28 Mars 2024

Linjat ajrore, fatura e dëmit është 1.7 miliardë dollar

Bruksel, 23 prill -  Linjat ajrore kanë humbur të paktën 1.7 miliardë dollarë fitime gjatë krizës së hirit të vullkanit në Islandë. Kjo është deklarata e bërë nga një grup që merret me mbikëqyrjen e fluturimeve në Europë, ndërkohë që qeveritë e kontinentit po debatojnë në lidhje me mënyrën se si u përballua kjo krizë, e cila shkaktoi shumë dëme jo vetëm për shoqëritë e fluturimeve.

Pardje, avionët kanë nisur fluturimin në pjesën më të madhe të hapësirave ajrore në Europë, përfshi edhe aeroportet e mëdha të Londrës, Parisit dhe Frankfurtit, që janë edhe më të rëndësishmet dhe më të mëdhatë e kontinentit, duke përballuar një fluks të jashtëzakonshëm udhëtarësh.

E, megjithatë, sipas ekspertëve të vullkaneve mund të ketë edhe gjatë ditëve në vazhdim probleme me hirin, sidomos në rast se do të ketë ndonjë shpërthim të ndonjë vullkani të ri. Gjatë periudhës së ndalim fluturimit llogaritet që në të gjithë botën të jenë ndaluar gjithsej 102000 fluturime.

Eurocontrol, Agjencia e Trafikut Ajror në Bruksel, që merret me kontrollimin e të gjitha fluturimeve, bëri të ditur se 21000 nga 28000 fluturime të parashikuara do të kryheshin në mesin e javës. Ndërkaq, disa shtrëngime do të vazhdojnë të qëndrojnë edhe në Britaninë e Madhe, në Irlandë dhe në disa zona të Francës.

Shefi i Shoqatës së Transportit Ndërkombëtar Ajror, e cilësoi dëmin ekonomik të shkaktuar nga 6 ditët e ndalimit të fluturimeve “jashtëzakonisht të madh” dhe u bëri thirrje qeverive europiane të ekzaminojnë dhe të analizojnë mënyrat për të kompensuar humbjet e tyre kompanitë ajrore, siç bënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas tragjedisë dhe problemeve që pasuan ngjarjet e 11 shtatorit. Sipas tij, tashmë industrive do t’u duhen rreth 3 vjet për t’u rimëkëmbur nga një goditje e tillë, e cila ka prekur sigurisht edhe sektorë të tjerë të ekonomisë.

Gjatë këtyre ditëve, aeroportet e Spanjës, që kanë funksionuar në përgjithësi, janë shndërruar në udhëkryqe e udhëkalime të fluturimeve që vinin nga anë të ndryshme të botës. Sipas agjencive të ndryshme të fluturimeve, vendimi për të rihapur hapësirat ajrore është marrë pas shqyrtimit të të dhënave të posaçme të specialistëve të meteorologjisë.

Megjithatë, askush nuk mund të bëjë parashikime për ditët në vijim. Sipas specialistëve, mund të ndodhë që befas një erupsion i vullkanit aktual, apo i ndonjë vullkani aty pranë të shkaktojë sërish një re hiri dhe si pasojë gjithçka të bllokohet edhe njëherë për arsye të sigurisë së fluturimeve.

Për sa u përket humbjeve të pësuara nga linjat ajrore, çdo ditë që ka kaluar pa lëvizur nëpër qiej, ato kanë humbur plot 400 milionë dollarë. Ky ndalim preku 29% të fluturimeve ajrore në të gjithë globin dhe shkaktoi një situatë kaotike në të gjitha të tjerat. Kriza për nga numri i parave të humbura dhe shkalla e dëmit cilësohet më e madhe dhe më e rëndë edhe se ajo e 11 shtatorit. Kritika të ndryshme ka në lidhje me mënyrën se si e përballuan krizën qeveri të vendeve të ndryshme.

Disa linja ajrore kanë bërë të ditur se masat nuk duhet që të kishin qenë në shkallë kaq të gjerë, duke qenë se edhe situata nuk ishte aq tragjike. Ndërkaq ka pasur edhe nga ato kompani që e kanë mbrojtur kundërpërgjigjen e qeverisë, duke e cilësuar si një masë, e cila ruajti shumë jetë njerëzish.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)