25 Prill 2024

Kosova insiston për Portin e Shëngjinit

Tiranë, 2 tetor - Qeveria e Kosovës vijon të kërkojë me ngulm administrimin e Portit të Shëngjinit, si veprim optimal për të pasur dalje direkt me linjat e transportit detar. Sikurse ndodh gjithnjë, edhe dje kur u pyet nga mediat, ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, nuk tha asgjë konkrete rreth projektit, që diskutohet prej dy vjetësh, por thjesht shprehu angazhimin pozitiv të qeverisë shqiptare dhe vijimin e negociatave.

E kundërta ndodh me palën kosovare, e cila jep detaje të projektit dhe ecurinë e negociatave.

“Ministria e Transportit, si përgjegjëse e qeverisë së Kosovës për Portin e Shëngjinit është duke punuar në studimin e fizibilitetit, në studimin e mënyrës se si do të mund apo cilat do të jenë mënyrat më të mira për shfrytëzimin e atij porti, për nevojat e bizneseve kosovare dhe ekonomisë në përgjithësi”, tha ministri kosovar për Industrinë, Lufti Zharku.

Projekti i kthimit dhe dhënies me koncesion të Portit të Shëngjinit për Kosovën është trajtuar me pompozitet nga qeveria e Prishtinës, kurse nga pala shqiptare, deklaratat kanë qenë të vakëta, të rrethuara me mister dhe mungesë informacioni. Deklaratat rreth projektit u bënë dje pas takimit që ministri Meta pati me Zharkun, ku ndër të tjera u diskutua edhe për rishikimin e marrëveshjes tregtare mes dy vendeve.

Nëse qeveria e Kosovës kërkon portin, ajo shqiptare ia ka gjetur vendin parkut industrial, duke ia dhënë një kompanie gjermane. Parku, që pritet të ndërtohet në Shëngjin, pranë portit, do t’i jepet me koncesion shoqërisë gjermane “ATX International”, për 35 vjet dhe me vlerë investimi mbi 2 miliardë lekë.

Marrëveshja paraprake u firmos më 23 korrik nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ndërsa me vendim qeverie, në qershor 2008, shoqërisë iu dha bonusi prej 6 pikësh, si e vetmja e interesuar për marrjen me koncesion të parkut industrial të Shëngjinit.

Lidhja mes portit që kërkon ta marrë qeveria e Kosovës dhe parkut industrial, që tashmë zotërohet nga gjermanët, është shumë e rëndësishme të sqarohet nga autoritetet shqiptare, të cilët duken se kanë shumë dilema.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)