Conference Center, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit Ad-hoc për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Rrjeti i Grave të Kosovës organizon mbledhjen e radhës së Koalicionit për Barazi “Fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në politikë”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale në Maqedoninë Veriore në koordinim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe me përkrahjen teknike të ofruar nga Sekretariati i Përbashkët Teknik organizojnë Forumin Konsultativ. (Hotel International Prishtina, ora 11:00)

- Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës mban konferencë për media. (Ndërtesa e Kuvendit, kati III, para sallës C301, ora 11:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban aktivitet. (Takimi me mediat bëhet pranë QKMF-së, te Qafa, ora 12:00)

- Promovohet romani “Rrota e Ujit” i autores Resmije Kryeziu. (Kolegji AAB, objekti V, te këndi i Librarisë, ora 12:00)

- Oda e Afarizmit të Kosovës organizon konferencë për media lidhur me Udhëzimet Administrative të cilat janë në mospërputhje me Ligjin për Minierat dhe Mineralet që po pengojnë zhvillimin e bizneseve të këtij sektori. (Zyret e OAK-së, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Ambasadori Kosnett do të vizitojë Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës ku do të merr pjesë në nisjen zyrtare të Njësisë për Luftimin e Mashtrimeve, e cila do të veprojë në kuadër të ZKAK. (Lokalet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, rr. Ahmet Krasniqi, Arbëri, ora 15:10)

- Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Podujevë organizon manifestim me rastin e 29 vjetorit të themelimit. (Restaurant Ora, ora 17:00)