28 Mars 2024

Kërkohet përgjegjësi ligjore nëse nënshkruhet kontratë e dëmshme e Z-Mobile

Prishtinë, 14 maj - Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancën e jashtëzakonshme për gjendjen në Telekomin e Kosovës dhe masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në zbatimin e Rezolutës së vitit 2018 lidhur me gjendjen financiare në Telekom dhe Postën e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tregoi për hapat që i ka marrë qeveria për përmirësimin e gjendjes në Telekom.

“Unë kam përgatitur një shpjegim prej rezolutës deri sot. Është mirë ta themi që MZHE-ja ka fillu një proces të rikonstrukturimit me EBRD, nga bordi aktual ka fillu procedurë shkarkimi për dy anëtarë që ka përfunduar me dorëheqje, pra njërin e dini për punësime familjare” tha ai.

Haradinaj tha që qeveria ka krijuar mekanizëm juridik për të vlersuar kontratën me Z-mobile.

“Për t’iu shmangur një arbitrazhi të dytë, është kriju një mekanizëm i shqyrtimit të kontratës. Kontrata është e lidhur me licencë që e ka afatin deri në korrik të vitit 2019, dhe janë angazhuar një grup i ekspertëve për të parë arsyeshmërinë e kontratës, pas këtyre vlerësimeve ne do të marrim vendim”, theksoi Haradinaj.

Haradinaj tha që pavarësisht respektit për Blerim Devollin, drejtuesin e Z-Mobile, nuk do të lejojë dëmtimin e Telekomit si dhe u zotua që nuk do të lejojë keqpërdorime nga bordi aktual.

“Unë e njoh Blerim Devollin e respektoj shumë, djali i Ibrahim Devollit, sipërmarrës boll i zoti, punëson njerëz, edhe paguan tatime, mirëpo interesin publik nuk e kam nijet me e çu në dëm për hatër të një sipërmarrësi. Nëse drejtori aktual nënshkruan kontratë të dëmshme, ai merr përgjegjësi ligjore, çdokush që merr vendime që i sjell dëme kompanisë, ata mbajnë përgjegjësi ligjore”, tha ai.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka treguar për dy letrat që do ta vulosin të ardhmen e Telekomit dhe si dhe Z-mobile.

“ Sa i përket raportit mes Telekomit dhe Dardafonit janë dy gjëra që përcaktojnë të ardhmen, e para duhet të bëhet një ekspertize nga katër kompanitë financiare në botë, që do të bëhet një matricë financiare për ta vlerësuar dëmin apo mos dëmin që kontrata shkakton për Telekomin, e dyta duhet të bëhet një interpretim ligjor nga ekspert të jashtëm, dhe këto dy letra do të vendosin të ardhmen mes Telekomit dhe Z-mobile, tha Lluka.

Sipas tij ndërhyrjet politike nuk i kontribuojnë fare gjendjes në këtë ndërmarrje publike.

“Çdo ndërhyrje tjetër politike e drejtpërdrejtë e rrezikon një arbitrazh të dytë ku ne jemi të pambrojtur, kjo është qëndrimi zyrtarë që duhet të presim deri më 31 korrik sa i përket rregullimit të marrëdhënieve me Z-mobile”, tha ai.

Ministri Lluka insistoi se ‘shpëtim’ për Telekomin është privatizimi i kësaj ndërmarrjeje.

“Sa i përket qëndrimit tim dhe të qeverisë, hapat e ardhshëm janë, ristrukturimi, rritja e vlerës së Telekomit dhe privatizimi, për mua asgjë tjetër nuk ka vlerë sepse mendoj që privatizimi është forma e duhur për ta mbajtur një ndërmarrje si Telekomi në gjendje të mirë, ne do të mbesim aksionar 49 për qind aksione do të kemi ne si qeveri, mirëpo 51 duhet të privatizohet”, theksoi ai.

Mirëpo në këto deklarime reagoi deputetja Albulena Haxhiu e cila tha që është e shqetësuese  që ministri nuk ka qëndrim për dëmin e kontratës së Telekomit me Z-mobile.

“Një ministër i tillë, duhet të shkarkohet, sepse nuk ndërmerr veprime karshi kërcënimeve që një kompani i bën Telekomit të Kosovës, qeveria është 100 për qind aksionar. Telekomi operon me humbje, si është e mundur që Bechtel Encha-s lehtësisht  ia jepni 53 milion euro dhe kur është fjala me e mbrojtë një gjigand ekonomik ju nuk veproni”, tha ajo.

Në kundër replikën e tij, Lluka tha që nuk duhen të nguten me deklarime por duhet të presin opinionin e ekspertëve të jashtëm për vlerën e kontratës me Z-mobile.

“Ne duhet të bazohemi në trupa profesional sa i përket kontratës, prandaj kemi marrë vendim për krijimin e një grupi të jashtëm ligjor, prandaj nuk guxojmë të ngutemi në këtë aspekt”, tha ai.

Nderkaq Deputeti Visar Ymeri nga Partia Socialdemokrate, tha se gjendja në Telekomin e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndë.

“Këtu si Kuvend, do të dëshiroja që ky debat të jetë ndihmesë për punën e Komisionit Hetimor dhe nga ky të gjejmë edhe çështje të tjera, përveç atyre të identifikuara deri tash që të do ishin objekt hetimi për komisionin”, tha Ymeri.

Sipas tij, përgjigjet e gatshme dhe të ngutshme mund të jenë fatale për kompaninë në fjalë.

“Më e rëndësishme është se çfarë pyetje po shtrojmë sesa çfarë përgjigje po japim ose marrim. Unë po e shfrytëzoj kohën të bëjë disa pyetje. Si ka ndryshuar raporti në mes të të hyrave të përgjithshme dhe fitimit neto të realizuar nga kompania Telekom, këtë duhet ta trajtojmë, pasi efiçienca e kompanisë përgjatë viteve ka rënë, sepse janë rritur shpenzimet dhe kanë rënë të hyrat”, tha deputeti.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)