28 Mars 2024

Kandidatët e bordit të hekurudhave jo profesinistë

Prishtinë, 4 prill - Kuvendi i Kosovës ka vënë në krye të Bordit të Autoritetit Rregullator të Hekurudha tre emra të cilët janë refuzuar nga Komisioni për Ekonomi dhe Transport dhe Telekomunikacion me arsyetimin se ata nuk janë persona politikisht të pavarur dhe se nuk i plotësojnë kriteret profesionale siç parashihet me ligjin për hekurudhat në Republikën e Kosovës. Edhe pse Komisioni Evropian ka paralajmëruar se mosplotësimi i kritereve për këtë bord do të rrezikojë projektin madhor për hekurudhat.

Vetë kreu i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kërkuar nga ky komision që të shqyrtojë propozimet e qeverisë për anëtarët e Bordit të Autoritetit të hekurudhave të Kosovës, kurse po vetë Kuvendi e ka hedhur poshtë rekomandimin e Komisionit, duke emëruar të njëjtët persona, Halit Gara, Gëzim Qerimi dhe Ilmi Ahmeti në krye të bordit të hekurudhave.

Nga dokumentacioni që ka siguruar gazeta “Zëri” mësohet për përgatitjen e tyre profesionale, të cilat nuk përkojnë asgjë me sektorin e hekurudhave.

Halit Gara (36) nga Drenasi, i diplomuar në fakultetin e ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, ka edhe një diplomë master nga universiteti privat “Fama” për menaxhment dhe informatikë, Gëzim Qerimi (26) nga Skënderaj ka përfunduar fakultetin filozofik dhe vazhdon studimet master në UP në po të njëjtën degë, ai shkruan në CV-në e tij se është i aftë të kuptojë bisedat dhe tekstet e shkruara në anglisht dhe Ilmi Ahmeti (48) nga Kutllovci i Mitrovicës, ka mbaruar Fakultetin e Xehetarisë-Metalurgjik, dega e gjeologjisë në Mitrovicë.

Kryetarja e Komisionit për ekonomi, Transport dhe telekomunikacion, Myzejene Selmani, ka thënë për gazetën se kur kanë marrë këta emra të propozuar nga Qeveria i kanë refuzuar menjëherë me arsyetimin e qartë se nuk e plotësojnë asnjë kriter që e kërkon neni 7.2 i Ligjit për Hekurudhat.

“Qeveria përkundër rekomandimit tonë e ka përsëritur listën e
njëjtë me personat të cilët ne nuk i kemi pranuar”, ka thënë Selmani.

Edhe zyra e Komisionit Evropian në Prishtinë e cila ka ndarë fonde për projektet në përkrahje të hekurudhave të Kosovës ka kërkuar që të emërohet ky bord sipas Ligjit të Hekurudhave.

Në një letër të siguruar nga gazeta, kryesuesi i sektorit për zhvillim ekonomikë pranë zyrës së komisionit evropian në Kosovë, Kjartan Bjorsson, tri javë para emërimit të këtij bordi i ka dërguar letër ministrit të Transportit dhe Post telekomunikacionit, Fatmir Limaj, nga i cili ka kërkuar që sa më shpejt të emërojë këtë bord me profesionistë.

Ai i ka bërë të ditur ministrit Limaj për fondet të cilat janë të parapara për hekurudhat e Kosovës, të cilat janë planifikuar që të nisin si projekte në mars të këtij viti.

“Sidoqoftë, në situatën aktuale disa nga parakushtet themelore për implementimin e projektit nuk janë arritur. Si rezultat neve na duhet që të suspendojmë projektin derisa parakushtet e parapara të përmbushen”, i ka thënë ky zyrtar i KE-së ministrit Limaj në letër dërguar më 10 shkurt të këtij viti.

Kryetarja e Komisionit për Ekonomi, transport dhe telekomunikacion, ka thënë të premten se përkrahja që i kanë dhënë deputetët këtyre emërimeve të bordit me këta emra do ta dëmtojë shumë ndërmarrjen e hekurudhave të Kosovës, duke humbur kështu projektin 200-milionësh nga Komisioni Evropian.

“Me përgjegjësi të plotë po them se emërimi i këtyre personave do të na humbë 200 milionë euro të Komisionit Evropian, i cili ka kërkuar që të emëruarit të jenë profesionistë”, ka thënë Selmani.

Të emëruarit joprofesionalë

Përshkrimet profesionale dhe provoja e kandidatëve të emëruara nga Kuvendi i Kosovës me shumicë votash në krye të bordit të rregullatorit të hekurudhave, tregojnë për një mospërgatitje të plotë profesionale për këtë sektor. Këto emërime janë refuzuar njëherë nga komisioni për Ekonomi dhe Transport e telekomunikacion, kurse Qeveria ka propozuar të njëjtët për emërim

/Gazeta Zeri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)