06 Tetor 2022

Lansohet pulla postare “30-vjetori i Zgjedhjeve Parlamentare-Presidenciale”

Prishtinë, 24 maj - Me rastin e shënimit të 30-vjetorit të zgjedhjeve parlamentare, Filatelia e Postës së Kosovës, nga sot emeton emisionin e ri të pullës postare të titulluar: “30-vjetori i Zgjedhjeve Parlamentare-Presidenciale”.

Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992 në Republikën e Kosovës kishin rëndësi të veçantë historike, kombëtare e shtetërore.

Në Kosovë më 24 maj 1992, me simbolikë shtet-formuese, mbi 89% të qytetarëve të Kosovës votuan për të zgjedhur Presidentin e Republikës së Kosovës dhe 100 deputetë për Parlamentin e Kosovës. Me shumicë të votave Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës.

Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të vitit 1992, e dëshmoi përpjekjen e popullit për një shtet demokratik, prandaj përmes imazhit të kësaj pulle postare, Filatelia e Postës së Kosovës e nderon këtë ngjarje historike të vendit tonë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 tetor 2022

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton raporti me amendamente për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurën Përmbarimore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 9:00)

- Byroja Kosovare e Sigurimit shënon 11 vjetorin e themelimit. (Hotel Venus, ora 9:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe UNDP Kosova do të organizojnë  fillimi e fushatës për ndërgjegjësimin e publikut  “Festo me zemër, jo me armë” që synon ngritjen e vetëdijes për rrezikun e posedimit dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta. (Swiss Diamond Hotel, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KEK-ut, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Oda Amerikane po organizon tryezën e rrumbullakët me titullin "Ndërtimi i partneritetit për përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve në Kosovë", për të diskutuar lidhur me këtë temë dhe sfidat e tjera në fushën e kujdesit shëndetësor, me ekspertë eminentë nga Kroacia. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës interviston Jeton Mehmetin Kryesues i Bordit të Drejtorëve të KOSTT. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Avokati i Popullit organizon dëgjime publike përkitazi me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ora 10:00)

- Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli do të mbajë konferencë për media me temë 'Masat për subvencionim të efiçiencës së energjisë për qytetarët'. (Ministria e Ekonomisë, salla e takimeve, ora 11:00)

- Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës raporton para Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal lidhur me punën 6 mujore të vitit 2022. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 12:00)

- Me rastin e vdekjes së ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Deli Lekaj, Komuna e Deçanit organizon mbledhjen komemorative. (Salla e Kuvendit të Komunës, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 13:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike interviston anëtaret e bordit të KOSTT-it, për periudhën 2006-2008. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:00)