24 Maj 2019

Kurti kërkon që prokuroria dhe policia të veprojë për gjendjen në Telekom

Prishtinë, 14 maj - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka akuzuar presidentin Thaçi për gjendjen në Telekomin e Kosovës.

Ai ka thënë se është pikërisht presidenti Thaçi ai që qëndron prapa kontratës së Telekomit me Z Mobile, e që sipas tij është arsye e krizës në Telekom.

“Kontrata e Telekomit me Dardafone dhe Dardafone.net si dhe ajo me Z Mobile është krim i organizuar, si dhe faktor kryesor i krizës aty.  Z Mobile ia placket mbi qerekun e të hyrave Telekomit të Kosovës. Prapa Z Mobile qëndron presidenti Thaçi”, ka thënë ai.

Madje sipas Kurtit, ka ardhur koha që Policia e Prokuroria të veprojë për gjendjen në Telekom.
Kurti përmendi disa metoda për zgjidhjen e problemit. E para, tha se si dëshmi është kontrata mizore në mes të Telekomit dhe Z-Mobile.

Ai tha se kontrata ishte konsidetuar e dëmshme, mirëpo Qeveria prapë se prapë e kishte nënshkruar atë.

Kurti tha se në vitin 2009, Telekomi i Kosovës i dha buxhetit 200 milionë euro, e sot po e kërcënon falimentimin.

Ai tha se privatizimi i Telekomit është problem i madh, pasi Kosova si shtet për tokë, nuk duhet të privatizojë.

“Privatizimi është problem shumë i madh. Është e vërtetë që një pjesë e aksioneve iu takon privatëve, shteti i fuqishëm e ka luksin të japë privatizim, mirëpo një shtet për tokë, si Kosova nuk e ka këtë luksin”, tha Kurti.

Ai tha se pa e forcuar shtetin, nuk guxojmë të privatizojmë.

Albin Kurti përmendi edhe kur Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, e kishte miratuar rezolutën për shpëtimin e Telekomit, më 12 korrik.

“Kuvendi e ka miratu rezolutën, mirëpo qeveria nuk po e zbaton atë. Me 12 pika, Kuvendi e ka dhënë zgjidhjen se si të shpëtohet Telekomi”, tha Kurti.
  

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 maj 2019 - Nisin punimet për rregullimin e rrugës kryesoret të qytetit të Deçanit Rrugës së  Qendrës konkretisht rrugës 'Luan Haradinaj' dhe 'Dëshmoret e Kombit'. (Në afërsi të pikës së karburantit Agonisi Gas në Carrabreg, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të behët shqyrtimi i Raportit të Auditimit për raportet financiare dhe atyre të deklarimit financiar të subjekteve politike për vitin 2017. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të rrugës së qytetit të Deçanit. (Sheshi i qytetit në Deçan, ora 10:00)

- Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike i USAID-it në Kosovë, Brian Martalus, do të mbajë një fjalim në hapjen e Konferencës Ekonomike të Diasporës Shqiptare nga Evropa - B2B. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- “Let’s Do It” mban aksion pastrimi në disa fshatra të Hasit, me moton “Për një Has të pastër”. (Fshati Gjonaj tek Ura e Drinit të Bardhë, ora 10:00)

- Drejtoresha e misionit të USAID-it Lisa Magno do të flasë me rastin e prezantimit të gjashtë video udhëzuesve për e-prokurim. (Hoteli Swiss Diamond, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor në të cilën do të behët shqyrtimi i kërkesës së Grupit për Studime Juridike dhe Politike për pjesëmarrje në Grupin Këshillëdhënës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 10:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e përvjetorit të rënies së 16 dëshmorëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan. (Kompleksi Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës do të shënojnë së bashku Ditën Ndërkombëtare të Grave për Paqe dhe Çarmatim me një konferencë shtypi. (Ambientet e UNDP-së, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj me rastin e përvjetorit të rënies së 16 dëshmorëve të Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” bën homazhe në Fshatin Kodrali. (Fshati Kodrali, ora 11:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në Akademinë Përkujtimore për heroin Abdullah Tahiri. (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 12:00)

- Prokuroria Themelore e Pejës organizon konferencën për media ku temë diskutimi do jetë ngritja e dhjetëra aktakuzave për rastin e njohur në opinionin publik si “veteranët e rrejshëm”. (Objekti i Prokurorisë Themelore të Pejës, rruga “Hasan Cermaxhija”. ora 12:00)

- 44 nxënës nga klasa 7 deri në klasën 9, nga të gjitha regjionet e Kosovës do të takohen për të garuar në finalen e garës së tretë vjetore të gërmëzimit.  (Biblioteka kombëtare, ora 13:15)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e ndarjes  së çmimeve “Nikete Dardani”. (Kabineti i Ministrit të Kulturës, ora 13:30)

- Rinia Demokratike e Kosovës, mban aktivitet në Prizren, te Komuna, lidhur me qeverisjen lokale në Prizren dhe kundër korrupsionit si dukuri negative. (Te Komuna, Prizren, ora 14:00)

 - Shënohet 19 vjetori i themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjakovë. (Pallati i Kulturës” Asim Vokshi” , Gjakovë, ora 18:00)

- Organizuar nga Ministria e Diaspores dhe Investimeve Strategjike dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare mbahet konferenca ekonomike e diasporës shqiptare nga Evropa më B2B. (Hotel Emerald, ora 20:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Konferencën Ekonomike të Diasporës Shqiptare nga Evropa, organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare. (Hotel Emerald, ora 20:00)