08 Shkurt 2023

Milaim Zeka suspendohet nga puna në RTK

Prishtinë, 31 janar - Milaim Zeka është suspenduar për 6 muaj nga menaxhmenti i Radiotelevizionit Publik të Kosovës (RTK).

Vendimi për shkarkimin e Zekës është marrë nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Ahmetxhekaj ka thënë se vendimin për suspendimin e Zekës e ka marrë pas konfirmimit nga ana e prokurorisë se ndaj të njëjti janë tri aktakuza aktive.

“Kam kërkuar nga Prokuroria Themelore që ta sqarojë pozicionin e tij (Zekës) juridik dhe është konstatuar se ka tri aktakuza të konfirmuara dhe dy në proces”, ka thënë ai.

Shkarkimin e Zekës, Ahmetxhekaj e ka mbështetur edhe në vërejtjen e fundit të Komisionit Disiplinor të RTK-së ndaj Zekës.

“Paraprakisht Komisioni Disiplinor e ka ndëshkuar me vërejtjen e fundit më shkrim, që është një lloj para përjashtimit nga puna, për shkak të shkeljeve të rregulloreve të brendshme e që kanë të bëjnë me deklarimet e tij politike nëpër debatet politike, studiot e ndryshme që është e ndaluar me rregullore të brendshme. Kështu kam vepruar në bazë të këtyre rregulloreve dhe (Zeka) është suspenduar për 6 muaj nga puna”, ka thënë ai.

Zeka gjithashtu disa ditë me parë ka pranuar se ai ka kontratë aktive në Radio Televizionin e Kosovës, por se shkon vetëm të lajmrohet dhe të pijë kafe dhe nuk punon asgjë.

“Unë e kam kontratën e punës në RTK. Unë shkoj çdo ditë në punë pi kafe dhe dal a din pse? Sepse unë nuk kam karrige, nuk kam kompjuter thjesht nuk kam vend ku të ulem. Imagjino në televizionin publik. Pyete menaxhmentin pse kanë pru njerëz të rinj e na kanë lanë neve pa karriga”, ka deklaruar Zeka në një medium kosovar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 shkurt 2023

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, shqyrton Projektligjin për Sigurinë e përgjithshme të produkteve. (Kuvendi i Kosovës, salla N506, ora 10:00)
    
- Përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raportojnë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me Raportin e Auditimit për të “Hyrat nga Qiraja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”. (Kuvendi i Kosovës, salla C203, ora 10:00)
    
- Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë mban tryezë diskutimi me temën: “Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës – progresi në zbatimin e tij”. (Hotel Sirius, ora 10:00)    

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare me pikat e pa përfunduar. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-së, ora 13:30)
    
- Organizata paditëse GLPS dhe një qytetare e Republikës së Kosovës do të paraqesin Padi për konflikt administrativ për refuzimin e kompensimit për personin paraplegjik dhe tetraplegjik. (Pallati i Drejtësisë, Ndërtesa A, ora 14:00)

- Federata e Futbollit e Kosovës mbledh të gjitha klubet e Superligës së Kosovës në një ngjarje të veçantë, ku fituesit e fushatës së nisur javë më parë në rrjetet sociale do të shpërblehen me fanella të nënshkruara nga vet lojtarët e ekipeve të ndryshme. (Kati i parë në Albi Mall, ora 18:00)

- Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) organizon hapjen e ekspozitës së përkohshme të veprës “Albumi familjar – Mes kujtimit dhe realitetit” (Family Album – Between Recollection and Reality) nga Alban Muja, e cila do të pasohet me një bisedë me artistin. (Vendi: Qendra e Dokumentimit, Biblioteka “Hivzi Sylejmani”, Dardani, ora 19:00)