29 Janar 2020

Mëngjesi me ngrica të dobëta, kërkohet kujdes në komunikacion

Prishtinë, 15 janar - Në parashikimin e motit për dy ditët e ardhshme, Instituti Hidrometerologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të mbajë mot i qetë, me mjegull dhe kryesisht i vranët.

Nesër parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Në mëngjes gjatë këtyre dy ditëve të parashikimit, parashihet mot me ngrica të dobëta, por për shkak të lagështisë së lartë të ajrit, ngasësit e makinave duhet të kenë kujdes në komunikacion.

Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -2 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 2-6 gradë Celsius deri 6 gradë Celsius.

Shtypja atmosferike mbetet e lartë, dukshëm mbi vlerat e normales, cilësia e ajrit gjithashtu mbetet në vlerat e pashëndetshme, për shkak të kësaj situate pasive meteorologjike. Do të fryjë erë e dobët nga verilindja.

Kalendari

Ngjarjet e datës 29 janar 2020

- Bazuar në Rregulloren nr. 09/2019 për Procedurën dhe Kriteret e Zgjedhjes së Anëtarëve të  Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga Gjyqësori, KGjK-ja ka caktuar votimin e zgjedhjes së një gjyqtari/e të nominuar nga radhët e Gjykatës së Apelit për Anëtar/e të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Pallati i Drejtësisë, Gjykata e Apelit, objekti B, salla Nr.124, ora 9:00) 

- Organizata Joqeveritare “Ngritja e Zërit” dorëzon shtatë lëndë në Gjykatën Kushtetuese rreth vlerësimit të kushtetutshmërisë se aktit juridik të Gjykatës Supreme me rastin e refuzimit të padive për kompensimin e dëmeve të luftës. (Gjykata Kushtetuese, ora 9:00)

- Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë organizon prezantimin e raportit hulumtues "Përmbledhje e qasjes së Kosovës në deradikalizimin dhe ri-integrimin e qytetarëve të kthyer nga zonat e luftës në Siri dhe Irak". (Qendra e Konferenca "Orion", ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e 25 e Kuvendit të Komunës së Istogut. (Salla e Kuvndit të Komunës së Mitrovicës, ora 10:00)

- Komuna e Klinës bën homazhe në nderim të dëshmorëve Vesel S. Avdyli, Ilir R. Merturi dhe Naim XH. Gashi. (Varrezat e dëshmorëve të Kodra e Kuqe në Grabanicë të Klinës, ora 11:00)

- Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić, do të paraqesin prioritetet e Presidencës së Kroacisë të Këshillit të Bashkimit Evropian. (Menza Ramiz Sadiku, ora 12:00)

- Komuna e Klinës organizon manifestimin tradicional kulturor e përkujtimor, “Flaka e Janarit 2020” në nderim të dëshmorëve Vesel S. Avdyli, Ilir R. Merturi dhe Naim XH. Gashi. (Qendra e Kulturës "Jehona e Dukagjinit" në Klinë, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

 

- Mbahet ceremonia e varrimit të zyrtarit policor, i rënë në kryerje të detyrës në aksionin e policisë në fshatin Zhur të Prizrenit. (Varrezat e fshatit Shkarashnik në Komunën e Malishevës, ora 15:00)